Lajme

20 mijë euro për vizë false drejt SHBA, Kanada, Britani, goditet rrjeti i trafikantëve

41 persona kanë rënë në prangat e policisë mes tyre 17 shqiptarë, grekë dhe persona me kombësi të ndryshme si pjesë e një rrjeti që siguronte viza false drejt SHBA, Kanadasë dhe Britanisë. Mes 17 shqiptarëve të arrestuar janë edhe dy policë dhe një person tjetër është shpallur në kërkim.

Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Shërbimin për Cështjet e Brendshme dhe Ankesave dhe me agjencitë ligjzbatuese partnere finalizuan operacionin “272” .

Policia e Shtetit në deklaratë për shtyp publikoi identitetet e të ndaluarve dhe mënyrën si funksionte rrjeti i falsifikatorëve dhe trafikantëve.

Të ndaluar Ilir Myrtaj 60 vjeç, nga Tirana

Alfred Myrtaj 54 vjeç, nga Tirana

Marjo Myrtaj 29 vjeç, nga Tirana

Albert Xhelilaj 57 vjeç, nga Tirana

Gentjan Stojku 37 vjeç, nga Tirana

Florjan Hysenaj 53 vjeç, nga Shkodra

Keldi Beshi 48 vjeç, nga Tirana

Arben Kadiu 54 vjeç, nga Tirana

Ismail Alushani 47 vjeç, nga Tirana

Ylli Gokaj 63 vjeç, nga Shkodra

Aleksandër Leka 61 vjeç, nga Tirana

Shkëlqim Mema 46 vjeç, nga Tirana

Qazim Hysko 60 vjeç, nga Tirana

Rezalba Hotaj 22 vjeç, nga Shkodra

Vera Mehmetaj 27 vjeç, nga Shkodra

Entela Çala 43 vjeç Arian Uku 39 vjeç nga Tirana, punonjës policie. U shpall në kërkim shtetasi L.S. 26 vjeç, nga Gjirokastra.

17 të dysharit akuzohen për “Falsifikim të letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave", “Falsifikim të vulave, stampave ose formularëve", “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Trafikim narkotikësh" dhe “Grup të strukturuar kriminal” – thuhet në njoftimin e policisë.

Kreu i Policisë së Shtetit deklaroi se ka prova që shtetasit Alfred Myrtaj, Marjo Myrtaj, Albert Xhelilaj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kryenin falsifikime letërnjoftimesh, pasaportash, vizash, duke pajisur persona të ndryshëm kundrejt përfitimit monetar. Përmes linjave ajrore dhe linjave të tjera të udhëtimit, ky grup transportonte njerëz në shtete të ndryshme, kryesisht: SHBA, Kanada dhe Mbretëri e Bashkuar.

Ardi Veliu vazhdoi deklaratën duke zbuluar rolin e shtetasve Ilir Myrtaj, Alfred Myrtaj, Marjo Myrtaj, Albert Xhelilaj, Gentjan Stojku, Florjan Hysenaj, Keldi Beshi, Arben Kadiu, Ismail Alushani, Ylli Gokaj, Aleksandër Leka, Shkëlqim Mema, Qazim Hysko dhe punonjëses së Policisë Entela Çala.

“Këta shtetas në kuadër të grupit të strukturuar kriminal siguronin persona shqiptarë e të huaj që kishin interes për të udhëtuar në SHBA, Kanada, Britani dhe pasi i pajisnin me dokumente identifikimi të falsifikuara, kundrejt përfitimit monetar u krijonin kushtet në mënyrë të paligjshme të udhëtonin drejt SHBA-së, Kanadasë, Mbretërisë së Bashkuar. Nisja e personave me dokumente të falsifikuara bëhej nga Shqipëria, Mali i Zi, Italia, Greqia, Franca dhe Norvegjia” – deklaroi kreu i Policisë së Shtetit.

Në dhjetor 2017 në bashkëpunim me Policinë greke janë arrestuar 24 persona, shqiptarë, grekë, pjesë e këtij grupi kriminal dhe janë sekuestraur 7 laboratorë për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.

“Shtetasit Gentjan Stojku dhe Alfred Myrtaj ishin ndërlidhësit mes dy pjesëve të grupit që vepronte në Shqipëri dhe Greqi. Ndërsa shtetasi Marjo Myrtaj ishte në rolin e korrierit mes tyre"- deklaroi Ardi Veliu dhe me tej shpjegoi rolin e dy punonjësve të Policisë.

“Dy punonjësit e policisë, Entela Çala dhe Arian Uku, duke shpërdoruar detyrën kanë kryer veprime korruptive kundrejt shumave monetare, si dhe kanë ndihmuar pjesëtarët e këtij grupi kriminal për zhvillimin e aktivitetit kriminal duke shfrytëzuar të dhënat që dispononin për shkak të detyrës si punonjës policie" – deklaroi Veliu.

Në kuadër të këtij hetimi Në Shqipëri u sekuestruan 4 laboratorë falsifikimesh, nga 7 që dispononte ky grup me aktivitet në disa shtete. Policia sekuestroi edhe dokumente mes të cilave edhe pasaporta biometrike të vendeve të BE-së. Përvec akuzës së trafikimit njerëzor, ndaj të arrestuarve rëndojnë edhe akuzat e trafikut të drogës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë