Politike

2 muaj nga vizita e Zelenskyt, Peleshi: Investitorët e huaj po tregojnë interes për industrinë tonë ushtarake

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ka njoftuar se investitorë të huaj kanë parë me interes industrinë ushtarake dhe potencialin e saj.

Gjithashtu ai shtoi se në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u mor vendimi që nga buxheti i shtetit të paguhen pagat dhe sigurimet për 120 ish-punonjës të Kombinatit të Poliçanit.

“Vlera është 83 milionë lekë të reja. Kemi marrë përsipër pagesën për pagat dhe sigurimet shoqërore të prapambetura. Kemi parasysh Poliçanin, Uzinën e lëndëve plasëse të Mjeksit dhe kombinatin e Gramshit. Poliçani nuk ka fare aktivitet, dy tjerat kanë pak aktivitet që lidhet me demontimin, të cilat sigurojnë disa të ardhura”.

Për sa i përket investimeve në këtë industri, ministri tha se investitorë të huaj dhe kompani të huaja kanë vizituar dhe parë potencialin e saj.

Tani më, vijoi ai, do të ndryshohet qasja, nga Shqipëria 1 euro - në Shqipëria partnere në çdo investim të përbashkët.

“Kjo është qasja e jonë dhe këtë do ua prezantojmë investitorëve potencial që tani janë në fazën e shprehjes së interesit dhe të inspektimit të këtyre industrive”.

Rigjallërimi i industrisë ushtarake në vend mori vëmendje të veçantë që pas vizitës së Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky, kur ky i fundit tregoi interes për bashkëprodhimin e municioneve me vendet e rajonit.

Propozimin e Zelenskyt, Kryeministri Edi Rama e konsideroi si një propozim i ardhur në kohën e duhur.

“Zelensky na foli për mundësinë e bashkëpunimit që do të thotë investimi, prodhimi dhe bashkëpunimi. Të gjithë thanë po, jo vetëm Shqipëria. Ky është një proces, e dimë që duhet të investojmë më shumë në mbrojtje si çdo kush tjetër dhe gjitha që mund të bëjmë në këtë drejtim do ta bëjmë. Do ta bëjmë këtë me aleatët tanë dhe jo me të tjerët”, tha asokohe Rama.

Sipas, kolonelit (R) Dritan Demiraj, vendi mund t’ia dalë të ndihmojë edhe Ukrainën me prodhimin e armatimeve dhe municioneve, por gjithnjë në bashkëpunim me NATO-n.

Koloneli (R) Dritan Demiraj
Koloneli (R) Dritan Demiraj

Në një intervistë me Gazetën Si, Demiraj u shpreh se propozimi i presidentit Zelensky është i mundur, në rast se aleanca ka marrë vendim që të ofrojë asistencë financiare ose të lejojë kompanitë private të industrisë ushtarake që, në bashkëpunim me Ministrinë shqiptare të Mbrojtjes; të përdorin uzinat e Gramshit, Poliçanit, etj dhe të investojnë në pajisjet dhe makineri të cilat mund të prodhojnë armë të lehta dhe municione artilerie. 

Konferenca e Interpolit në Tiranë

Në daljen para mediave, pas mbledhjes së qeverisë, Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka bërë me dije se në Shqipëria është përzgjedhur për të mbajtur konferencën rajonale ndërkombëtarë të policisë kriminale Interpol e cila do të zhvillohet në datat 11-13 qershor në Tiranë.

“Kishim propozuar dy akte i pari ka të bëjë me lajmin e mirë se Shqipëria është përzgjedhur për të mirëpritur konferencën rajonale ndërkombëtarë të policisë kriminale Interpol e cila do të zhvillohet në datat 11-13 qershor. Është një vlerësim për Shqipërinë si dhe për rezultatet e mira. Ka forcuar goditjen kundër krimit të organizuar pandëshkueshmërisë, pasi lidhet me një etapë të re të bashkëpunimit midis policisë së Shtetit dhe Interpolit”.

Balla i dha rëndësi këtij bashkëpunimi i cili do t’i shërbejë forcave të sigurisë në vend.

“Policia po gjen dhe ndalon me qëllim ekstradimin në Shqipëri të personave të përfshirë në akte apo vepra të tjera penale. Ratifikimi i kësaj marrëveshje është një moment i cili natyrshëm do të shërbejë për drejtuesit e policisë”.

Ministri Balla u ndal edhe tek lëndët piroteknike, përdorimi i të cilave është bërë problematike në komunitet.

"Pra është e palejuar dhe ndëshkohet edhe penalisht përdorimi i lëndëve piroteknike nga persona të paautorizuar. Policia e Shtetit do të vazhdojë të monitorojë situatën, pasi kjo dëmton edhe qetësinë publike. Nuk është domosdoshmëri qasja e aplikimit të gjobave. Por në orën 00:00 askush nuk ka të drejtë t’u prishë gjumin qytetarëve”, tha Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë