Asime Çela është pensioniste dhe pak muaj më parë u infektua me COVID-19.
Në një bisedë me shefin e kabinetit të kryetarit të PD, Dorian Teliti, Çela tregon shumëçka mbi vështirësitë, që ka hasur.
“Në 7 nëntor më ra kjo (COVID-19). Po më ra jashtëzakonisht rëndë, me temperaturën 40, isha në atë botë fare. Vajza e kaloi, edhe vajza me dhëndrin me fëmijët, e kaluan, por e kaluan më lehtë. Megjithatë, merr në telefon këtu e merr urgjencën, merr doktoreshën e lagjes, atë të familjes që themi neve dhe absolutisht asnjë germë fare nuk lëvizën”, thotë ajo, duke nënvizuar se asaj apo familjarëve të tjerë nuk iu bë as tamponi.
Por sa i shkuan ilaçet për kurim?
“Ilaçet të them të drejtën, ne morëm doktorin nga Spitali Amerikan, privati, vizitë 200 mijë lekë. Ndërsa infermierët dhe infermieret morën, domethënë për 7 ditë, morën 650 mijë lekë, paradite dhe pasdite që vinin më bënin serumin, oksigjenin, oksigjenin e vendosja vetë se e kisha aparatin aty afër, e bëja vet. Po serumin vinin ata dy herë në ditë dhe plus që në serum hidhnin ato mjekimet, se mora në farmaci një trastë me ilaçe”, thotë ajo.
A mori ndonjë ndihmë financiare? “Asnjë njeri, asnjë fare, asnjë shpenzim... Në total ilaçet 2 milionë”, tregon Asime Çela, duke theksuar se ajo është ndihmuar nga fëmijët e saj, pasi me pension 175 mijë lekë të vjetra në muaj ishte e papërballueshme
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.