Ne rrjet

1800 viktima në një ditë në SHBA

Më shumë se 1800 persona kanë humbur jetën nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara, në 24 orët e fundit, ku numri i të vdekurve nga koronavirusi ka arritur në rreth 12800, ndërsa numri i të infektuarve është rreth 400 mijë.

Qyteti i Nju Jorkut vazhdon të jetë më i godituri, me mbi 4 mijë të vdekur.

Gjatë konferencës për shtyp të Task Forcës së Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin, Presidenti Donald Trump pranoi se ishte informuar vetëm rirshtazi për paralajmërimet në fillim të vitit të njërit prej këshilltarëve të tij të lartë, Peter Navarro, për efektet e mundshme të pandemisë. Presidenti mohoi ta ketë lexuar memorandumin e zotit Navarro në momentin kur ai e kishte paraqitur gjatë muajit janar. Megjithatë, Presidenti doli në mbrojtje të përpjekjeve që ka udhëhequr për të përballuar dëmet nga pandemia e koronavirusit.

Nuk mund ta kisha bërë më mirë“, u shpreh Presidenti Trump.

Presidenti u tha gazetarëve se ai dëshiron të tregohet pozitiv dhe se “nuk dëshiroj të shkaktoj panik dhe shok”. Ai shtoi se veprimet e tij në përgjigje të pandemisë ishin veprimet më praktike të mundshme.

Presidenti Trump informoi se fonde të tjera shtesë prej 250 miliardë dollarësh do t’i kërkohen Kongresit dhe se këto fonde do të shkojnë drejtpërsëdrejti për rrogat e të punësuarve. Ai shtoi se ka biseduar me drejtuesit e bankave kryesore, si Goldman Sachs, Bank of America, Citigroup etj., për një program që do të synojë garantimin e pagave.

Shtëpia e Bardhë u bëri sërish thirrje amerikanëve të ruajnë distancimin social deri në fund të muajit prill, për të ndihmuar në mbajtjen nën kontroll të pandemisë.

Ndërkohë, u njoftua se Kryeministri britanik, Boris Johnson e kaloi natën e dytë në pavionin e kujdesit intensiv. Mbrëmë, Presidenti Donald Trump tha se ka ofruar ndihmë për shërimin e kryeministrit britanik. Në konferencën për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump tha se u kishte kërkuar disa prej kompanive kryesore që “të kontaktonin menjëherë Londrën”. Sekretari i Jashtëm britanik Dominic Raab konfirmoi se Kryeministri Johnson po mbahet me oksigjen, por se nuk e ka të nevojshme frymëmarrjen artificiale.

Seanca informuese u zhvillua pasi u njoftua largimi i Sekretares së Shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham, ndërkohë që mediat patën njoftuar edhe shkarkimin e Glenn Fine, i cili drejton panelin federal që mibkqyr menaxhimin e paketës së ndihmës financiare prej 2 trilionë dollarësh. Gjithashtu, Sekretari në detyrë i Marinës së Shteteve të Bashkuara, Thomas Modly, ka dhënë dorëheqjen pasi u kritikua për mënyrën se si menaxhoi situatën me kapitenin e një aeroplanmbajtëseje që u godit nga koronavirusi. Lajmi iu bë i ditur agjensisë së lajmeve Reuters nga një ndihmës në Kongresin amerikan.

Më Shumë