Politike

Rama i dërgon Kurtit 13 marrëveshjet e firmosura dhe publikon axhendën: Pres të takohemi pasi të heqë merakun

Nga Gazeta 'Si'-Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur pozitivisht ftesës së homologut Albin Kurti për firmosjen e 13 marrëveshjeve mes dy qeverive, pas shtyrjes që iu bë mbledhjes në pranverë.

Në një postim në Twitter, Rama iu përgjigj duke thënë se 13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive të firmosura nga pala shqiptare, janë dorëzuar në ministrinë e jashtme në Kosovë. Ai ka shtuar se me kundërfirmosjen e palës kosovare ato hyjnë menjëherë në fuqi.

“Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga KM Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin sot pasdite”, shkroi Rama në një postim në Twitter.

Rama do të jetë në Kosovë pasdite në kuadër të turit të tij 2-ditor në Ballkan.

Një ditë më parë, Kurti tha në një konferencë për mediat se ka kërkuar nga Rama që së pari të mbahej mbledhja e përbashkët mes dy qeverive, që sipas tij, u anulua në mënyrë të paarsyeshme. Nëse nuk do të mbahej mbledhja, ai theksoi që nuk do të kishte takim bilateral.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë