Politike

’17 maji i Ramës e Bashës, burimi i së keqes’. Meta flet për 25 korrikun dhe paralajmëron Kryeministrin

Presidenti Ilir Meta e nisi të martën me një postim në rrjetet sociale me përkujtimin e 17 majit të 2020-s, kur u shemb godina e Teatrit Kombëtar. Por, datës iu rikthye në mesditë duke i kushtuar një konferencë për shtyp.

Në këtë konferencë, Presidenti u rikthye pesë vite pas në kohë, për të kujtuar marrëveshjen Rama-Basha të majit 2017-të. Këtë e pagëzoi si ‘marrëveshja e së keqes’ nga e cila kanë buruar, sipas tij të gjitha problematikat me të cilat përballet sot Shqipëria.

“Sot është 17 maj dhe kjo ditë do të kujtohet si dita më e errët e pluralizmit në këto 32 vite, pasoja shkatërrimtaret të së cilës për demokracinë dhe llogaridhënies, të gjithë vazhdojnë t’i ndjejnë çdo ditë. Ajo marrëveshje e turpshme e realizuar në errësirë 5 vite më parë tashmë ekspozuar në dritën e diellit për qytetarët”, tha Presidenti.

Sipas Metës, djegia e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve të 2019-s ishin produkt i kësaj marrëveshjeje.

“Ishte pjesë e marrëveshjes dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale. Ishte pjesë e marrëveshjes dhe mosregjistrimi i PD në KQZ në 13 tetor 2019, datë që e zgjodhi PD. Ishte pjesë e marrëveshjes që t’i lehtësohej puna qeverisë për të kaluar dhjetëra koncensione korruptive, pronë e popullit shqiptar. Po kështu shembja e teatrit kombëtar. Marrëveshja edhe për të nxjerrë në ankand trashëgiminë e vendit”, tha ai.

Këtë marrëveshje e fajësoi edhe për humbjen e opozitës në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar.

“Shitja e zgjedhjeve të 25 prillit pa dyshim që ishte pjesë e marrëveshjes së 5 viteve më parë. Ishte pjesë e marrëveshjes bojkoti i reformës në drejtësi që lehtësoi kapjen e drejtësisë së re nga qeveria aktuale”, tha Meta.

Pasojat? “Janë të qarta, bllokimi i integrimit dhe shpopullimi i vendit. Shumica e familjeve i ndjejnë kostot e kësaj marrëveshje në xhepat e tyre”, vijoi Presidenti.

Meta iu përgjigj thirrjeve të Ramës drejtuar SPAK për ta hetuar atë së bashku me Sali Berishën, të cilët Kryeministri i ka quajtur “peshkaqenët e korrupsionit”. Presidenti e cilësoi përpjekje për të hequr vëmendjen nga hetimi i inceneratorëve. Këtu, veç vetes mori në mbrojtje edhe Sali Berishën, duke përsëritur deklaratat e ish-Kryeministrit në lidhje me dosjen ‘non grata’.

“Saliu non grata janë të dhënat e Ramës dhe të Sorosit dhe të mediave. Kush e ka penguar atë (Ramën) që të hetojë Saliun, Ilirin? Të gjitha këto bëhen që të zhvendoset vëmendja duke thënë që fajin e ka Saliu dhe Iliri dhe e kanë edhe ilirët dhe pellazgët, ndërsa ky nuk di gjë që ka ish-ministrin brenda. nuk di gjë për inceneratorët dhe për ata ministra e drejtorë që e kundërshtuan”, tha Presidenti.

Ramës i çoi një mesazh, por për pas 25 korrikut, kur përmbyll mandatin në presidencë.

“Më 25 korrik unë dhe qindra mijëra qytetarë shqiptarë do të shkojmë para SPAK me fakte dhe prova, jo me deklarata politike. E më mirë nga të gjithë ai (Edi Rama). Në këto 32 vite ai e njeh Ilirin më mirë nga të gjitha dhe e di ai që Iliri do t’i shkojë deri në fund kësaj gjëje, jo për ato që i ka bërë ai Ilirit, por për atë që i ka bërë Shqipërisë”, shtoi Presidenti.

Një përgjigje e dha edhe për artikullin e tabloidit austriak “Kronen Zeitung”, ku Meta akuzohej se kishte paguar deri në 700 mijë dollarë për lobim në SHBA. Akuzat për herë të parë u publikuan në revistën “Mother Jones”. Në përgjigje meta ironizoi George Soros.

“Janë shpifje e manipulime që qarkulluan në 2018 te ‘Father Geroge’, të cilat e kanë marrë përgjigjen, por revista zgjodhi të mos i botojë”, deklaroi ai, duke shtuar se do të ngrejë padi ndaj gazetës Austriake në gjykatat austriake.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë