Analize

160 të vrarë për 8 vjet brenda familjes, rreth 600 persona arrestohen çdo vit, mbi 31 mijë të dhunuar. A jemi një shoqëri e dhunuar dhe dhunuese?

Për tetë vitet e fundit, brenda vendit më të sigurt në Shqipëri, që duhet të jetë shtëpia, kërkuan ndihmë ndaj një anëtari të familjes, pasi kishte ushtruar dhunë ndaj tij/saj, 29.475 persona. Shifra e lartë zyrtare është mbajtur shënim prej vitit 2013 në rubrikën, raste të evidentuara nga policia.

Dhe bëhet fjalë për episode dhune, ku një grua, një vajzë, e moshuar apo e re qoftë ajo, burrë ose djalë, u dhunua nga bashkëshorti, bashkëshortja, djali, vajza, i dashuri, ish e dashura, nëna, babai dhe anasjellas fëmijët.

Në këtë sherrnajë, llogariten çaste dhune ekstreme midis kunetërve dhe kunatave, nuseve dhe vjehrrave, midis motrave dhe vëllezërve dhe midis ish partnerëve, që pas ndarjes dhe rasteve të vrasjes, i shtynë ligjbërësit që t’i përfshijnë edhe ata në paketën ligjore parandaluese, ku për shkak të kësaj marrdhënieje të mëparshme, edhe një ish, konsiderohet si pjesë e familjes dhe afrimitetit në marrëdhënie në rast se ai ngre dorë ndaj partnerit.

Por ligjet ekstreme nuk e mbyllën dot plagën e dhunës në familje, pasi mesatarisht nga viti që raporton Gazetasi.al, pra 2013-ta, mesatarja e dhunës brenda mureve të banesës mbetet e njëjtë midis shifrave, 3.500 deri ne 4,100, që konsiderohet një shifër alarmante, duke nënkuptuar se dhuna që pranohet në heshtje, është më e lartë sesa ajo që thyen barrierat dhe kërkon ndihmë.

Shifrat për të njëjtën periudhë të dhunshme që nuk ka të ndaluar, llogaritet në raportet zyrtare të policisë të vëna në dizpozicion të Gazetasi.al, të jetë 31.550, kryesisht meshkuj, por edhe gra në masën 20 përqind, që janë raportuar për dhunë në familje.

Prej tyre, evidencat tregojnë se mesatarisht çdo vit, 600 persona përfunduan të arrestuar, ndërsa për të tjerët nuk pati denoncim, e për pasojë viktima e dhunës kërkoi në mënyrë civile vetëm urdhër mbrojtjeje.

Në total, gjatë kësaj kohe u përplasën në gjykatë dhe kërkuan urdhër mbrojtjeje 18 mijë e 866 persona, të cilët siguruan mandatin gjyqësor për të mbajtur në distancë dhunuesin e tyre, një familjar, bashkëshort , prind apo fëmijë.

Por vrasjet e mëpasshme edhe me urdhër mbrojtjeje, treguan se urdhri i mbrojtjes nuk funksionon dhe përpara se së bashku me ndërgjegjsimin për t’i shtyrë viktimat të këkrojnë ndihmë, vec policisë dhe gjykatës, aktorë të tjerë janë jashtë loje.

Teksa ligji në këtë pikë shkoi në ekstremitet për vrasësit, duke parashikuar dënimin e përjetshëm dhe minimalja 35 vjet burgim për të plotësuar paketën, ligjvënësi parashikoi edhe dëbimin e dhunuesit nga banesa në rast se ai është përsëritës.

Gjykatat po e aplikojnë këtë penalitet, por dhuna nuk ndalet. Duke parë shkaqet mbi të cilat Gazetasi.al, ka raportuar herë pas here, ende nuk i është shkuar kurimit të plagës së dhunës atje ku ajo dhemb.

Vështirësia ekonomike përkeqëson marrëdhëniet mes anëtarëve, përdorimi i alkoolit dhe varësia nga droga është një faktor tjetër, xhelozia dhe mos pranimi i ndarjes dhe së fundmi dhuna për shkak të pronës, që kryesisht është banesa e përbashkët e çiftit që nuk heq dorë, e vëllezërve dhe motrave që kërkojnë pjesë nga pasuria e prindërve dhe e të rinjve që nuk kanë asnjë të ardhur dhe dhunojnë prindërit.

Për të gjitha këto, duhej të funksiononte si pjesë e mekanizmit kundër dhunës pushteti lokal dhe koordinatori pranë njësive, që sado të jetë efektiv, shteti nuk ka mundësi ekonomike të mbështesë me financë një viktimë dhune në familje përveç një strehëze provizore që i ofrohet gjatë rrezikimit të jetës.

Derisa të kuptohen shkaqet e dhunës që nuk është vetëm patriarkale dhe për shkak të roleve gjinore, shifrat e të vrarëve nga një anëtar i familjes mbeten në të njëjtin nivel.

160 persona u vranë nga viti 2013 nga një anëtar i familjes, në krime që tronditën shoqërinë dhe qelizën e saj më të rëndësishme, familjen.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë