Drejtësia

Liruan nga burgu burrin-vrasës, familja e Sabrinës do të ngrejë padi në SPAK

Partizan Bengaj, babai i Sabrina Bengajt, e cila u ekzekutua për vdekje në shtëpinë e saj nga ish-bashkëshorti në Fier, ka vendosur të ngrejë padi në SPAK kundër atyre që sipas tij mundësuan lirimin e vrasësit të vajzës së tij.

Bëhet fjalë për një kallëzim ndaj mjekëve dhe prokurorëve, të cilët kanë liruar nga burgu 10 muaj më parë autorin e vrasjes, Elton Metaj.

Për këtë padi, ai ka autorizuar avokatin Sajmir Vishaj, me të cilin dhe është takuar në studion e tij ligjore këtë të premte për nisjen e procedurave.

LEXO EDHE:
- Ekspertizat e dyshimta/ Vrasësi i gruas në Fier i sëmurë mendor, por si u lirua nga Burgu i Zaharisë? ILD nis hetimet
- Flasin prindërit e Sabrinës, nëna: Ish-burri e vrau me bukë në gojë! Babai akuzon sistemin e drejtësisë
- “Më mirë e ndame se sa e vrame”, qytetarët protestojnë në Tiranë dhe Fier për Sabrina Bengajn

"Unë po autorizoj avokatin që në SPAK të më përfaqësojë dhe të denoncojë të gjithë ata që janë përfshirë në lirimin e vrasësit të vajzës sime", - ka thënë Partizan Bengaj për mediat.

Më herët, ai ka akuzuar të gjithë sistemin e drejtësisë, përfshirë dhe mjekët ligjorë për lirimin e padrejtë sipas tij nga burgu të ish-dhëndrit.

Sa i përket akuzave se ai e ka kërcënuar ish-dhëndrin e tij, babai i Sabrinës thotë se në atë periudhë ka qenë në Itali dhe akuzat janë totalisht të pavërteta. 

Autori i vrasjes Elton Metaj dhe vitima, Sabrina Bengaj

Sabrina Bengaj u vra thuajse një javë më parë nga ish-burri i saj, Elton Metaj, duke lënë pas një fëmijë të vogël.

Meta u arratis menjëherë pas ngjarjes, por ai u arrestua pas 3 orë ndjekjeje, i fshehur në një pyll në fshatin e tij në Peshtan të Fierit, ku iu gjet edhe arma e krimit.

Falë certifikatave mjekësore dhe vendimit të gjyqtarit Piro Sota dhe prokurorit Çlirim Sino, 31-vjeçari nuk qëndroi gjatë në burg, por u shtrua në spitalin e burgut të Zaharisë.

Vetëm pak muaj më vonë, ai doli prej andej me justifikimin se do të vazhdonte kurimin në shtëpi.

Pak ditë më parë, aktivistë të shoqërisë civile protestuan në Tiranë para Ministrisë së Brendshme, ku kërkonin drejtësi për vrasjen e Sabrinës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë