Ka ndodhur

Krim në familje në Divjakë, burri vret gruan dhe më pas vetëvritet

Pas ngjarjes tragjike në Fier, një krim në familje ka ndodhur mbrëmjen e të shtunës në Divjakë, Lushnjë. 58-vjeçari Hekuran Rrasa, banues në fshatin Babunjë, ka vrarë gruan Fëllënxë Rrasa, 45-vjeçe me armë gjahu dhe më pas në kushte të rënda psikologjike, ka kthyer armën nga vetja duke i dhënë fund jetës.

Ka qenë djali i çiftit, ai i cili ka dëgjuar të shtënat e armës së gjahut. Kur ka hyrë në banesë, ai ka konstatuar të vdekur të dy prindërit. I tronditur, djali i çiftit ka njoftuar policinë, që ka mbërritur në vendin e ngjarjes, në fshatin Babunjë.

Krimi ka ndodhur në banesën e çiftit dhe sipas informacioneve paraprake, dyshohet pas një sherri në familje. Në vendngjarje është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale arma e gjahut.

Pak ditë më parë një ngjarje e tillë u regjistrua edhe në Zhupan të Fierit, ku 23-vjeçarja Sabrina Bengaj u vra nga ish-burri i saj, Elton Metaj, duke lënë pas një fëmijë të vogël.

Rasti i Sabrinës, ishte një kronikë e paralajmëruar, pasi nëse drejtësia do të kishte funksionuar siç duhej sot ajo do të ishte gjallë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë