Lajme

15 mijë paund për të shkuar në Angli, 2 në pranga dhe 1 në kërkim

Në sajë të operacionit policor “LUTTON”, dy persona janë vënë në pranga dhe një i tretë është shpallur në kërkim.
Këta shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kalonin ilegalisht persona të tjerë drejt Mbretërisë së Bashkuar, kundrejt një fitimi prej 15 mijë paundësh britanikë.
Policia bën me dije se janë vënë në pranga shtetasit me inicialet V. L., 52 vjeç, lindur dhe banues në Mamurras, Kurbin; si dhe H. N., 19 vjeç, lindur dhe banues në Burrel, Mat;
Siç njofton policia, nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi V. L., rezident në Itali, pasi kishte siguruar paraprakisht dokumente të falsifikuara italiane me gjeneralitetet e një shtetasi tjetër, ka ardhur në Shqipëri dhe ka pajisur me këto dokumente shtetasin H. N.
Pas pajisjes me këto dokumente, shtetasi V. L. do ta shoqëronte shtetasin H. N. nga aeroporti i Rinasit, transit drejt aeroportit të Venecias me destinacion final në aeroportin e “Luttonit”, në Mbretërinë e Bashkuar, kundrejt përfitimit 15 000 paund britanikë.
Gjithashtu, u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. L., i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë vepër penale.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë