Në 14-vjetorin e themelimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka përçuar një mesazh përmes rrjeteve sociale, ku bën edhe një bilanc përmbledhës të tetë viteve në qeveri.
Katër të parët ishin me Partinë Demokratike, me Kryeministër në atë kohë Sali Berishën.
“Në vitin 2009 ne bashkëpunuam në qeverisje me PD-në, pavarësisht ndryshimeve ideologjike, për të nxjerrë Shqipërinë nga kaosi i zgjedhjeve të njëpasnjëshme politike, në një klimë të tensionuar dhe tejet të ashpër, sepse vendi kishte si përparësi liberalizimin e vizave dhe ishte tashmë prej pak muajsh, anëtar i Nato-s. Ne shqiptarët duhet të dilnim nga getoja e radhëve të gjata e jo rrallëherë korruptive në dyert e ambasadave për të marrë një vizë. Një bashkëpunim dhe një bashkëqeverisje, që do ta vlerësoja në vija të përgjithshme si të frytshëm, në reforma, në luftën kundër krimit të organizuar, në liberalizimin e vizave dhe në konsolidimin e detyrave të shtruara pas anëtarësimit në NATO”, shkruan kryetarja e LSI-së në Facebook.
Por, nëse bashkëqeverisjen me Sali Berishën e vlerëson me nota pozitive, për 4 vitet në pushtet me Edi Ramën ka një tjetër qëndrim.
“Nëse ne bashkëpunuam frytshëm me ish-kryeministrin Berisha, nuk mund të them se arritëm rezultate të ngjashme pozitive me Rilindjen e Edi Ramës, që ishte një farsë, një fasadë dhe një maskë, për nënshtruar Partinë Socialiste dhe pastaj të gjithë shqiptarët. Me PS-në ishim më afër ideologjikisht, por përse ta fshehim, kishim edhe nostalgjinë e kohës si ish-socialistë e themelues të dikurshëm, që në orët e para të lindjes së kësaj partie. Por PS-ja nën drejtimin e Ramës dhe të rilindasve, u bë edhe më arrogante dhe në vend që të qeveriste, mbushi vendin me drogë dhe vazhdimisht ideoi e organizoi vetëm kurthe, intriga dhe fushata të maskuara mediatike kundër LSI-së”, thotë ajo.
14 vite nga themelimi, Kryemadhi thotë se LSI mbetet një parti e shpresës, mundësive të barabarta dhe integrimit në BE.
“Jemi një grupim zemrash dhe mendjesh, jemi një përbashkim i energjisë pozitive, që kërkon më shumë punë në vendin tonë, më shumë drejtësi, më shumë shtet të shqiptarëve të thjeshtë, e jo të super pasanikëve”, vijon ajo.
Në fund, mesazhi dhe thirrja për t’u ngritur kundër Edi Ramës është i fortë dhe i qartë.
“Ne kemi lindur dhe do të vijojmë të jemi një parti njerëzish guximtarë e trima, djem e vajza që kanë pasion dhe mision sfidën dhe që nuk u tremben nga bandat e mercenarëve. Nuk ka më frikacakë më të mëdhenj se sa mercenarët kur ndeshen me idealistët dhe nuk ka më trima në botë se sa Misionarët që kanë qëllim çlirimin e vendit tyre nga pengmarrja e rregjimeve! Në këtë rast nga regjimi i Ramës!”, mbyll mesazhin e saj, kryetarja e LSI-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.