Politike

14 maji/ Të hënën afati i fundit për regjistrimin, PS zyrtarizon sot kandidatët për kryebashkiakë, PD ende pa vendim

Mesnata e të hënës shënon dhe fundin e afatit për regjistrimin në KQZ të kandidatëve për kryebashkiakë dhe këshillat bashkiakë për zgjedhjet vendore të 14 majit.

Teksa PS zyrtarizon sot kandidatët e saj, PD është ende e pa vendim për shkak të “luftës” së saj të brendshme që ka sjellë përçarje mes demokratëve.

Në mbledhjen e fundit të Kryesisë, PS tha se më 25 mars do të bëjë publik kandidatët për kryebashkiakë në 61 bashkitë e vendit. Disa prej tyre që janë ende në detyrë duket se do të rikandidohen, ndërsa pritet të ketë ndryshime në të tjerat.

Teksa në Tiranë është konfirmuar rikandidimi i Erion Veliajt dhe në Shkodër do të kandidatohet Benet Beci, pritet që të ketë ndryshime në bashkitë e tjera.

Por krejt e kundërt shfaqet situata nga kampin opozitar, ku Partia Demokratike nën drejtimin e Enkelejd Alibeajt ende nuk ka një vendim se si do të dalin në zgjedhjet e 14 majit. Në mbledhjen e fundit të Kryesisë, demokratët u shfaqën të ndarë, ku një pjesë kërkojnë të dalin vetëm me lista për këshilla bashkiakë, por të tjerë thonë se duhet të nxjerrin edhe kandidatë për kryebashkiakë.

Megjithatë pritet që çdo gjë të vendoset sot edhe në kampin e PD, pas zhvillimit të mbledhjes së Kolegjit të Kryetarëve.

PD ndodhet në udhëkryq për shkak të maratonës së seancave se kujt i përket logo dhe vula e PD. Për shkak të përçarjeve të brendshme një pjesë e demokratëve kanë preferuar të kandidojnë si emra të zgjedhur nga primaret e “Rithemelimit” të Sali Berishës.

Pavarësisht se Alibeaj u shtriu dorën e bashkëpunimit, Berisha preu çdo rrugë të tillë, pasi e cilëson atë si “një person që shitet dhe blihet nga Kryeministri Edi Rama”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë