Politike

‘14 maji’, SHBA e BE në unison: Zbatoni rekomandimet e ODIHR

Nga Gazeta 'Si'-Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian mirëpresin rekomandimet e misionit ndërkombëtar të vëzhguesve OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 14 majit. Dy ambasadat në Tiranë kërkojnë që të zbatohen menjëherë rekomandimet mbi çështjet që janë cilësuar si kritike.

“Ambasada e SHBA mirëpret raportin e fundit të ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 14 majit që përshkruan fushat me përmirësim të vazhdueshëm, si dhe mangësitë. Shtetet e Bashkuara nxisin qeverinë, partitë politike dhe institucionet shtetërore të zbatojnë rekomandimet e ODIHR-it, të cilat përfshijnë keqpërdorimin e burimeve shtetërore në nivel qendror dhe vendor, akuzat për blerje votash nga të gjitha palët, marrjen e masave për të siguruar fshehtësinë e votimit dhe parandalimin e frikësimit të votuesve, si dhe presionin mbi punonjësit e sektorit publik dhe votuesit”, thuhet në deklaratën e ambadës amerikane.

Më tej theksohet se “raporti theksoi gjithashtu nevojën për të siguruar zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit në mënyrën e duhur, dekriminalizimin e shpifjes, si dhe mbështjetjen e gazetarisë së pavarur. Shtetet e Bashkuara mbështesin angazhimin për të trajtuar të gjitha rekomandimet e ODIHR-it, në mënyrë që të sigurohet një kuadër zgjedhor gjithëpërfshirës dhe konseguent si dhe kërkesat e popullit shqiptar për një demokraci të fortë”.

Edhe ambasada e BE-së mban të njëjtin qëndrim, dhe fokusohet se përmirësimi ligjor sa i përket akuzave për keqpërdorim e burimeve shtetërore dhe blerje votash.

“Delegacioni i BE-së mirëpret publikimin e raportit përfundimtar të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore në Shqipëri që konfirmoi se zgjedhjet ishin të mirëadministruara dhe konkurruese, por u shenjuan nga akuza për keqpërdorim e burimeve shtetërore dhe blerje votash. Delegacioni i BE-së nxit të gjithë aktorët që të punojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse për të zbatuar rekomandimet e reja të Raportit dhe ato që janë ende pezull nga rekomandimet e mëparshme pa humbur kohë”, thuhet në reagimin e BE-së. Kuvendi i Shqipërisë sakaq ka shtyrë me 6 muaj afatin e komisonit për reformën zgjedhore, ku në fokusin e punës pritet të jenë edhe rekomandimet më të fundit të ndërkombëtarëve për zgjedhjet lokale të 14 majit, që u fituan bindshëm nga partia në pushtet, Partia Socialiste.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë