Libra

11 librat që u kanë dhënë formë shoqërive dhe kulturave, në historinë e njerëzimit


Pak rëndësi ka nëse e njohim apo jo, të gjithë jemi të dashuruar fshehtas me filozofinë. Diskutimi i  koncepteve abstrakte, analizimi i betejave tona njerëzore më të brendshme dhe kapërcimi ndërsa kuptojmë zërat në kokat tona, janë gjëra nga të cilat jo vetëm kemi disa përfitime, por që lidhen gjithashtu me filozofinë. Por, shumë njerëz sot priren t’i shmangin diskutimet filozofike, kryesisht sepse i mendojnë si shumë sfiduese apo akademike. Të gjithë mendojmë se filozofia është e kufizuar për sallat e mëdha të leksioneve akademike, ku një burrë i moshuar me mjekër kërkon ese prej pesë mijë fjalësh. Në një farë mënyre, shoqëria  na ka kushtëzuar shumicën prej nesh të shpërfillim ose edhe ta kemi frikë filozofinë, pasi një pjesë e madhe e saj duket vuajtje.

E megjithatë, studimi i filozofisë nuk është aq akademik apo i ndërlikuar sa mund të mendohet. Filozofët më të mëdhenj të historisë nuk ishin asfare tipa akademikë, por e jetonin jetën dhe vendosnin shembuj,  që i shkruanin më pas. Praktike dhe e aplikueshme siç është, kushdo mundet ta kuptojë filozofinë e paraardhësve tanë. Po ju sjellim 11 librat e filozofisë që u kanë dhënë formë shoqërive, po aq edhe kulturave njerëzore.

1.Etika e Aristotelit

Pyetje kryesore e Aristotelit tek Etika është: Cila është më e mira për një qenie njerëzore? Përgjigja që jep është lumturia, jo si diçka që ndiejmë, por si një lloj i veçantë i jetës së mirë. Lumturia përbëhet nga disa aktivitete në të cilat qeniet njerëzore përdorin aftësitë më të mira si ato që kontribuojnë në lulëzimin e tyre si anëtarë të komunitetit, ashtu edhe ato që i lejojnë të angazhohen në mendime të perëndishme.

2.Republika e Platonit

Një nga veprat më të rëndësishme në filozofi dhe teorinë politike që është prodhuar ndonjëherë, Republika, ka formuar mendimin perëndimor për mijëra vite dhe është ende po aq e rëndësishme sot, sa atëherë  kur Platoni e shkroi së pari në kohët e Greqisë së Lashtë. Është konsideruar gjerësisht si themeli i filozofisë Perëndimore. Republika, e cila vjen në formën e komunikimit mes filozofit grek, Sokratit, si edhe tre bashkëbiseduesve të tjerë, është në fakt një kërkim për nocionin e një komuniteti ideal dhe individit të patëmetë brenda tij.

3.Enkiridoni i Epitektit

Enkiridoni apo “manuali’ ka luajtur një rol thelbësor në lindjen e filozofisë moderne. Me t’u përkthyer në gjuhët e të folurit të përditshëm, u bë menjëherë shumë i shitur mes disa intelektualëve të pavarur, si edhe mendimtarëve kundërshtarë  të krishterimit  dhe filozofëve të një kaste subjektive. Gjithashtu është studiuar dhe cituar gjerësisht nga filozofë skocezë si

Francis Hutcheson, Adam Smith, si edhe Adam Ferguson.

4. i Huaji i Albert Kamysë

Ky libër është një nga tekstet që mbolli farën e  ekzistencializmit dhe letërsisë së shekullit të 20-të në përgjithësi, të paktën në kontekstin e historisë dhe kulturës franceze dhe franko-algjeriane. Përmes historisë së një burri tipik i tërhequr padashur drejt një vrasjeje pa kuptim në një plazh algjerian, Albert Kamy ka eksploruar lakuriqësinë e njeriut që ballafaqohet me absurdin.

5.Një bisedë mbi pabarazinë, Zhan Zhak Ruso

Në këtë libër, Rusoi vendos të tregojë sesi rritja e qytetërimit korrupton lumturinë natyrore dhe lirinë e njerëzve, duke çuar në pabarazi artificiale të pasurisë, si edhe të pushtetit dhe të privilegjit social. Duke argumentuar se njeriu primitiv ishte i barabartë me të ngjashmit e tij, autori mbështet se për shkak se shoqëritë u bënë më të sofistikuara, anëtarët më të fortë dhe më inteligjentë të komunitetit, fituan përparësinë e panatyrshme mbi sivëllezërit e tyre. Argumentet politike dhe sociale të Rusoit në “Bisedë mbi Pabarazinë” ishin denoncime me ndikim të madh të kushteve sociale të kohës së tij dhe mes dokumenteve më revolucionare të shekullit të 18 –të.

6. Kandidi, Volteri

Personazhi kryesor në këtë libër, i quajtur Kandid, jetonte një jetë të thjeshtë dhe të mbrojtur në më të mirën e të gjithë botëve të mundshme. Megjithatë, kur ai ra na dashuri me gruan e gabuar, vajzën më të vogël të të ungjit, ai u dëbua nga kështjella e baronit dhe vuajtur tragjedi dhe katastrofa të mëdha, që e lanë të zhgënjyer dhe në dyshim mbi mirësinë e universit. Shkruar në vetëm tri ditë dhe botuar fshehtas, satira legjendare e Volterit tejshpon naivitetin fetar, romantik dhe politik me një athtësi dhe mprehtësi vulgare, që shijon sot e kësaj dite.

7. Fausti i Gëtes

Fausti është klasik i botës së letërsisë dhe një dramë filozofike dhe poetike, e mbushur plot me satirë, ironi, si edhe humor dhe tragjedi. Dr. Fausti, personazhi kryesor i librit, ishte një studiues brilant, i cili nënshkroi një kontratë me djallin, Mefistofelin. Djalli do të bënte gjithçka që Dr.Fausti i kërkonte duke i dhënë një çast të lavdishëm, që ai do të dëshironte të zgjaste përgjithmonë.

8. Fragmente, Herakliti

Nëse ky libër do të botohej sot, disa do të mendonin për të më pak si një libër filozofik dhe më shumë si një libër me poema të shkurtra. Teksti i Heraklitit është në fakt më poetik se të tjerët në këtë listë, por kjo nuk do të thotë se është më pak filozofik se të tjerët. Ky filozof ndan kuptimin e tij për botën,  me fjali të shkurtra dhe koncize. Ndërsa, disa prej tyre mund të kuptohen lehtë, të tjerat mund të jenë më abstrakte, me interpretime të ndryshme për secilin lexues.

9. Letra nga një stoik, Seneka

Në librin e Senekës, “Letra nga një Stoik”, lexojmë letrat që ai u shkroi shokëve;  figura me pushtet në Romën Antike. Këto letra na mësojnë rreth mësimeve praktike të stoicizmit. Vlerësimi i dhimbjes dhe i  mundimit, si edhe tolerimi i vështirësive, nëpër të cilat kalojmë në mënyrë që të praktikojmë virtytin tonë janë disa nga mësimet e rëndësishme të këtij libri.

10. Epikuri thelbësor, Epikuri

Ky është një nga filozofët dhe mësuesit më të famshëm të Greqisë së Lashtë, i cili është i njohur si themeluesi i shkollës Epikuraniste të filozofisë. Mendimi i tij zakonisht sillet rreth thjeshtësisë, duke hequr vogëlsitë dhe nuancat që mërzisin jetët tona dhe duke i shkurtuar në gjëra si miqësia, gëzimi, si edhe lumturia.

11. Natyra dhe Ese të Zgjedhura, Ralf Ualdo Emerson

Esetë e përzgjedhura të Emersonit kanë një mënyrë të mahnitshme të refuzojnë një lexues drejt lëvizjes. Shumë nga filozofia na çon të ulemi e të mendojmë, por Emersoni na jep zemër të veprojmë si edhe të bëjmë zgjedhje. Esetë e tij të zgjedhura e shtyjnë lexuesin të arrijë potencialin e vet dhe të bëjmë zgjedhjet më të mira të mundshme. Gjithashtu, esetë e tij kanë atë nxitjen amerikane për t’ia dalë mbanë dhe ngulmuar./ Ane Krstevska


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë