Ne rrjet

1080 viktima brenda ditës, Spanja nis të përzgjedhë pacientët

Spanja po përballet me një bilanc tragjik si Italia, pasi numri i viktimave nga koronavirusi ka shkuar në 7340. Mediat spanjolle raportojnë se 1080 persona humbën jetën në 24 orët e fundit.

Spanja regjistron tanimë më shumë se 85 mijë të infektuar, duke u bërë shteti i katërt në botë për numrin më të madh të të prekurve nga pandemia.

Pacientët në kujdesin intensiv e tejkaluan kapacitetin të dielën e 4,400 shtretërve, duke detyruar punonjësit e kujdesit shëndetësor që të vendosin se kush të trajtohet dhe kush jo. Sipas “El Pais”, përparësi kanë të rinjtë, fëmijët dhe gratë shtatzëna.

Shifrat tregojnë se numri i përditshëm i vdekjeve në Spanjë është dyfishuar që nga e diela e kaluar. Madridi është qyteti më i prekur nga koronavirusi, pasi numri i viktimave është shumë herë më i lartë në krahasim me qytetet e tjera.

Qeveria spanjolle i është bashkuar sot asaj italiane duke kërkuar që Europa të bëjë më shumë për të ndihmuar me pajisje mjekësore dhe paketa ekonomike.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, e përshkroi pandeminë e koronavirusit të dielën si "momentin më të vështirë për Bashkimin Europian që nga themelimi". “Ka ardhur koha për të vepruar si një Europë e vetme. Kontinenti është në rrezik ", tha ai.

Zëvendësministri i shëndetësisë i vendit, Pierpaolo Sileri, tha për “BBC” se priste që Spanja të arrinte kulmin e epidemisë brenda një jave ose pas 10 ditësh.

Spanja, Italia dhe Franca janë ndër gjashtë vendet që kanë kërkuar nga BE që të aktivizojë një instrument borxhit kolektiv, për të ndihmuar në financimin e një përgjigje të përbashkët ndaj pandemisë, por Holanda, Austria dhe Gjermania e kanë hedhur poshtë këtë kërkesë.

Në këto kushte, disa vende europiane i janë drejtuar Kinës, e cila është treguar e gatshme për dërgimin e pajisjeve mjekësore shumë të nevojshme, siç janë maskat ​​mbrojtëse dhe tamponë për testimin e virusit.

Në Spanjë, mbi 5000 pacientë janë në terapi intensive, ndërkohë që 16 mijë persona mësohet se jane shëruar.

Kryeministri Pedro Sanchez njoftoi se të gjithë punëtorët që nuk kanë lidhje me sektorin e shëndetësisë apo të policisë nuk do të shkojnë në punë, por do të marrin pagat e tyre të zakonshme.

Fernando Simón, kreu i qendrës spanjolle për emergjencat shëndetësore, tha se ashtu në Itali, edhe në Spanjë problemi më i madh ishte mbingarkimi i njësive të kujdesit intensiv.

Simón argumenton se duhet të kalojë më shumë kohë para se izolimi të fillojë të ketë një ndikim.

“Ditët më të vështira po vijnë, duhet të ndërgjegjësohemi. Ne kemi nevojë të shtojmë masat kufizuese përpara se të jetë shumë vonë” tha ai.

Ashtu si në Itali, mjekët dhe infermierët që punojnë në rajonet më të prekura kanë kërkuar pajisje dhe staf shtesë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë