100 ditë nga zgjedhjet e 25 prillit, kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë një nismë të re, për të publikuar deri atë ditë, 100 arritje në katër vite.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Edi Rama njoftoi se gjatë këtyre 100 ditëve do të publikoje çdo ditë nga një arritje të këtyre 4 viteve qeverisje të mandatit të dytë.
Ajo që vihet re është mesazhi i tij; “S’ka kohë për pushim”.
Prej kohësh Rama ‘‘ka pushtuar” rrjetet sociale duke publikuar pa pushim video, foto kryesisht për ngjarjet më të rëndësishme të vitit që lamë pas, si tërmeti dhe pandemia. Rama vijon të postojë shkolla dhe shtëpi të rindërtuara nga tërmeti, diku duke proklamuar ndonjë investim të ri, diku duke shkelur në rrugë të shtruara gjatë kohës së qeverisë së tij, më pas video me kushtet spitalore kryesisht në Tiranë, investimet sipas tij në mjekësi, masat që janë marrë në kushtet e pandemisë, për të kaluar tek postimet e ditëve të fundit me përmbytjet, duke u fokusuar edhe aty tek fakti se situata sivjet (ndryshe nga moti) ishte shumë herë më e mirë se ajo e vitit 2010 pas ndërhyrjeve që qeveria kishte bërë ne terren dhe për të kaluar sërish tek vaksinimi për ta kthyer këtë objektiv deri edhe në një sfidë personale, ku disa herë ka lënë të kuptohet qartë se mundësimi i vaksinës në vend është arritje e tij personale.
Në anën tjetër, PD-ja prej kohësh trumbeton mesazhin “Koha për ndryshim”. Kryetari i opozitës Lulzim Basha nxjerr video përditë se si Rama sipas tij nuk ka mbajtur premtimet, duke ballafaquar ato që kryeministri ka thënë qysh në vitin 2013. Basha nxjerr një tjetër panoramë duke u fokusuar kryesisht tek rënia ekonomike, pasojat e pandemisë, papunësia, tenderat, koncesionet, shpopullimi për të dalë tek ajo që më shumë gjasë do të jetë edhe slogani i PD-së se është “koha për ndryshim”
A do të jenë këto dy mesazhe edhe sloganet e dy forcave kryesore politike ditëve në vijim? Kjo pritet të kuptohet shpejt....
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.