Futboll

10 mln euro për Strakoshën me shokë, Lotito vendos shpërblimin e titullit

Tani te Lacio janë më të qetë, pas vendimit zyrtar për përfundimin e pjesës së mbetur të Serisë A në fushë. Lotito dhe Tare kanë qenë mjaft kritikë kohët e fundit, kur diskutohej për rifillimin e kampionatit. Ata donin me çdo kusht që ndeshjet të luhen, sepse Lacio është 1 pikë pas Juventusit kryesues dhe ka shanse reale për titullin kampion në Serinë A.

Dhe për ta motivuar edhe më shumë skuadrën, presidenti Klaudio Lotito ka përcaktuar shifrën e shpërblimit që futbollistët do të përfitojnë, nëse shkojnë të parët në finish. 10 milionë euro është shuma që Lotito ka vendosur në dispozicion të ekipit për fitimin e titullit. Kështu, Strakoshës dhe shokëve të tij do t’u takojnë 400 mijë euro për kokë, një shumë e konsiderueshme që me siguri do t’i karikojë më tepër në fushë ata.

Lacio feston me trofeun e Superkupës të Italisë. Gazeta Si, 29 maj 2020

Lotito ia kishte bërë të ditur skuadrës se kishte në plan të vendoste një shpërblim për titullin. Lajmi, siç është e lehtë të imagjinohet, është pritur me entuziazëm nga futbollistët e ekipit bardhekaltër. Tani pritet data 3 qershor, kur kthehet kapiteni Senad Luliç dhe më pas do të depozitohet gjithçka në Ligë, siç e kërkon procedura. Lacio është vetëm 1 pikë pas Juventusit dhe ka siguruar një vend në Ligën e Kampionëve, që mund të konsiderohet një arritje, por tashmë Tare, Strakosha dhe gjithë të tjerët duan të bëhen pjesë e rëndësishme e klubit italian, duke fituar edhe titullin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë