Rreth 10 mijë banorë të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar, dy muaj e gjysmë pas fatkeqësisë ndodhen ende të strehuar nëpër çadra. Kjo është shifra që bëri publike këtë të mërkurë, ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj në mbledhjen e katërt të Komitetit të Rindërtimit.
Shifra është rritur pas vendimit të disa bashkive për të mos rinovuar më kontratat me hotelet ku ishin strehuar një pjesë e këtyre banorëve, si në rastin e banorëve të zonave rurale të Laçit dhe të Lezhës, që ishin strehuar në Shëngjin.
Sa u takon dëmeve, Ahmetaj bëri një bilanc të godinave të inspektuara dhe rivlerësuar thellësisht.
"Janë 357 pallate të inspektuara thellësisht, 115 janë për t'u shembur që do të bëhen në prezencë të disa institucioneve dhe 242 për t'i rikonstruktuar. Janë 1523 shtëpi private për t'u shembur. Në shkolla 79 të inspektuara, 62 për t'u rikonstruktuar. 10023 qytetarë vijojnë të jenë nëpër çadra. Janë 12 mijë familje që përfitojnë nga bonusi i qirave. Janë dhënë 1455 leje me procedurë të përshpejtuar”, tha Ahmetaj.
Ministri i Rindërtimit kujtoi gjithashtu se aplikimi i qytetarëve të prekur nga tërmeti për t’u rindërtuar shtëpitë, apo për nevoja të tjera duhet të bëhet me patjetër në platformën online që Qeveria ka ngritur për këtë çështje, si një domosdoshmëri ligjore.
Kryeministri Edi Rama tha se planet e rindërtimit do të nisin më shpejt në Thumanë, Laç dhe Shijak, ndërsa njoftoi se janë konfirmuar edhe modelet e banesave individuale. Këto shtëpi do të rindërtohen mbi një bazament betoni, struktura metalike dhe muret përbërëse me material të parafabrikuar, pra nuk do të ketë tulla, llaç dhe beton përveç bazamentit të tyre.
Ahmetaj sqaroi se modelet e shtëpive që do të ndërtohen të të prekurve nga tërmeti do të kenë elementë antisizmike dhe do jenë e modelit 1+1 dhe 2+1.
Megjithatë, përfaqësues të fondacioneve që kanë grumbulluar sasi të konsiderueshme parash ngritën disa shqetësime. Gazetari Marin Mema, që në këtë tryezë përfaqëson fondacionin “Rrënjë Shqiptare” ngriti shqetësimin materialet e ndërtimit që po përdoren për të rindërtuar banesat e prekura nga tërmeti po paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar, megjithëse në mbledhjen e fundit të Komitetit të Rindërtimit u premtua heqja e TVSH për këto materiale.
“Shqetësimi që kemi hasur në procesin e rindërtimit, një nga elementët që kemi problem është çështja e TVSH-së, që u deklarua se do të hiqej në mbledhjen e fundit të Komitetit të Rindërtimit, por sot nuk është hequr akoma dhe ne e kemi këtë problem madhor, duke patur parasyh që për 3 javë ne do të dorëzojmë 4 shtëpitë e para dhe për çdo katër shtëpi, 1 e merr shteti me TVSH-në”, tha ai.
Kryeministri Edi Rama tha se nuk ishte në dijeni të kësaj problematike dhe ja delegoi përgjigjen Arben Ahmetajt. Ky i fundit deklaroi se në dhjetor është miratuar ligji, por pengesë ka qenë koha që i është dashur Ministrisë së Financave për hartimin e VKM-së. Ahmetaj tha se VKM është gati dhe ajo do të kalojë në mbledhjen e radhës të Qeverisë.
Megjithatë, Marin Mema ngriti dyshime, duke thënë se një muaj e gjysmë kohë duhet të ishte e mjaftueshme për ta nxjerrë këtë VKM. Mema propozoi gjithashtu që në Ishëm banesat e shpërndara të grumbullohen në një qendër. Kjo, sipas tij, do të shtonte potencialin turistik që ka zona.
Por, Kryeministri Edi Rama qortoi Memën dhe fondacionin që ai përfaqëson se përse kishte nisur punën për rindërtimin para të tjerëve dhe nuk ka pritur miratimin e modeleve dhe parametrave që do të përdoren për rindërtimin e banesave individuale.
“Këtë nisjen përpara nuk e përshëndes, sepse këtu nuk është çështja kush niset përpara. Nisja përpara është rruga e shkurtër që bie për gjatë. Modelet që ne kemi miratuar janë modele që kanë parametra të nevojshme dhe duke u koordinuar së bashku të kemi një sasi të mëdhe dhe përfitim të përbashkët që të bëjmë më shumë shtëpi”, tha ai.
Mema u përgjigj se ndërhyrja për të rindërtuar shtëpitë ka qenë për raste specifike për njerëz e familje që e kanë patur më shumë nevojë.
Ndërkohë, Elvis Naçi i fondacionit “Firdeus” përcolli shqetësimin e banorëve të Thumanës mbi cilësinë e modeleve të shtëpive të miratuara nga Qeveria. Përgjigjen e mori nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti. Ajo tha se banesat janë brenda normave të sigurisë, që nga ana antisizmike dhe antizjarr dhe me kushte për metër katror më të mira se banesat që u janë shembur banorëve të prekur nga tërmeti.
“Sado mund të jenë parafabrikat janë rezistente dhe me materiale të certifikuara. Ne kemi parashikuar edhe bojërat që do të përdoren për lyerjen e tyre. Çdo gjë është kryer në parashikimin për standarde më të larta jetese”, tha ajo.
Kryeministri Edi Rama ndërhyu duke e prekur këtë çështje. Si shembull ai kujtoi një bisedë me ministrin turk të Planifikimit Urban, Murat Kurum dhe thumboi Marin Memën.
“Për ta mbyllur me një diskutim që pata me ministrin e Turqisë. Më tha këtë gjë: kemi edhe ne të njëjtin debat, por kur bien tërmetet nisen që të shkojnë gjithmonë drejt këtyre shtëpive. Por sa harrojnë tërmetin nisen sërish drejt tullave dhe llaçit. Janë godina më efikase, sesa godina të ndërtuara me tulla dhe llaç. Godina në tërësi me kushte banimi normale, nuk flasim për çudira të natyrave të tjera. Nuk besoj që ky do të jetë problem. Ajo që na duhet është të fillojë puna një orë e më parë që të kapim Marinin”, u shpreh Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.