Lajme

1 mln euro për fermën e Universitetit Bujqësor

Universiteti Bujqësor i Tiranës do të ketë për herë të parë Fermën e vetë prej 135 hektarësh.

Kjo falë një fondi prej 1 mln euro për të cilin Qeveria ka marrë vendim të mërkurën gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

"Ferma me sipërfaqe 135 Ha është një sipërmarrje që bëhet për herë të parë në vendin tonë. Ajo përfshin ngritjen e infrastrukturës didaktike trainuese dhe demonstruese, sistemimin e tokës dhe reahabilitimin e sistemit të ujitjes, rritjen e mekanizimit, mbarështimin e kafshëve dhe krijimin e koleksioneve të bimëve. Ajo do të shërbejë gjithashtu si një qendër kërkimore për pedagogët, për praktikat mësimore të studentëve dhe për trajnimin e specialistëve të bujqësisë”- është shprehur Ministri i Bujqësisë Bledi Çuçi pas marrjes së vendimit.

Ai sqaroi më tej se Ferma e Universitetit Bujqësor të Tiranës do të jetë gjithashtu edhe një atraksion për turistët, sidomos pjesa e kopshtit zoologjik me kafshët e buta.

“Ngritja e kësaj ferme do të jetë për Universitetin Bujqësor të Tiranës edhe një formë alternative për të siguruar të ardhura për vetë universitetin", tha ministri Çuçi.

Ministri shpjegoi mandej se ekspertiza e Universitetit Bujqësor do të përdoret nga Ministria e Bujqëisë si shërbim konsulence për të hartuar politika dhe projekte në fushën e bujqësisë, zhvillimit rural, sigurisë ushqimore, peshkimit dhe veterinarisë.

Çuçi vlerësoi se Universiteti Bujqësor mbetet një pol i rëndësishëm i kërkimit shkencor dhe i ka të gjitha kapacitetet për t’i shërbyer nevojave të vendit në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë