Politike

Vija e kuqe tek “Astiri”

Mentor Kasa - Prej disa ditësh, banorët e vendosur në krah të segmentit të Unazës së Re nga Shkolla Teknologjike tek sheshi Shqiponja protestojnë për të kundërshtuar planin e qeverisë që prish mbi 300 ndërtesa, shtëpi e biznese për të ndërtuar rrugët dytësore. Në portretet e tyre dallohet lehtësisht zemërimi dhe zhgënjimi me klasën politike.

Në krah të protestuesve para Bashkisë së Tiranës, të martën u shfaqën edhe këshilltarë të opozitës, ndaj për mazhorancën, kjo protestë ka në shtysë politike.

“Jam i bindur që ka edhe shtysë politike. Janë presione që nuk të çojnë asgjëkund. Ajo që duhet të bëjmë është të gjejmë një zgjidhje”. Kështu deklaroi të hënën në emisionin Open në Top Channel ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, duke komentuar protestën e banorëve të zonës së Unazës së Re, të cilët preken nga ndërtimi i rrugës.

Shtysa politike vërtetë mund të ekzistojë, por në terren për banorët që po luftojnë me kohën në përpjekje për të shpëtuar shtëpitë e tyre ka pak rëndësi. Që prej nisjes së protestave, fillimisht me bllokimin e rrugës, shumë prej tyre deklaronin se kishin votuar këtë qeveri dhe një prej arsyeve se përse e kishin bërë këtë ishin pikërisht shtëpitë.

Në 2013, PS premtoi legalizime falas dhe në qendrën e votimit, që përfshin banorët e prekur më fort nga vija e rrugës sot, socialistët kanë marrë rreth 70 për qind të votave. Ky nivel votimi për ta u konfirmua edhe në zgjedhjet lokale të 2015, ndërsa në zgjedhjet e 2017 Partia Socialiste ka marrë 59 për qind të votave në QV-në nr.1538.

“Na premtuan legalizime falas dhe i votuam. Tani jo legalizimet nuk na i dhanë, por duan edhe të na shembin shtëpitë”, thotë një banorë për Gazetën Si.

Një prej arsyeve se përse janë votuar socialistët në këtë zonë ka qenë edhe premtimi jo vetëm për t’u legalizuar banesat, por edhe për t’ua bërë këtë proces falas. E dyta nuk ndodhi, por as e para jo e jo. Nga një vështrim i thjeshtë në terren e kupton se ata që bënin këto premtime e dinin fare mirë se këto ndërtesa nuk do të legalizoheshin, sepse në anën tjetër të rrugës, pallatet e ndërtuara kishin ruajtur një distancë të konsiderueshme. Sigurisht, ndërtuesit e pallateve ishin në dijeni të planit dhe nuk guxuan të shkelnin vijën e kuqe.

Vija ku kalon projekti qe shemb 317 banesa e biznese nga Shkolla Teknologjike tek Sheshi Shqiponja

Para disa ditësh, Lulzim Basha fill pas kthimit nga takimi i Partive Popullore Europiane në Helsinki u ndal në një takim me këta banorë. Ai e cilësoi tragjedi vendimin e qeverisë.

“Është fati i mbi 2 mijë banorëve të cilëve e keqja ju ka trokitur në derë. E kam ndjekur përmes rrjeteve sociale dhe deputetëve të mi. Jam ndjerë i tronditur, por jo aq sa sot kur u ballafaqova me dramën e këtyre njerëzve. Po persekutohen dhe vihen në një presion të madh psikologjik. Mos prisni t’ju vijë e keqja në pragun e shtëpisë ejani këtu. Mbështesni këta banorë”, u tha ai.

Por, vetë Lulzim Basha ka qenë ministër i Transportit dhe Punëve Publike i Partisë Demokratike nga 2005 deri në vitin 2007, kohë kur një pjesë e madhe e banorëve që sot ceken nga rruga ishin vendosur prej vitesh aty.

Sipas dëshmive të banorëve, në këtë periudhë një pjesë e tyre kanë nisur aplikimet për legalizimin e banesave dhe bizneseve të tyre. Një dekadë më vonë, shumë pak janë ata që e kanë marrë dokumentacionin përfundimtar, edhe pse zgjedhje pas zgjedhjesh u përsëritej i njëjti premtim.

Dalja në krah me protestuesit e opozitës ka bindur edhe kryebashkiakun Erion Veliaj se protesta po shfrytëzohet nga rivalët e tij për kapital politik në prag të zgjedhjeve vendore të vitit të ardhshëm. Pavarësisht kësaj, Veliaj u shpreh i bindur se projekti do të realizohet. Ai thotë se ndërtimi i këtij aksi është jetik për të rregulluar trafikun në Tiranë.

“99 për qind e njerëzve duan që qyteti të zhvillohet. Shumica e qytetarëve duan që Unaza e Re të bëhet. Edhe për bulevardin e ri ishte e njëjta parti, shpellarë, që shkatërrojnë. Është i njëjti film që e kemi parë dhe ky film përfundon me fitoren e qytetit, të njerëzve të mirë, që duan rendin dhe nuk kanë zaptuar, nuk shqyejnë dhe nuk vijnë nga shpellat”, deklaroi ai.

Tani, banorët ndjehen të përdorur nga politika dhe thonë se në çdo fushatë elektorale atyre u është premtuar legalizimi i ndërtesave të tyre në bllok. Ata akuzojnë se legalizimet kanë qenë selektive dhe ndjehen të tradhtuar.

Ministri i Infrastruktures, Damian Gjiknuri. Foto LSA

“Ndryshe nga PD ne kemi menduar një zgjidhje për personat që nuk shpronësohen. Ne kemi menduar që për të gjithë banorët që do u preken banesat, do të trajtohen me bonuse për qiranë për disa vite. Ne do ta çojmë deri në 3 vjet. Ne do t’i japin 3 vjet qira këtyre banorëve, të cilët më pas do të trajtohen si të pastrehë dhe do të marrin kredi të buta për banesa. Ky projekt është i rëndësishëm dhe ne nuk do të lëmë asnjë banor në rrugë”, deklaroi ministri Gjiknuri në intervistën e dhënë për “Open”.

Për këtë propozim të qeverisë banorët janë vënë në dijeni, por nuk pajtohen me të. Për pjesën më të madhe të tyre aksioni u shemb mundin e djersën e një jetë të tërë. Kjo ofertë e Gjiknurit vlen për ata që nuk kanë legalizimet, por edhe ata që zotërojnë dokumentacionin e plotë akuzojnë se procesi nuk ka transparencë dhe se vlerësimet po bëhen me cmime qesharake. Vija e kuqe prek 317 ndërtesa në total. Banorët hedhin dyshime se pas projektit të rrugës fshihen qëllime të tjera.

Gëzimi ka marrë me qira katin e parë të një shtëpie dykatëshe, të cilin e ka përshtatur si gomisteri. Në katin e dytë banon pronari. “Këtij i prek gjysmën e shtëpisë”, na thotë ai duke treguar me gisht shenjimin me bojë të kuqe të vendosur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. I zoti i ndërtesës nuk ndodhet në shtëpi, por as protestës para Bashkisë së Tiranës na thonë që nuk i është bashkuar. Megjithatë, ne na konfirmojnë se ai është në bisedime me një “ndërtues të fuqishëm”.

Tek pemët dhe shtyllat përgjatë gjithë gjurmëve të rrugës sheh të ngjitura fletushka që bëjnë thirrje për protestë. “Qytetarë, mbroni shtëpitë tuaja! Protestoni për të drejtat tuaja! Mos lejoni që t’ju shkelin pa të drejtë”, lexohet në to.

Fletushkat me thirrjen per proteste te shperndara ne pergjate rruges se Unazes se Re

Këtij kushtrimi për protestë nuk u janë bashkuar të gjithë banorët. Disa e prisnin këtë ditë, të tjerë nuk janë dakort, por shprehen pesimistë se protesta dhe kundërshtimi do t’u zgjidhë hallet. “Loja” me legalizimet për ta zgjat prej vitesh.

“Kanë ardhur para 3-4 javësh ca vetë. Seç bënë ca matje dhe as na thanë se përse u duheshin. Askush nuk na ka pritur, askush nuk na ka sqaruar dhe vetëm sa na kanë sqaruar gojarisht se do na prishen shtëpitë”, tregojnë banorët që i kanë legalizuar ndërtimet e tyre.

Ata që kanë marrë legalizimet janë të paktë. Pjesa më e madhe e këtij grupi e ka marrë dokumentacionin e plotë në vitet elektorale 2015 dhe 2017. Projekti i zgjerimit të rrugës është i hershëm. Problematika më e madhe haset në krahun e brendshëm të Unazës së Madhe, pra në aksin nga mbikalimi tek Shkolla Teknologjike e deri tek sheshi “Shqiponja”, që ka qenë dikur edhe vija e verdhë, ku para ndarjes së re administrative ishte kufiri mes Bashkisë së Tiranës dhe ish-Komunës së Kasharit. Përgjithësisht, distanca është respektuar në kahun tjetër të rrugës, që dikur ishte në juridiksionin e Komunës së Kasharit.

Pallat ne ndertim e siper, qe ka respektuar distancen e projektit me rrugen kryesore

Kjo s’është hera e parë që në kuadër të këtij aksi prishen banesa dhe biznese. Një pjesë e tyre u sheshua kur u ndërtua mbikalimi tek Shkolla Teknologjike, por jo në këto përmasa. Në atë kohë u prishën kryesisht biznese dhe vetëm tre banesa.

Banorët na thonë se nuk e prisnin që shembja të hynte kaq thellë dhe hedhin dyshime se projekti fillestar është ndryshuar për llogari të kompanive ndërtuese, që kanë nisur të lëvizin në zonë për të ndërtuar pallate. Pjesa më e madhe e tyre kërkojnë që protesta të mos politizohet, por miratojnë në heshtje akuzat e hedhura nga Partia Demokratike për projektin në fjalë.

Edhe për shkak të gjatësisë së shtrirjes dhe zonave ku kalon, projekti i Unazës së Madhe ka hasur problematika të ngjashme edhe në të shkuarën. Dy vite më parë u zhvendos komuniteti Rom në Selitë dhe po ashtu edhe protesat e banorëve në zonën e Shkozës që u prisheshin banesat, edhe pse me dokumentacion të rregullt u shpërfillën.

Por, një situatë e ngjashme ka ndodhur edhe me zgjatimin e Bulevardit të Madh. Banorët e ish-stacionit të Trenit kundërshtuan nivelin e dëmshpërblimeve të përcaktuara. Për ditë me radhë ata protestuan dhe u përleshën me policinë duke kërkuar që dëmshpërblimet t’u llogariteshin me çmimet e tregut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë