Libra

Ish-drejtori i FBI: Si duhet të jetë një lider etik

Republikanët donin të siguroheshin që rusët nuk e kishin zgjedhur Donald Trampin. Demokratët, ende të tronditur nga rezultati i zgjedhjeve të disa javëve më parë, kërkonin të kundërtën. Ishte e vështirë që të gjenin terren të përbashkët. Të krijohej përshtypja sikur ndodheshe në një darkë familjare të Falënderimeve, e cila organizohet pas  lëshimit të një urdhri nga gjykata...

Tabloja duket e ngjashme edhe mijëra kilometra larg Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  Opozita shqiptare me pretendimin  se zgjedhjet e përgjithshme të 2017-ës janë vjedhur nga maxhoranca, pas daljes së përgjimeve të “Dosjes 339” – që e lidhin kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako me grupin kriminal Avdylaj dhe me vjedhje votash – mori vendimin të djegë mandatet e deputetëve dhe të përshkallëzojë protestat në vend.

Në librin e tij,  ish-drejtori  i FBI, James Comey “Me besnikërinë më të lartë- Të vërteta,  gënjeshtra dhe lidership”, tashmë  edhe në gjuhën shqipe, botuar nga “Minerva”, ndan përvojat e parrëfyera nga disa prej situatave më delikate të karrierës në dy dekadat e fundit të qeverisjes amerikane, duke eksploruar sesi ngjan një lidership i mirë dhe etik dhe sesi çon në vendime të menduara mirë. Udhëtimi i tij siguron një hyrje të paprecedentë në korridoret e pushtetit dhe një leksion të paharrueshëm se çfarë e bën një lider efektiv.

James Comey shërbeu si drejtor i FBI nga viti 2013 deri më 2017-ën,  i vendosur në detyrë nga presidenti Barack Obama. Më parë ai ka shërbyer si prokuror  federal për Distriktin Jugor të Nju Jorkut dhe zëvendës prokuror i përgjithshëm në administratën e presidentit George W. Bush. Nga hetimi i Mafias dhe  Martha Stewart, tek ndihma e ndryshimit të politikave të administratës Bush mbi torturat dhe vëzhgimin elektronik, mbikëqyrja e hetimit të e-mailit të Hillary Clinton-it si edhe lidhjes mes fushatës së Trump dhe Rusisë, Comey është përfshirë në disa prej rasteve dhe politikave më të rëndësishme në historinë e vonë. Comey, ose  siç e quan ai veten  “gjirafa e FBI”-së, një burrë i gjatë mbi dy metra e nis rrëfimin  tij, nga një takim i Kongresit, në lidhje me ndërhyrjen e rusëve në fushatën elektorale të vitit 2016.

FBI-ja - dhe unë në krye të saj - ishte zënë mes dy zjarreve. Në të vërtetë, nuk ishte diçka e re. Ishim përfshirë në këto zgjedhje që në korrik 2015, kur specialistët tanë me përvojë filluan një hetim kriminal për përdorimin e informacioneve të klasifikuara nga ana e Hillari Klintonit, në sistemin e saj personal të postës elektronike. Në atë kohë, përdorimi i termave të tilla si “hetim” dhe “kriminal” provokonte polemika shterpë. Pas një viti, në korrik 2016, nisëm një hetim për të përcaktuar nëse rusët kishin tentuar të ndikonin në zgjedhjet presidenciale, në dëm të Klintonit dhe në ndihmë të ardhjes në pushtet të Donald Trampit. 

“E kuptoj se mund të mendohet në mënyrë impulsive që çdo libër i bazuar në eksperiencat jetësore të autorit rrezikon të bjerë në kurthin e vetëkënaqësisë; prandaj i kam rezistuar për një kohë të gjatë shkrimit të një libri për veten time. Por ndryshova mendje për një arsye thelbësore: vendi ynë po kalon një periudhë të rrezikshme, në një mjedis politik ku kontestohen faktet bindëse, ku vihet në dyshim e vërteta thelbësore, ku gënjeshtra është shndërruar në normalitet, dhe ku sjellja e pamoralshme nuk bën më përshtypje, justifikohet ose vlerësohet”, shkruan Comey në parathënien e librit.

Sipas ish-drejtorit të Byrosë Federale të Investigimit, kjo nuk ndodh vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por është një tendencë shqetësuese, e cila ka infektuar institucionet kudo në botë - bordet e korporatave më të mëdha, redaksitë e lajmeve, kampuset universitare, industrinë e spektaklit, si edhe sportet profesioniste dhe olimpike. “Disa nga këta mashtrues, gënjeshtarë dhe manipulues janë përballur me drejtësinë. Të tjerë fshihen pas shfajësimeve, justifikimeve, dhe një prirjeje të paepur nga rrethi i tyre për të qenë shpërfillës, madje për të lejuar apo nxitur kësi sjelljesh të papranueshme”.Comey thotë se kjo është koha e duhur për të bërë një ekzaminim të etikës së pushtetit. “Duke qenë se nuk ekziston asnjë model i përkryer për të ofruar mësime të tilla, i bie që ndonjëri prej nesh të marrë përgjegjësinë për të hapur debate të kësaj natyre, si dhe për të sfiduar veten dhe udhëheqësit tanë për të arritur rezultate më të mira”.

Liderët etikë, sipas Comey-it, nuk iu shmangen kritikave dhe sidomos, autokritikave. Ata nuk kanë frikë të përballen me pyetje që mund t’i vënë në pozitë të vështirë. Madje, këto të fundit i mirëpresin. “Të gjithë njerëzit kanë të meta dhe unë kam shumë të tilla. Siç do të zbuloni në këtë libër, unë jam kokëfortë, sqimatar, shumë i sigurt në vetvete dhe i shtyrë nga egoja. Kam luftuar kundër këtyre prirjeve gjatë gjithë jetës. Shpeshherë, kthej kokën pas dhe i them vetes se në shumë raste do të kisha dashur të veproja ndryshe. Ndonjëherë, ndihem shumë i turpëruar për disa gjëra që kam bërë në të shkuarën”, pranon ai, duke shtuar se ata liderë që mendojnë se nuk gabojnë asnjëherë, që nuk vënë asnjëherë në dyshim gjykimet ose pikëpamjet e tyre, përbëjnë rrezik për institucionet dhe njerëzit që drejtojnë. Në disa raste, ata përbëjnë rrezik jo vetëm për vendin e tyre, por edhe për gjithë botën.

Liderët  e suksesshëm, thotë Comey, janë largpamës, me vlera që u rezistojnë kohës. Këto vlera mund të inspirohen nga një traditë fetare, nga një pikëpamje morale ose nga një bazë e qenësishme historike. “Liderët etikë zgjedhin besnikërinë më të lartë ndaj këtyre vlerave themelore, në vend të përfitimit të tyre vetjak”. Ai mendon se etika e pushtetit ka të bëjë gjithashtu me domethënien e së vërtetës për njerëzit dhe nevojën  për kuptim. “Ka të bëjë me ndërtimin e mjediseve profesionale, ku standardet janë të larta dhe frika është e pakët. Gjithë kjo lidhet me inkurajimin e një kulture, ku njerëzit ndihen të lirë t’u thonë të vërtetën të tjerëve, ndërkohë që kërkojnë përsosmëri tek vetvetja dhe tek të tjerët rreth tyre.”

James Comey

Në planin juridik, thotë ai, në qoftë se njerëzit nuk tregojnë të vërtetën, sistemi  gjyqësor nuk mund të funksionojë dhe shoqëria e bazuar mbi ligjin e së drejtës fillon të shpërbëhet. “Për sa i përket parimit të lidershipit, në qoftë se nuk tregojnë të vërtetën ose nuk ua vënë veshin të vërtetave që u thonë të tjerët, udhëheqësit e kanë të pamundur të marrin vendimet e duhura, nuk mund të përmirësohen dhe nuk do të arrijnë të krijojnë besim mes ndjekësve të tyre.”

 Udhëheqësit e pandershëm, thotë Comey,  ushtrojnë të njëjtin pushtet për të formuar një kulturë, duke demonstruar veti të tilla si mashtrimi, korrupsioni dhe dinakëria. Çfarë e dallon një lider të ndershëm nga një syresh,që gjendet rastësisht në një post të lartë, janë përkushtimi ndaj integritetit dhe besnikëria ndaj së vërtetës, thotë ish-drejtori i FBI-së, edhe pse sicc e sqaron në hyrje të librit, nuk merr përsipër t’u tregojë të tjerëve se cilat janë cilësitë e një lideri etik. “Kam kaluar shumë kohë duke menduar për titullin e këtij libri”, zbulon autori, duke thënë se titulli i erdhi në mendje gjatë një takimi të pazakontë në Shtëpinë e Bardhë, ku presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës i kërkoi që t’i  demonstronte  besnikërinë - ndaj atij, personalisht - duke anashkaluar detyrat e drejtor i Byrosë Federale së Hetimit (FBI) përkundrejt popullit amerikan.

Ish-drejtori i FBI, James Comey dhe presidenti i ShBA, Donald Trump

FBI-ja gjendej në një situatë të keqe, dhe e kishte të pashmangshme përballjen me këtë realitet. Ndonëse është pjesë e pushtetit ekzekutiv, FBI-ja duhet të jetë e ndarë nga jeta politike amerikane. Misioni i saj është zbulimi i së vërtetës. Për të përmbushur këtë mision, FBI-ja nuk mund të zgjedhë asnjë kamp, vetëm interesat e vendit. Sigurisht që punonjësit e FBI-së, si të gjithë qytetarët e tjerë, mund të kenë opinionet e tyre personale politike, por kur thirren në një sallë gjyqi apo dalin përpara Kongresit për të raportuar se çfarë kanë zbuluar, ata nuk mund të konsiderohen as republikanë, as demokratë, as pjesë e ndonjë klani. Përpara dyzet vitesh, Kongresi vendosi që drejtori i FBI-së të kishte mandat dhjetëvjeçar, me qëllim që ta përforconte këtë pavarësi. Por, në një kryeqytet dhe një vend, të ndarë nga konflikti mes partive politike, autonomia e FBI-së, e perceptuar si anormale dhe turbulluese, vihet vazhdimisht në provë. Profesionistët e agjencisë e mbajnë mbi supe këtë barrë të rëndë, pavarësisht se askush nuk dyshon në qëllimet e tyre të mira, në dobi të kombit.

“Titulli  nënkupton pikën kulmore të katër dekadave që kam kaluar në shërbim të ligjit, si duke kryer detyrat e prokurorit federal dhe këshilltarit ligjor të korporatave, si dhe duke punuar pranë tre presidentëve të ndryshëm amerikanë. Në të gjitha këto funksione, kam mësuar nga njerëzit rreth meje, dhe jam përpjekur t’u përçoj atyre me të cilët kam punuar, se ekziston besnikëri e lartë në çdo dimension të jetëve tona”, thotë Comey, ndërsa  shton se besnikëria më e lartë duhet t’u shërbejë vlerave më të rëndësishme, dhe kryesisht së vërtetës.

Comey duke dëshmuar mbi pretendimet e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e 2016-ës, në ShBA

Hodha sytë nga Greg Braueri, drejtori i sapoemëruar i Zyrës së Çështjeve me Kongresin në FBI. Por Greg Braueri nuk kishte parashikuar se do të gjendej në zemër të kësaj shtrëngate që shpërtheu vetëm pas rezultatit shokues të zgjedhjeve të vitit 2016. Kishte pak kohë që punonte në FBI, ndaj isha i shqetësuar se zallamahia dhe presioni i momentit, do të ndikonin negativisht në punën e tij. Bluaja me vete nëse papritmas ai do të hapte derën e makinës dhe do t’ia mbathte nga sytë këmbët. Në moshë më të re, do të më mjaftonin disa dëshmi nën betim përpara Kongresit dhe do të më shkonte në mendje e njëjta gjë.Ndërsa e vështroja, hamendësova se ai po mendonte të njëjtën gjë: çfarë kam bërë që përfundova në këtë pikë?

- Jemi zhytur në MUT, - shtova.  

Por ky moment nuk zgjati shumë: arritëm në Kapitol Hill, ku do të flisnim për Putinin, Trampin, dyshimet e hedhura për një marrëveshje të fshehtë mes tyre, dosje sekrete dhe kushedi çfarë tjetër.   Ishte thjesht episodi i radhës i tensionit të lartë në njërën nga periudhat më kaotike, më vendimtare, madje edhe më edukative të jetës sime - dhe, disa do të thoshin, të historisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Edhe një herë të tjetër, i bëra vetes të njëjtën pyetje: ç’dreqin kam bërë që përfundova në këtë pikë?

“Shpresoj që ky libër do t’i shtyjë lexuesit të reflektojnë për vlerat që i ushqejnë, dhe të përkrahin ata liderë që i mishërojnë këto vlera”, thotë Comey, duke tingëlluar edhe si një thirrje për lexuesit shqiptarë, që në situatën politike të këtyre ditëve në vend janë të paqartë për liderët që mishërojnë ato vlera, me të cilat ish-drejtori i Byrosë Federale të Hetimit skalit portretin e liderit etik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë