Art dhe Kulture

GKA-Restaurimi do të krijojë standarde botërore

Lajmi për rikonstruksionin dhe rikonceptimin e Galerisë Kombëtare të Arteve, u bë i ditur për publikun njëherazi me prezantimin e drejtorit të ri, Erzen Shkololli, në janar të vitit 2018. Por edhe pse ka kaluar një vit, ende nuk është bërë publik një projekt konkret. Drejtori i GKA-së rrëfen se po punohet për projektin e udhëhequr nga Ministra e Kulturës, por realizimi kërkon kohë.

“Çdo  restaurim i një ndërtese të vjetër me problemet që ka Galeria, si investim është shumë i madh se ndërtimi i një të reje. Duhet të kemi mirëkuptim dhe durim për mbledhjen e fondeve, që do të dedikohen për një ndërtesë të tillë”, thotë Shkololli. Ai thotë se një nga elementët e rëndësishëm është sistemimi dhe ruajtja e koleksionit të Galerisë Kombëtare të Arteve për gjeneratat e reja.

Megjithëse GKA pret të nisë rikonstruksionin, Shkololli thotë se kjo nuk e ka penguar atë të planifikojë programin artistik për tre vitet e ardhshëm. “Galeria duhet të ketë plane, edhe kur prezantohet plani i restaurimit. Detyra jonë është të punojmë si të mos ekzistonte kjo ide, derisa të prezantohet plani konkret”.Shkololli thotë se kur restaurimi do të nisë, Galeria, sëbashku me administratën do të lëvizin në një hapësirë alternative ku do të operojë me programin e saj. Ai ka thënë se duhet të ketë një plan të saktë edhe për transferimin e koleksionit, me nisjen e restaurimit.

Kur u ndërtua, Galeria u mendua më shumë si salla ekspozuese dhe jo si vend, ku konservohen veprat. Por  me mbledhjen e tyre,  ka lindur edhe  nevoja e ruajtjes. Më herët, koleksioni i veprave ruhej  jashtë Galerisë, më vonë u transferuan brenda godinës  dhe për këtë u mbyllën një pjesë e sallave, ku është siguruar fondi Galerisë. Duke qenë se teknikat për ruajtjen e veprave janë sofistikuar, me kohën, Shkololli thotë se po punohet edhe për krijimin e kushteve të reja për konservimin e veprave të artit. Sipas tij, restaurimi i godinës dhe përmirësimi i kushteve për ruajtjen e Fondit të Galerisë apo të hapësirave ekspozuese, do ta bëjnë shumë më të lehtë ardhjen e ekspozitave botërore.

 

Më Shumë