Art dhe Kulture

Erzen Shkololli thyhen heshtjen, tani flet për Galerinë Kombëtare të Arteve

Intervistoi Suadela Balliu – Gjatë një viti, prej marrjes së detyrës nga kryeministri Edi Rama, Drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve kishte zgjedhur të mos jepte asnjë intervistë rreth detyrës së re, backgroundit të tij artistik që e solli deri në Tiranë, vizionit por edhe punës konkrete në institucionin më të rëndësishëm shqiptar të arteve pamore. Shumë e quajtën të rezervuar, të tjerë edhe u irrituan, ndërsa përballë heshtjes së Erzen Shkolollit, i njohur më herët si drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës, për pyetje nëse do të realizohej ekspozita “Onufri” apo  se ç’do të bëhej me planin për rikonstruksion të Galerisë, prezantuar njëherazi me emrin e tij si drejtori i ri i GKA-së, i cili zëvendësonte kështu pararendësin, Artan Shabanin. Edhe kur bordi artistik i Galerisë Kombëtare të Arteve, doli në përfundimin se ekspozita ndërkombëtare e arteve pamore, e njohur si “Onufri”, tashmë nuk e luante më rolin për të cilin ishte krijuar në fundvitet ’90 dhe për këtë duhej mbyllur, sërish Shkololli zgjodhi të mos flasë më shumë sesa komunikata për shtyp.Në janar të 2019-ës, në 1 vjetorin e tij si drejtor i GKA-së, në pritje të nisjes së sezonit të ri artistik, me mbylljen e dy ekspozitave të çelura në muajt e fundit të vitit të kaluar- ajo e artistes kosovare Flaka Haliti dhe  gjermanes Ruth Wolf-Rehfeldt – Erzen Shkololli, i njohur më herët edhe si artist dhe kurator, vendos të japë intervistën e tij të parë dhe të flasë rreth arsyeve, që e mbajtën larg medieve, rreth  bilancit  të punës së bërë më 2018-ën, mbylljes së “Onufrit” dhe rikonceptimit të Galerisë Kombëtare të Arteve, në vizionin e tij.

Z.Shkololli, keni krijuar një imazh tek mediet, por edhe tek opinioni i gjerë si njeri i rezervuar. Erdhi momenti që vendosët të flisnit. Përse tani?

Mendoj se, vetëm tani mund të flasim për punën konkrete që është bërë. Nuk ka të bëjë me rezervim personal ndaj medies apo publikut, por më shumë me ardhjen prej një shteti në një tjetër. Kur vjen për të jetuar dhe punuar në një detyrë me shumë përgjegjësi –veç nderit që të besohet merr edhe shumë përgjegjësi.

Përse kishit zgjedhur të mos ishit i pranishëm në media për një vit, që prej marrjes së detyrës ?

. Unë kam ardhur më 23 janar të 2018-ës dhe ekspozitën e parë – të artistit Edi Hila –e kemi çelur më 24 maj. E gjithë kjo periudhë është përdorur vetëm për krijimin e kushteve optimale që kjo ekspozitë të vinte nga Muzeu i Varshavës.

Për të sjellë një ekspozite retrospektive si ajo e Edi Hilës, çfarë pune i është dashur GKA-së? Megjithëse artisti është shqiptar, koleksioni ka ardhur nga një muze i huaj si ai i Muzeut Modern të Varshavës, një muze prestigjioz duhet thënë…

Është e rëndësishme të shpjegohet kjo. Pavarësisht se ishim dakorduar se do të ishim partnerë për këtë ekspozitë me Muzeun e Varshavës dhe Koleksionin “Kontakt” të Vjenës – ishte e vetmja mundësi që mundi të realizohej – ekspozita ka pasur afro 75 huazime botërore, të koleksionistëve privatë, apo të muzeve të tjerë si “Pompidou”, Muzeu Bashkëkohor i Kaselit apo Bashkia e Parisit. Të gjitha këto huazime, fillimisht i mblodhi Muzeu i Varshavës, me mundësitë e veta dhe, në Galerinë Kombëtare të Arteve, erdhi si një kanal. Pavarësisht se Edi Hila është artist shqiptar që jeton dhe vepron në Tiranë, edhe punët që i kishte në atelie, shkuan në Varshavë. Pa bashkëpunimin e dy partnerëve, ekspozita ishte e pamundur të realizohej, sidomos në fazën që ishte Galeria atëherë.

Foto: Blerta Kambo

Në ç’kushte ishte Galeria? Po thoni se e rrezikonte ekspozitën? Duhet thënë se aty janë organizuar ekspozita gjatë gjithë kohës.

Për ne, ishte e domosdoshme të ofronim kushte të tjera optimale –pasi kjo punë e madhe u krye në Varshavë –së paku hapësira, arkitektura dhe përgatitja e saj për ekspozim. Kushdo që ka memorie të hapësirës, ku u ekspozua Edi Hila –tek salla e ekspozitave të përkohshme – e di se ndriçimi ishte jofunksional. Kur kam ardhur unë, rreth tetëdhjetë përqind e ndriçimit nuk punonte, kati i dytë ishte i paaksesueshëm. Është punuar me mund të madh për të arritur suksesin e ekspozitës për kushte si; hapësira, lagështia, temperatura, ndriçimi, aksesueshmëria e katit të dytë. Publiku shqiptar kishte harruar se ekziston një kat i dytë. Është bërë pastrimi i të gjitha materialeve që nuk ishin asgjësuar me vite të tëra, pasi nuk kishin më asnjë funksion në Galeri, për të arritur një nivel ku, hapësira duket optimale, e përdorshme, për një ekspozitë të tillë. Të mos flasim për sigurimin e veprave- u desh të rihuazoheshin nga Varshava në Tiranë. Muze si ai i Pompidou-së apo i Kaselit, dërgojnë korrierë për të parë nëse puna hapet apo jo dhe, këtë vendim e marrin ata në bazë të kushteve si temperatura, niveli i lagështisë, i ndriçimit… gjithçka që mund të rrezikojë veprën që ata kanë në pronësi. U desh të kaloheshin të gjithë këta hapa, që të arrihej realizimi i ekspozitës. Ka sërish probleme të vogla, që e bëjnë të mos jetë ende një muze i parametrave botërorë, por megjithatë kemi bërë punë të madhe që kjo të arrihet.

Këto punime brenda hapësirave të Galerisë, janë diçka rutinore. Dikush mund të thoshte se këto nuk janë as punë ekstra dhe aq më pak arritje e institucionit…

Atëherë shtrohet pyetja: Përse nuk është bërë? Kur më pyesin, “Cili është vizioni juaj dhe ç’do të arrini në katër vite?”,  mendoj se nga janari i shkuar në këtë janar jemi shumë më mirë. Shpresoj që çdo vit do të jetë më i lehtë se i fillimit. Deri në vitin e fundit shpresoj që do të funksionojë gjithçka siç duhet, që ai apo ajo që do ta marrë nën udhëheqje, të mos ketë nevojë të shkojë në secilën strukturë për ta futur në binarë, por do të vazhdojë punën me projekte shumë më të mëdha. Jo se ne nuk po bëjmë punë të mëdha, por po ia dalim me shumë vështirësi. Pasardhësi do të ketë punë shumë më të qetë. Mendoj se Galeria, për tre vitet e ardhshme, do të ndërtojë dinjitetin e vet, por edhe respektin ndaj publikut për atë që prezanton, si edhe cilësinë. Jo vetëm në nivelin lokal. Galeria po punon me hapa të sigurt që të jetë partner i besueshëm ndërkombëtar, ku ekspozitat me partnerë të tjerë botërorë –si  me Flaka Halitin dhe Edi Hilën – të jenë proces i njohjes së një institucioni si ky në Tiranë. Nuk është se GKA njihet ndërkombëtarisht dhe muzetë e huaj e dinë se ku po vijnë, çfarë do t’i presë dhe cilat janë kushtet. Është proces jo shumë i shpejtë. Duhet fituar besimi, që Galeria të bëjë emër të besueshëm ndërkombëtarisht, ku bashkëpunime të tilla, pas katër vitesh të jenë krejt të natyrshme. Dhe për mua, një arritje e tillë, të cilën po e mendojmë si GKA, do ta bënte këdo që do të udhëheqë më pas, të punonte i qetë.

Foto: Jetmir Idrizi

Çfarë ju bëri ta pranonit këtë detyrë dhe a keni pasur një dyzim, pasi erdhët dhe e patë GKA-në nga afër?

Ishte interesi, dëshira dhe besimi në institucionet publike si kjo. Në pozicionin tim si drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës por edhe tani, kam parë se këto institucione kanë nevojë për vizion të ri. Duke pasur një network, mendon si mund ta shfrytëzosh për vende si Kosova apo Shqipëria, të cilat kanë nevojë për këtë rrjet, ndihmë apo përvojë perëndimore. Sado problematika në të dy institucionet, mendoj se është sfidë e jashtëzakonshme. Është eksperiencë e vështirë, por që me pasion, dëshirë dhe dashuri mund t’ia dalësh. Ndryshimet do të hasin gjithmonë në mospajtim të skenës së artit. Ndryshimet nuk janë të lehta dhe kjo është mëse e kuptueshme. Nuk janë të lehta as për ata që i bëjnë e as për ta që i përjetojnë. Duhet një kohë për të kuptuar se cili është qëllimi dhe drejtimi dhe që, të jetë gjithmonë në dobi të tjetrit. Në rajonin ku jetojmë, sektori privat – sa i përket artit – nuk është aq i fortë. Nuk kemi koleksionistë të artit bashkëkohor, nuk kemi galeristë privatë, që marrin pjesë në panairet e rëndësishme botërore në botë dhe e ndihmojnë sistemin e artit edhe në aspektin ekonomik, sepse arti ka nevojë edhe për ekonominë e vet dhe sistemi duhet të jetë sa më i ndërlidhur me të gjithë zinxhirin; me institucionet publike, muzetë e artit bashkëkohor, me historianët dhe kuratorët, kritikët e artit dhe me artistët në majën e listës, sepse ky sistem funksionon për shkak të tyre. Këtu hyjnë koleksionistët, galeritë privatë që janë fitimprurëse, hyjnë hapësirat e pavarura dhe e gjithë kjo ndërton një sistem të mirëfilltë të artit. Nuk mund ta shfrytëzojmë këtë si viktimizim vetëm të Shqipërisë apo Kosovës, është aspekt i të gjithë Ballkanit Perëndimor.

Duket se ekziston ende mendësia, që me artin duhet të merret vetëm shteti.

Për mua kjo duhet të ndërrojë. Jo se nuk pajtohem me rolin kryesor të Galerisë, por sot ka hapësira shumë aktive, qoftë prej skenës së pavarur, qoftë hapësira të tjera që e luajnë rolin e tyre. Galeria, është e fokusuar dhe me një vizion të vetin, e cila filtron, por edhe i jep rëndësi institucionit dhe çfarë duhet të ketë, por pjesa tjetër e ka funksionin njëlloj të rëndësishëm. Kur dëgjoj që jeta artistike në Tiranë është varfëruar, nuk pajtohem. E kam përcjellë Tiranën që prej viteve 2000 dhe e di sesi ka ndryshuar.

A keni ju biseda apo bashkëpunime me galeritë private apo edhe me koleksionistë?

Ne kemi biseda, takime, por besoj se rolet tona janë të ndryshme dhe nuk mund të kemi influencë në rolin e njëri-tjetrit.

Më shumë doja të dija, nëse ndani shqetësime mbi artet pamore?

Shqetësime për artin ka dhe shyqyr që ka, sepse pa shqetësime nuk ka zhvillim të artit. Kjo shpërndarje e artit e bën skenën më aktive. Centralizimi asnjëherë nuk është pika më e dobishme për artin. Duhet që secili të marrë përgjegjësinë, jo të drejtojë gishtin. Shumë e kanë marrë këtë përgjegjësi; hapësirat që udhëhiqen nga artistë janë fenomen i njohur botëror dhe tani janë të pranishme edhe në Tiranë. Janë të formave të ndryshme; disa bëjnë biseda si “Harabeli”, “Bazamenti” ekspozon artistë të rinj, është “Zeta”, Galeria e Akademisë “Fab”, “Tirana Art lab” e shumë e shumë hapësira të tjera dhe, nuk do të duhet shumë kohë që secili të jetë i fokusuar në vizionin e vet se ç’do të ekspozojë në të ardhmen.

Mbase disa artistë e mendojnë Galerinë si kulmimin e afirmimit të punës së tyre; nëse ekspozohet në GKA, arti merr tjetër peshë apo rëndësi…

Mendoj se Galeria nuk guxon të mitizohet, por të respektohet për cilësinë që prezanton dhe të shihet si institucion kulminant për prezantimin e artistëve, ashtu edhe duhet parë. Nuk guxojmë të ndërtojmë mite. Galeria dhe secili institucion duhet të respektohet në bazë të cilësisë që prezanton. Jemi dëshmitarë të së kaluarës, por edhe në vendet e rajonit ka galeri dhe muze kombëtarë shumë të dobët dhe respekti nuk ekziston. E rëndësishme është të gjykohet në bazë të cilësisë së ekspozimit, çfarë përfaqëson si program, jo të emrit.

Ekspozita “Ruth Wolf-Rehfeldt: Kolazhe dhe Edicione

Me ndërtimin e këtij reputacioni apo respekti që përmendni, a ka pasur ndeshje apo pakënaqësi nga komuniteti i artistëve ndaj GKA-së dhe ndaj jush?

Mendoj se pakënaqësitë dhe ndeshjet janë të natyrshme të ndodhin. Nuk mendoj se institucione të tilla duhet të ndikohen nga emra apo individë të përveçëm, por kanë obligim të prezantojnë ide, program, artistë, të cilët do të jenë model për shoqërinë. Këtu ndalemi edhe në një pikë; galeri dhe institucione si ky nuk kanë vetëm një linjë të audiencës. Programi ynë nuk bëhet vetëm për fushën dhe linjën e artistëve. Jemi institucion publik, kombëtar që vizitohet nga i gjithë populli, i ofron program të gjithë Shqipërisë, jo vetëm Tiranës. Duke qenë i tillë, detyra kryesore e jona është të sjellim audiencën sa më afër artit, artistit dhe institucionit. Flas për audiencën e re, që nga kopshtet, shkollat, gjimnazet, studentët dhe qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë. Duhet që institucioni të jetë shumë më i hapur, se të merret me ndeshjet, kënaqësitë apo mënyrën sesi të tjerët e paramendojnë sesi duhet të jetë puna e Galerisë. Përgjegjësia duhet të jetë më e madhe se aq. Në këtë aspekt jemi shumë mirë dhe mendoj se çdo vit do të ndryshojë.

Kryeministri Edi Rama gjatë çeljes së ekspozitës së piktorit Edi Hila

Fakti që emërimi juaj është le të themi politik – nga kryeministri – e keni menduar se do të ishit i shënjestruar apo shigjetuar, edhe  nga grupe brenda rrethit artistik?

Kjo është një pikë e përcaktuar me ligj. Nuk është se unë jam emëruar nga kryeministri dhe të tjerët nuk janë emëruar nga kryeministri. Unë e marr punën si profesionist. Nuk provokohem prej idesë sesi kategorizohem dhe në ç’kuti më fusin. Kushdo që ka mendime të tilla, mendoj se pozicioni im është shumë i qartë dhe vjen me një ide të zhvillimit, me profesionalizëm dhe prapavijë të një pune, që është bërë më herët. Përzgjedhja e secilit drejtor besoj se duhet të bëhet me atë çka ka bërë më herët, me suksesin apo çka i ka sjellë një institucioni më herët. Nuk është punë e imja të flas çfarë kam bërë më herët. Në këtë pikë jam shumë i qetë, nuk kam asnjë pikë, në të cilën kisha dashur të ndalem e të sqaroj.

Vizioni juaj që Galeria të mos mbetet vetëm në skenën lokale, por të marrë emër edhe ndërkombëtarisht, është ambicioz për kushtet e Shqipërisë. E tentuat këtë me Kosovën, ku gjatë drejtimit tuaj u prezantua në Bienalen e Venecias dhe në “Documenta”. A është i njëjti vizion, që vjen si zgjatim deri këtu?

Jo nuk është i njëjti, nuk është provokative as si individ e as si drejtues të përcjell të njëjtën ide si në Kosovë. Është tjetër qasje. Është shtet tjetër, me rregulla të tjera, nevoja të tjera, informata të tjera. Edhe kjo qetësi e një viti, është një hulumtim për të kuptuar më mirë se cila është e kaluara, historia e Galerisë dhe cilat janë nevojat. Çfarë ka ardhur si informatë dhe çfarë nuk ka ardhur si informatë. Artistë të Ballkanit Perëndimor, sidomos nga Bosnja apo Kroacia, janë pak të njohur në Shqipëri. Për shkak të historisë. Përderisa njohuritë e mia për këtë rajon janë shumë më të gjera, mund të ofroj një dialog të skenave. Gjithmonë shoh nevojat dhe specifikat, duke provuar që këto specifika t’i shtyjmë deri në limitet më të larta.

A ju është dashur të përdorni njohjet tuaja për këto ambicie? Mos keni marrë një barrë personale?

Ideja është që institucioni të mos trajtohet si personal, por për të sjellë cilësinë, njohurinë, kontaktet dhe mundësitë që i ke si individ, është mëse e nevojshme. Jo vetëm për vendet tona, por edhe në botë institucioni është i suksesshëm me një drejtor apo drejtoreshë që ka një rrjet shumë të gjerë me njerëz dhe kontakte dhe shumë i pasuksesshëm me një tjetër, që mund të jetë fantastik, por që nuk sjell atë bagazh brenda institucionit. A është barrë? Gjithmonë është barrë, por është zgjedhje personale, nuk të detyron askush të futesh në një institucion. Kur flasim për ambicie, duhet të ekzistojë në nivel më të lartë të zhvillimit të institucionit. Në çdolloj institucioni, edhe nëse ka buxhete të mëdha, menaxhuesi duhet të ketë ambicie. Të mos flasim pastaj për institucione me probleme paraprake dhe që nuk gëzojnë emër ndërkombëtar për të qenë partner i rëndësishëm, për muzetë dhe galeritë botërore.

Ekspozita e artistes nga Kosova, Flaka Haliti. Foto: Gerta Xhaferraj

Nga përvoja –tani që edhe me Shqipërinë jeni njohur nga afër –sa ndryshojnë dy skenat tona, ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë?

Mendoj se e plotësojnë njëra-tjetrën. Është e rëndësishme kjo pikë; çfarë i mungon njërës, tjetra e ka. Dy skena me histori të ndryshme, por të hidhura, të dyja. Skena e Kosovës duke përjetuar luftën, që këtë vit shënon 20 vjetorin, ka dallimin në qasjen politike dhe traumën e luftës, të prezantimit para dhe pas dhe, me tranzicionin. Edhe skena këtu, vjen me traumën e kaluar më herët por edhe me prezantimin e tranzicionit, siç e shohim edhe tek Edi Hila. Edhe tek Flaka Haliti, që është shumë e lidhur me luftën dhe materialet e saj. Ka dallim, por mendoj që edhe kalendari i përbashkët kulturor, që nisi në vitin 2013, është hap i rëndësishëm për njohjen e të dy skenave, në nivelin shtetëror. Galeria Kombëtare e Kosovës, kur unë isha në detyrë, bashkëpunimet me Shqipërinë, në nivel zyrtar, i nisi me 100 vjetorin e Pavarësisë, me ekspozitën retrospektive të Ibrahim Kodrës. Por, edhe më përpara se të niste kalendari, përgatitëm ekspozitën e parë të Marubit, së bashku me Zef Pacin dhe Luçjan Bedenin, drejtori i Muzeut “Marubi”, atëkohë kur ende nuk kishte ndërtesë. Kujtoj që më 13 shkurt të 2013-ës, u nënshkrua marrëveshja e parë mes dy shteteve për kalendarin e përbashkët dhe me 14 shkurt patëm hapjen e ekspozitës “Marubi”, në Kosovë. Pastaj, ardhja e ekspozitës së Simon Shirokës më 2014-ën, ekspozita e Realizimit Socialist, më 2015-ën në Kosovë apo ardhja e ekspozitës së Flaka Halitit këtu, e ndihmojnë skenën, njohjen me njëri- tjetrin dhe historinë, përmes punës. Bashkëpunimet mes ministrive, por edhe skenës së pavarur, mendoj se e ndihmojnë komunikimin, njohjen dhe zhvillimin e përbashkët.

Në vizionin tuaj, si i keni menduar t’i bashkërendoni gjërat mes skenës së brendshme dhe ambicies për të prurë apo çuar artistë apo ekspozita jashtë?

Mendoj se detyra jonë esenciale është që, prezantimet dhe ekspozitat brenda GKA-së, të jenë për publikun dhe qytetarët shqiptarë. Mënyra tjetër sesi Galeria e ndihmon skenën në përgjithësi dhe e luan këtë rol, është me ardhjen e kuratorëve të ndryshëm, me të cilët Galeria punon në ekspozita të ndryshme. Ata ofrohen të takohen me artistë, pavarësisht nëse janë apo jo të ftuar për ekspozitën. Edhe ekspozita e Edi Hilës, shkoi në Varshavë, si rezultat i pjesëmarrjes në ekspozitën “Documenta”, në Athinë dhe Kasel e që pati vizibilitet të jashtëzakonshëm. “Documenta” është një nga ekspozitat më të mëdha botërore, që organizohet njëherë në pesë vjet dhe aty u prezantuan edhe 14 artistë nga koleksioni i Galerisë Kombëtare të Arteve. U ekspozuan edhe Sokol Beqiri, Lala Merdith Vula dhe Agim Çardarbashaj i ndjerë, nga Kosova. Ishte pjesëmarrja e parë shqiptare në historinë e ekspozitës “Documenta”, në 70 vite, ku i vetmi artist shqiptar që kishte marrë pjesë deri në ketë edicion ishte Anri Sala. Një pjesëmarrje, ku prania shqiptare ishte diku me 17 artistë. Pati vëmendje të madhe të skenës artistike botërore. Në po të njëjtin vit, kishte edhe pesë shqiptarë në Bienalen e Venecias –tre në ekspozitën e kuratorëve dhe dy në pavijonet e Kosovës dhe të Shqipërisë. Mendoj se të dy skenat duhet të jenë krenare për këtë moment. Kur prezantohesh në një ekspozitë kaq të madhe, me një numër të tillë pjesëmarrësish, kuratorët botërorë dhe muzetë bëhen kureshtarë. Ky moment duhet shfrytëzuar nga institucionet qendrore për ekspozita sa më të denja në të ardhmen, por edhe prej skenës së pavarur.

A mund të cilësohet ky moment si dalje nga izolimi i artit shqiptar?

Nuk mund të them që skena nuk ka dalë me individë, ka ndodhur shumë herë, por ka ndodhur në nivelin individual. Kanë ndihmuar, por e kanë bërë me forcat e tyre. Ky është një moment i ri që nuk duhet të humbasë.

A ka interes skena botërore e artit pikërisht për këtë lloj izolimi, për Realizimin Socialist?

Duhet të nisemi prej fakteve që kemi përjetuar. Reagimet që kemi parë në “Documenta”, kanë qenë jashtëzakonisht të mira. Janë befasuar me Realizmin Socialist që vjen prej Shqipërisë. Realizëm Socialist kanë të gjitha vendet e Lindjes, por ky është shumë më specifik. Ka interes për t’u parë dhe trajtuar. Po kujdesemi për këtë pjesë. Kemi nisur të punojmë me Linjën Muzeale dhe do të kemi bashkëpunime me njerëz të rëndësishëm, kuratorë botërorë, që të interpretojnë dhe hulumtojnë koleksionin e Galerisë, që shkon deri në 5 mijë vepra arti – shumica prej tyre nga Realizimi Socialist. Me distancën kohore tash, mendoj se është koleksion shumë politik , që tregon sesi në 50 vite, është punuar vetëm në një frymë. Kjo e tregon më së miri represionin. Në shumë prej vendeve të Lindjes ka ndryshuar me kohën. Kemi 5 mijë vepra në fondin e Galerisë dhe ka vepra që nuk e kanë parë kurrë dritën. Kemi një fond të jashtëzakonshëm të skulpturave dhe aktualisht nuk ka shumë të ekspozuara. Po merremi me rikonceptimin e linjës muzeale – përgatitjet kanë nisur që vjet dhe këtë vit fillon puna praktike. Do të hapet në dy faza; fillimisht në katin e dytë dhe më pas, në katin e tretë. Salla poshtë do të jetë e vetmja hapësirë për ekspozitat e përkohshme.

Pra do të marrë tjetër qasje, galeria do të shndërrohet kështu në një muze?

Mendoj se kemi përgjegjësi për ekspozimin e këtyre veprave. Kemi koleksion të jashtëzakonshëm me artist’s proof (kopje e artistit) apo artist’s prints; koleksion i dhuruar në vitin 1999, nga Jan Dibbets, një artist shumë i njohur holandez. Ka ardhur në Galeri falë ambicies, dëshirës dhe interesit të madh të Gëzim Qendros dhe është shfaqur dy herë gjithsej, dhe, nga kjo e fillojmë. Është obligim i institucionit, kur i falet një koleksion aq i rëndësishëm, që herë pas here ta shfaqë. Hera e fundit ka qenë viti 2010 dhe ka një gjeneratë të re, që nuk e ka parë kurrë apo edhe të tjerë që do ta rishohin dhe do të zbulojnë detaje të reja. Nuk është shfaqur kurrë si i plotë dhe do të përkujdesemi që të vijë si i tillë. Koleksioni ka ardhur më 1999-ën dhe është një nga ekspozitat që përgatitet në fillim të këtij vitit me kuratore Arnisa Zeqon. Koleksioni ka ardhur si dhuratë nga Holanda dhe Arnisa jeton dhe punon në Holandë. Na intereson ky bashkëdyzim. Një tjetër ekspozitë do të jetë ajo e Sokol Beqirit , pjesëmarrës në “Documenta 14”, një nga emrat referentë të artit bashkëkohor në Kosovë dhe një prej artistëve më politikë. Kjo përzgjedhje është bërë pikërisht për përkujtimin e 20 vjetorit të Luftës së Kosovës, por edhe si pjesë e bashkëpunimit të dy ministrive, për programin e përbashkët kulturor. Secila ekspozitë do të ketë programe anësore; biseda, konferenca, program të edukimit. Vitin e kaluar na u desh shumë të përgatiteshim, por këtë vit kemi më shumë kohë për të punuar me aktivitete anësore.

Veprimtaria do të jetë më e pasur sesa vitin e kaluar apo do të mbani një standard në numrin e ekspozitave?

Ekspozita do të kemi atë të Linjës Muzeale, ku në mes të vitit hapet pjesa e parë dhe në fund të vitit në të dy katet. Do të qëndrojë për dy deri në tre vite, me idenë e rikonceptimit. Kudo në botë, ideja e rikonceptimit bëhet që veprat të dalin kohë pas kohe, të mos rrinë mbyllur. Ka shumë tema për t’u trajtuar në koleksion, që nuk janë trajtuar më herët dhe janë shumë atraktive. Ekspozita e Kolë Idromenos vjen gjatë verës, kur ka më shumë turistë apo vendas të diasporës që vizitojnë Shqipërinë. Jemi përkujdesur të kemi ekspozitë retrospektive të Kolë Idromenos në të gjitha pikat e formësimit të tij; piktura, fotografia, arkitektura dhe të gjithë komponentët që e bëjnë një artist të kompletuar. Edhe kjo, në bashkëpunim me shumë institucione publike dhe koleksionistë privatë, që kanë vepra të Idromenos. Ka edhe shumë familje në Shkodër që kanë vepra të tij. Mendoj se do të jetë ekspozitë e jashtëzakonshme. Galeria ka diku rreth 25 vepra të Idromenos.

Tematikat duken gjithëpërfshirëse; nga arti bashkëkohor, Realizimit Socialist e deri tek Idromeno, si fillesat e artit pamor shqiptar…

Ekspozita tjetër e Galerisë do të jetë e Adrian Pacit, në fund të shtatorit. Në këtë rast, pavarësisht suksesit të këtyre artistëve jashtë vendit, qoftë Edi Hila apo Paci, publiku shqiptar nuk ka pasur mundësi ta shohë punën e tyre si të plotë. Paci nuk është retrospektivë, por ekspozitë, megjithatë do të shohim shumë punë ndër vite. Mendoj se është e rëndësishme që, këto ekspozita të shihen në GKA, sepse tek të dy këta artistë, të gjitha punët janë ngushtësisht të lidhura me Shqipërinë, me pozicionin e emigrimit, me pozicionin e artistit që jeton dhe vepron jashtë, fenomene që janë shumë globale. Kjo, sado nder, gjithashtu është përgjegjësi para artistit. Ata nuk janë shfaqur më parë dhe shfaqen para publikut shqiptar me përgjegjësi të madhe. Jemi gjithashtu në përgatitje të një ekspozite ndërkombëtare dhe përfshirjes së artistëve lokalë. Një ide për të cilën jemi në pritje të vendimeve. Është një ekspozitë e kuruar, me temë, që bën hulumtim dhe fton artistë.

A është kjo kundërpërgjigje apo çuarja në një nivel tjetër e vizionit të “Onufrit”, rreth së cilës morët vendimin ta mbyllnit, duke argumentuar se nuk kishte çfarë jepte?

Nuk do ta kisha quajtur as kundërpërgjigje apo zëvendësim, por një rikonceptim të të gjithë programit të Galerisë. Kjo ekspozitë, do të fokusohet në artin bashkëkohor, në mundësinë dhe respektin e bashkëdyzimit të skenës botërore, shqiptare dhe rajonale dhe, do ta ketë respektin e njëjtë për të gjithë, duke u bazuar në temën që do të përcaktohet për zhvillimin e saj. Duhet të jemi të lumtur dhe ta shohim si pozitive që skena e pavarur, për të cilën fola me herët, jashtë aspektit të institucionit shtetëror, ka ndihmuar që ky reciprocitet i marrëdhënies ndërkombëtare –lokale, të zhvillohet natyrshëm. “Onufri” edhe më ’98 –pasi kaloi nga kombëtare në ndërkombëtare – pati ndeshje. Pati efekt të jashtëzakonshëm, për kohën e vet. Me kohë, u zbeh respekti për shumë komponentë dhe mënyrën si zhvillohej. Kishte një konkurs ku përcaktohej një temë, ftoheshin ndërkombëtaret dhe konkurronin lokalët, luftohej për një çmim. Ishte pak respekt fiktiv, nga dy skenat. Kur ky komunikim mungonte, ishte e rëndësishme ardhja e këtyre personaliteteve, qoftë e artistëve, qoftë jurisë ndërkombëtare. Por me kohë, ardhja e artistëve të huaj u zbeh. Nuk u punua shumë nga menaxhimi për rritjen e fondeve, për zhvillimin e ekspozitës në nivelin e duhur. Edhe prania e jurisë u zbeh. Pa hyrë në detaje, “Onufri” e luajti rolin e një ekspozite të rëndësishme. Për më shumë se 20 vite funksionoi dhe mendoj se si çdo proces, që nis të mos tregojë rezultatet e duhura, është më e udhës të merret një vendim prej institucionit, që e ka zhvilluar këtë ekspozitë. Jepet si konkluzion dhe vendimin përfundimtar e merr Ministria e Kulturës. Nuk duhet parë si moment negativ. Nëse nuk është më komponent, atëherë skena është zhvilluar dhe po e luan rolin e vet. Me rikonceptimin e programit, qasja e Galerisë në artin bashkëkohor vjen me forma të tjera prezantimi, pa pasur nevojë për çmime.

Si erdhi vendimi? Si u mblodh bordi dhe e diskutoi se kishte ardhur kjo pikë?

U diskutua gjatë. Më habit ideja që është ndërtuar se institucioni, gati-gati nuk është kompetent të marrë vendim të tillë. Nëse i shihni emrat e jurisë, nëse i dini CV-të dhe të kaluarat e tyre me institucionin, por edhe me vetë ekspozitën, do të kuptoni që janë tejet kompetentë për të marrë këtë vendim. Edi Muka, një prej anëtarëve të jurisë është ideatori, bashkë me Gëzim Qendron, për kthimin ekspozitës nga kombëtare në ndërkombëtare. Eleni Laperi është studiuese, e cila ka punuar dhe vepruar, ka qenë pjesë e institucionit, e ka parë nga afër dhe e ka përcjellë gjatë gjithë jetës konkursin. Unë kam qenë edhe si artist i ftuar në “Onufri” dhe më 2004-ën si një prej kuratorëve. Nëse ky grup i njerëzve nuk ka mundur të formulojë apo të japë një mendim të saktë për zhvillimin dhe historinë si konkludim për Ministrinë… Është diskutuar gjatë dhe u pa e arsyeshme se roli i “Onufrit” ka mbaruar. Galeria ecën me një hap tjetër.

Nëse roli i “Onufri” ishte zbehur, atëherë pse ka keqardhje nga artistë e kuratorë, të cilët edhe kanë bërë thirrje të mos mbyllet? Pse për ta shihet ende me rëndësi? Po ju drejtohem si artist; sa e ndihmon një artist të arteve pamore një konkurs, me çmim?

Në këtë pikë mundem t’ju flas vetëm si drejtor. Nuk mundem të përgjigjem se përse skena reagon kështu. Ata e kanë dhënë mendimin e tyre. Mendoj se çdo vendim apo ndryshim do kohën e vet për t’u bindur se ka qenë i duhuri. “Onufri” ka pasur të njëjtën rezistencë prej disa figurave kur është bërë nga kombëtar në ndërkombëtar, sot është një tjetër fazë e reagimit, por mendoj se janë të natyrshme. Galeria Kombëtare dhe institucione të tilla janë për prezantimin e ideve të reja për publikun. Për ta provokuar publikun me një momentum të ri, me një qasje të re.

Ekspozita Onufri- Si të përballemi me qelqin

Në rastin e ekspozitave, siç ishte edhe “Onufri” a nuk duhej që secili pjesëmarrës të ketë njëlloj rëndësi?

Po ju marr një shembull. Kur po përgatitja “Onufrin” më 2004, i bëra ftesë një artisteje nga Turqia. Kur i prezantuam platformën dhe i thamë se ka çmim, tha, “Jo nuk marr pjesë në ekspozita me çmime. Kur është një ekspozitë e kuruar dhe unë jam një artiste, që mund të kontribuoj në temën që keni parashtruar, mendoj se jemi të barabartë sa i përket cilësisë, ndryshe nuk do të isha. Pse duhet të konkurroj me një koleg, se cili është më i miri?” Kjo është përgjigja; nëse ka një temë, një koncept, atëherë institucioni përzgjedh me cilësi të njëjtë. Nuk ka diku më ulët e diku më lart. Kudo në botë ekzistojnë shpërblimet, por format e organizimit janë të ndryshme. Konkursi ka tjetër format. Në fakt, ka konkurse kudo në botë, ke çmimin “Young British Artists”, por janë në një moshë, në një momentum të zhvillimit të artit dhe janë në një kompeticion të tillë.

A do të ketë hapësira për artistët e rinj?

Në të gjitha ekspozitat tematike do të ketë vëmendje për artin në përgjithësi, nuk do të kisha dashur t’i ndaja me mosha. Galeria Kombëtare duhet të përkujdeset për cilësinë. Jemi dëshmitarë që mosha ka pak rëndësi. Sot zhvillimi i institucioneve publike, por edhe i artit në përgjithësi ka ndryshuar shumë. Ka ndryshime shumë të mëdha në botë, sesi operohet, sesi muzetë e mëdha botërorë e rikonceptojnë veten për afrimin e shtresave të ndryshme të publikut, sesi e rikonceptojnë programin për të provokuar njerëz të ndryshëm për ta vizatuar, por edhe për t’u bërë pjesë. Është moment i jashtëzakonshëm që bota po kalon. Së fundi doli një lajm ku “MoMA” mbyllet për katër muaj dhe rikoncepton koleksionin; i jepet rëndësi artisteve femra dhe shumë grupeve të tjerë që janë anashkaluar. Duhet të shohim çfarë mund të mësojmë nga këto ndryshime, jo vetëm në fushë të artit, por në aspektin social dhe politik, si na mësojnë ta shohim tjetrin. Njerëzit e artit duhet të jenë shumë të hapur për t’i parë. Jo me shpirtngushtësi, por me hapje dhe durim për të pritur rezultatin dhe jo për t’u ngutur. Mendoj se është shumë e rëndësishme dhe një qasje e tillë e zhvillon artin.

Ndoshta GKA është parë si institucion statik, por ju sillni shembull një muze si MoMA, për të na thënë se këto institucione kanë dinamika?

Nëse MoMA-s në këtë rast, i lind nevoja të rikonceptojë veten për hir të gjithçkaje që ka ndodhur këto pesë vitet e fundit në botë, tregon shumë. MoMA nuk ka problem me vizitorët. Për katër muaj e mbyllur humbet miliona dollarë. Por janë të gatshëm ta ndërmarrin këtë. U magjepsa me nismën. Nuk duhet të kënaqemi vetëm me atë që na ndodh dhe të mos interesohemi se çfarë ndodh në botë. Si rajon, Ballkani ka qenë mjaft i mbyllur, sidomos Shqipëria. Nuk është ideja të mbyllemi, por të hapemi gradualisht dhe të gjejmë mënyrën si të hapemi, të kërkojmë më shumë. Jo vetëm artistët, por secili që vepron në çdo fushe dhe sidomos ata që veprojnë në institucione të artit dhe kulturës. Është e rëndësishme të jemi me trendet botërore, në botëkuptim. Kur thuhet se tek ne nuk mundet të bëhej kjo apo ajo, nuk pajtohem. Kur do dhe ka pasion për atë që bën, gjithmonë mund të arrijmë deri tek një pikë.

Por fondet janë të limituara …

Edhe kjo është pyetje e përsëritur. Sigurisht që ka hapësirë për diskutim, por nuk është befasi pse është fondi kaq, apo në një aksh institucion ka qenë aq… Kudo në botë, kur i takoj kolegët, secili ka probleme me fondet. Galeria Kombëtare e Arteve në Shqipëri është në këtë madhësi. Fondi për Muzeun e Lubjanës – ku drejtoresha ka në menaxhim dy muze – është më i madh, por për ata dy muze është shumë i vogël. Është e rëndësishme që menaxheri të sjellë fonde shtesë, që e ndihmojnë veprimtarinë. Galeria, më 2018-ën ka sjellë më shumë se 75 mijë euro fond shtesë për realizimin e ekspozitave. Duhet të falënderojmë koleksionin “Kontakt’ të Vjenës, që ishte mbështetësi më i madh për ekspozitën e Edi Hilës, Ministrinë e Kulturës së Kosovës për pjesëmarrjen në ekspozitën e Flaka Halitit, Ambasadën Gjermane për pjesëmarrjen në ekspozitën

Ruth Wolf-Rehfeldt. Duhet tejkaluar ankesa për fondet. Publikut kjo pikë nuk i intereson aspak. I intereson vetëm cilësia, qasja dhe respekti që kemi për publikun. Nuk do ta dijë për probleme të tjera. Nuk është ky argumenti më i fortë për çfarë nuk bëhet në institucion. Drejtuesit luftojnë për vjeljen e fondeve. Kur pyesin, “A është i bollshëm?”, kurrë nuk është, por aq është në përgjithësi, nuk është se po na bëhet neve padrejtësi dhe dikujt tjetër po i jepet një fond më i madh. Edhe kjo është përgjegjësi që e merr bashkë me detyrën.

Po nga shitjet e biletave për ekspozitën e përhershme të koleksionit të Realizimit Socialist, a keni mbledhur të ardhura?

Vitin e kaluar është rekord i shitjes së biletave. Si duket ka pasur turistë, por edhe vendas që e kanë vizituar koleksionin. Por, megjithatë një institucion i tillë do edhe më shumë se aq. Kur i krahason pagesën e biletës në GKA me çdo muze botëror, janë të pakrahasueshme. Sigurisht që, humbjet tona nuk do të ishin të njëjta me të MoMA-s, nëse mbyllemi për rikonceptim. Por vizitat në Koleksion kanë rëndësi, pasi vizitorët, përmes veprave të artit, njihen edhe me historinë e shtetit.

Por ka njerëz që thonë, “Shkojmë te Galeria dhe nuk kemi çfarë shohim!”Aktualisht nuk ka një ekspozitë. Mbase vjen nga perceptimi se GKA-ja është vetëm ajo ekspozitë e përkohshme në katin e parë. A do të ndryshonte kjo nëse do të emërtohej Muze Kombëtar i Arteve?

Nuk është ky problemi. Sigurisht, rikonceptimi i Koleksionit do të jetë provokim tjetër për vizitorët. Do të kenë mundësi ta ri shohin koleksionin, por me vepra të tjera. Edhe për ekspozitat e përkohshme është çështje teknike; folëm sesa problematikë ka që një ekspozitë si ajo e Edi Hilës, të vijë në jetë. Por edhe sepse në 2018 na u desh të fusnin sistemin në binarë. Këtë vit, për shembull kemi emra edhe për 2020-ën dhe, një prej tyre do të jetë Petrit Halilaj, artist me një sukses botëror. Gjithkund në botë programi bëhet shumë më herët. Rezervohen emrat për hapësirën që iu dedikon. Këta artistë janë shumë të angazhuar dhe duhet gjetur momenti kur ata munden. Pastaj ardhja e punëve nga një muze në tjetrin…Është një prapaskenë e organizimit. Në shumicën e rasteve, pavarësisht programit, limitohemi edhe prej artistëve, po edhe prej ardhjes së buxhetit në Galeri. Kishim ekspozita deri më 12 janar. Pastaj fillon procesi i demontimit, paketimit, restaurimit të veprave, zhdoganimi, transiti… është një procesi i tërë. Ajo që duhet mësuar është se Galeria sot ka një program të vetin, del me propozime dhe i zhvillon si projekte nga “A në Zh”, nuk është si hapësirë, e cila u shërben projekteve që vijnë nga jashtë dhe dalin pa asnjë ndërhyrje apo konceptim të asnjë pike. Galeria Kombëtare nuk është hapësirë rentuese, as hapësirë që vihet me propozime nga jashtë, sepse nuk do të kishte nevojë as për menaxhues, as për këshill drejtues. Këto janë për hapësira të tjera dhe jo për një Galeri, që ka vizion dhe strategji. Kemi idenë e qartë sesi Galeria do të zhvillohet në tre vitet e ardhshme.

Programi “Edukimi përmes kulturës” në GKA

Përtej veprimtarisë kryesore që janë ekspozitat ç’tjetër keni parasysh kur flisni për zhvillimin në tre vitet e ardhshme të mandatit tuaj?

Na intereson shumë “Edukimi përmes Kulturës”, me fëmijë të moshave të ndryshme, por edhe me të rinj. Besoj se Galeria si fokus këtë vit do të ketë shumë pika, por një prej tyre është askesueshmëria e njerëzve me nevoja të veçanta dhe nuk jemi aspak mirë në këtë pikë. Sot Galeria, nga personat me aftësi ndryshe, mund të vizitohet vetëm në katin e parë, në sallën e ekspozitave të përkohshme, por do të punohet shumë në këtë drejtim. Gjithashtu po punojmë për oborrin e Galerisë , do të kemi aktivitete rreth Bibliotekës; janë shtuar libra më shumë se çdo vit tjetër dhe në tri vitet e ardhshme këto vitrina që i shohim të zbrazëta, do mbushen plot. Dua ta përmend rëndësinë e madhe të Gëzim Qendros për ndërtimin e kësaj biblioteke dhe sigurimin e më shumë se 4 mijë librave që i ka biblioteka dhe meriton të vizitohet dhe shfrytëzohet nga studentët e arteve, por edhe njerëz të ndryshëm. Presim që shumë shpejt të hapet dyqani i Galerisë, ku do të jenë të pranishme botimet e institucionit, por edhe posterë, kartolina,çanta, etj. Galeria do të marrë formën e një institucioni si kudo në botë, kur veç artit zhvillohen edhe aktivitete të tjera që i interesojnë publikut. Kjo e ndihmon institucionin me të ardhura, që më pas do të shfrytëzohen nga sektori i botimeve, por edhe për të pasuruar bibliotekën. Këto pika kanë nisur që në fillim të viteve 2000, me Gëzim Qëndron, por më vonë u zbehën. Rikthimi i tyre është shumë i rëndësishëm dhe nuk janë zbulim i imi. Janë praktika botërore, nuk kanë të bëjnë me zbulim. Kjo nuk i bën më të posaçëm apo specifikë. Nuk mund të anashkaloj se Edi Hila vjen për herë të parë me një retrospektivë, por kjo “për herë të parë” nuk është element për të cilin institucioni duhet të mburret. Nuk e kam parë si sukses kur duhet të bësh diçka për herë të parë, madje e kam parë si shumë të vonshme. Në diskursin tonë , por edhe të medies, hera e parë përmendet shumë dhe nuk mendoj se hera e parë është sukses, është stagnim. Nuk mundet të përmendet vazhdimisht hera e parë. Duhet pasur një kronologji, që ai apo ajo që do të vijë të mos thotë më “hera e parë”.

A do të ketë një katalog me veprat e Fondit të Galerisë?

Besoj se kjo do të jetë pjesë e linjës muzeale. Ka nevojë për shumë katalogë, libra teorikë që japin përmbajtje. Do të punojmë për publikimin e një libri me shtëpi të huaja botuese, sepse ka nevojë të shpërndahet botërisht. Një shtëpi si “Walter Koenig”, e njohur për librat e artit dhe nëse do të kishte interes publikimin e albumit të Realizmit Socialist, do ta rriste peshën, sepse

shpërndahet në çdo muze botëror. Do të punojmë për ta realizuar.

Deri në ç’periudhë shtrihet fondi i Galerisë? Përtej Realizmit Socialist, a ka vepra që zbresin në shekullin e 19-të?

Ka edhe të shek. të 19-të, por baza është Realizmi Socialist. Ka tendencë edhe të mbledhjes së punëve pas viteve ‘90 , por kjo lë për të dëshiruar sepse shumë punë mungojnë dhe, nuk ka pasur fonde, për ta vazhduar këtë aktivitet. Mendoj se me restaurimin e ndërtesës dhe përmirësimi i kushteve për mbajtjen e këtyre veprave, do ta lehtësojë nisjen e një iniciative të re për rikonceptimin e kësaj periudhe.

Meqë u ndalët te rikonstruksioni, është folur rreth tij, por do të donim të dinim diçka më konkrete. Çfarë po bëhet me rikonceptimin e GKA-së?

Është projekt që udhëhiqet nga Ministra e Kulturës dhe po punohet. U prezantua me ardhjen time dhe mendoj se është moment i rëndësishëm për GKA-në, por edhe për ndërtesën, e cila është nën mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës. Realizimi do kohë, si në çdo projekt të këtyre përmasave. Që të jemi të qartë, çdo restaurim i një ndërtese të vjetër me problemet që ka Galeria, si investim është shumë i madh se ndërtimi i një të reje. Duhet të kemi mirëkuptim dhe durim për mbledhjen e fondeve, që do të dedikohen për një ndërtesë të tillë. Mendoj që si institucion, si skenë dhe si shoqëri, duhet të na interesojë efekti përfundimtar, se çfarë sjell për historinë e artit në Shqipëri. Koleksioni është një histori e artit dhe duhet të sistemohet dhe ruhet për gjeneratat e reja. Dua të sqaroj diçka; më kanë pyetur, “Po planifikon programin për 2019-2020, pra kjo do të thotë se nuk po bëhet asgjë për restaurimin?!” kjo nuk qëndron. Galeria duhet të ketë plane, edhe kur prezantohet plani i restaurimit. Detyra jonë është të punojmë si të mos ekzistonte kjo ide, derisa të prezantohet plani konkret. Edhe sikur restaurimi të nisë vitin e ardhshëm, Galeria me administratën, me 28 punonjës, do të transferohet në një hapësirë tjetër ku do të operojë me programin e saj, në çdo lloj hapësire alternative. Duhet të ketë edhe një plan të saktë se ku do të shkojë koleksioni me nisjen e restaurimit.

Thatë se i gjetët në kushte jo të mira mjediset ekspozuese, por kushtet në të cilat ruhet fondi a kanë të njëjtat probleme?

Jo, Galeria kujdeset dhe i ruan me mundësitë që ka, në nivelin më të lartë. A kanë nevojë për kushte të reja të ruajtjes? Kur u ndërtua, Galeria u mendua më shumë si salla ekspozuese dhe jo si vend, ku konservohen veprat. Me mbledhjen e veprave, ka lindur nevoja e ruajtjes. Më herët kanë qenë jashtë Galerisë, më vonë erdhën dhe për këtë u mbyllën një pjesë e sallave dhe është siguruar fondi Galerisë. Edhe atëherë kur janë mbyllur janë bërë me njohuritë e kohës. Nuk kanë pasur përvojë se në çfarë kushtesh, temperaturash, raftesh, vitrinash, nivelesh…Dhe pikërisht për këtë po punohet. Se kjo do edhe standarde. Është ndërtuar më ’74 dhe deri më sot standardet kanë ndryshuar shumë. Ka ekspozita që nuk të vijnë kurrë nëse nuk e ke ndriçimin e saktë. Janë rregulla strikte. Që Galeria të jetë një hap me Europën dhe botën, si zhvillim, duhet të arrijmë nivelin e funksionit por edhe të cilësisë që, të mos jemi inferiorë ndaj zhvillimeve që ndodhin në botë. Restaurimi i godinës dhe përmirësimi i kushteve për ruajtjen e Fondit të Galerisë apo të hapësirave ekspozuese, do ta bëjnë shumë më të lehtë ardhjen e ekspozitave botërore, sepse do të ketë standarde. Nuk do na duhet të punojmë katër muaj për ta kthyer bërë të favorshme për ekspozim një hapësirë.

Ekspozita e parë për këtë vit e ka një datë?

Do t’i publikojmë detajet shumë shpejt dhe në fund të marsit do të hapim dy ekspozita.

 

Më Shumë