Taksa

Paketa e re fiskale, qeveria amniston gabimet e saj

Qeveria ka zyrtarizuar paketën fiskale dhe ashtu siç është folur këto kohë, aksionerët e kompanive  do të përfitojnë duke nisur nga 1 janari i 2019-ës. 

Për ekspertët me këtë paketë kanë fituar oligarkët  e Shqipërisë. 

Po të rikthehemi pas në kohë, jo shumë larg, në vitin 2014, aksionerët e korporatave të mëdha dhe pronarët e bizneseve më të fuqishëm  të vendit paguan 32 milionë dollarë taksa për të ardhurat e fituara nga dividenti.

Në numrin e madh të taksave që ekzistojnë në një vend, tatimi mbi dividentin është ai që shënjestron më mirë njerëzit më të pasur. Ky tatim, paguhet nga aksionerët e korporatave dhe pronarët e kompanive të mëdha në momentin që ata tërheqin fitimet nga biznesi i tyre. Por 2014-a ishte viti i fundit, kur të pasurit në Shqipëri paguan taksë mbi dividentin. Pas këtij viti për ta ka nisur një periudhë e artë.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se në fund të vitit të kaluar të ardhurat që qeveria mblodhi nga tatimi mbi dividentin ishin vetëm 2 milionë dollarë. Rrjedhimisht krahasuar me tre vjet më parë të pasurit kanë paguar 16 herë më pak tatim mbi dividentin edhe pse fitimet e bizneseve të tyre janë rritur. Arsyeja është vetë ligji.  

Qeveria nxiti shmangien

Ashtu si në shumicën dërrmuese të vendeve të tjera, ligji shqiptar i takson fitimet e bizneseve të mëdha dy herë. Një herë përmes Tatimit mbi Fitimin, i cili paguhet në masën 15 për qind mbi fitimin vjetor që realizon kompania. Ndërsa hera e dytë është pëmes tatimit mbi dividentin, po në shkallën 15 për qind. 

Por ky tatim paguhet vetëm në rastin kur ortakët vendosin ta shpërndajnë mes tyre fitimin e realizuar nga kompania që zotërojnë. Në rast se ata nuk e shpërndajnë këtë fitim, por e destinojnë për investime, rritje kapitali ose në llogarinë e ortakut, atëherë tatimi nuk paguhet.

Në një situatë normale, rënia e të ardhurat nga dividenti do të nënkuptonte se bizneset e mëdha nuk po shpërndajnë fitimet tek aksionerët e tyre, por po i investojnë ato. Por në Shqipëri nuk ka ndodhur kjo. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar investimet private në ekonomi krahasuar me vitin 2013 kanë rënë me 1.7 për qind e Prodhimit Kombëtar. 

Rënia dramatike e taksave që të pasurit paguajnë për dividentët nuk është e rastësishme. Në fund të vitit 2016, qeveria premtoi uljen e Tatimit mbi Dividentin nga 15 për qind që është aktualisht në vetëm 6 për qind. Madje ky premtim u bë zyrtarisht pjesë e programit qeverisës të Partisë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2017.

Premtimi për uljen e Tatimit mbi Dividentin ishte një nxitës i qartë për kompanitë që të mos shpërndanin divident tek aksionerët e tyre deri sa kjo taksë të ulet. Edhe pse qeveria nuk e mbajti premtimin, sërish bizneset nuk po shpërndajnë dividend, pasi e kanë marrë sinjalin dhe presin uljen e taksës.

Vitin e kaluar vetëm kompanitë konçesionare fituan mbi 200 milionë dollarë nga aktiviteti në Shqipëri. Shumica e tyre, janë kontrata konçesionesh të maturuara si Aerporti, Skanimi apo pasaportat dhe nuk kryejnë me investime të reja masive. Vetëm nga konçesionet qeveria duhet të kishte mbledhur minimalisht mbi 20 milionë dollarë Tatim mbi Dividentin, por kompanitë nuk paguajnë.

Shumica e tyre e kanë çuar fitimin për rritje kapitali si rasti i konçesionit të Check-upit, që brenda 2 vitesh ka pesëfishuar kapitalin e ortakëve, ndërsa shumë të tjera ose e transferojnë dividentin në llogarinë e ortakut ose si borxh për aksionerët duke pritur momentin që qeveria të ulë taksën ashtu siç ka paralajmëruar. Si rezultat buxheti humbet dhjetëra milionë dollarë të ardhura në vit, ndërsa të pasurit nuk paguajnë pjesën që u takon të taksave duke ja lënë barrën qytetarëve.

Ndryshimet e tjera-Përfitojnë pak vetë

Në projektligjin “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA  NË LIGJIN NR. 8438, datë 28.12.1998 “PËR TATIMIN MBI TË ARDHURAT”, TË NDRYSHUAR” parashikohet dhe rritja e kufirit për tatimin 23% të pagës nga 130 mijë lekë në 150 mijë lekë.

Sipas këtij projektligji do t'i nënshtrohen tatimit prej 15 përqind personat për:

a) interesat dhe pagesat e ngjashme me to:

b) pagesat për të drejtat e autorit dhe për pronësinë intelektuale:

c) pagesat për shërbimet teknike, shërbimet e menaxhimit, shërbimet e konsulencës, shërbimet financiare dhe ato të sigurimit:

ç)  pagesat për menaxhimin dhe pjesëmarrjen në këshillat drejtues:

d) pagesat për ndërtimin, instalimin, montimin ose për punë mbikqyrëse që lidhen me to:

dh) pagesat për qeratë:

e) pagesat për shfaqjet e aktorëve, të muzikantëve ose sportistëve, përfshirë pagesa të tilla që u bëhen personave, të cilët punësojnë artistë ose sportistë apo ndërmjetësojnë për shfaqjet e tyre:

ë) të ardhurat e individëve nga lojërat e fatit dhe kazinotë:

Kurse 8 përqind për:

a) dividendët:

b) ndarjet e fitimit”.

Gjithashtu, norma e tatimit mbi dividendin në shkallën 8% do të aplikohet edhe për fitimet e pashpërndara të realizuara në vitet 2017 e më parë, me kusht që këto fitime të mos jenë kapitalizuar”.

Reduktimi i normës së dividendit nga 15 % në 8 %, sipas relacionit të projektligjit, prezantohet si një masë e cila do ulë ngarkesën fiskale të investitorëve, duke nxitur alokimin më të shpejtë të kapitalit në ekonomi apo shtimin e konsumit.

Krahas nevojës për riinvestime dhe rritje kapitali nga ana e shoqërive, është e rëndësishme edhe lëvizja efikase e kapitalit financiar dhe nxitja e diversifikimit të portofoleve nga investitorët. Aktualisht norma e tatimit mbi dividendin prej 15 %, duke u kombinuar me normën e tatimit mbi fitimin korporativ 15 %, prodhon një ngarkesë fiskale prej 27.75 % për investitorët. Ndryshimi i propozuar ul ngarkesën fiskale për investitorët në 21.8%, nivel ky i krahasueshëm me tatimin efektiv të pagave të larta.

Norma 8 % (më parë ka qenë 15 %), do të aplikohet edhe për shpërndarjen e dividendëve që mund të bëjë shoqëria dhe që i përkasin fitimeve të viteve para se ky ndryshim të prodhojë efekte (fitimeve të viteve 2017 e me parë). Një incentivë e tillë mendohet nga qeveria se do të ndikojë pozitivisht si në të ardhurat e buxhetit të shtetit, ashtu edhe në rritjen e konsumit apo diversifikimit të kapitalit financiar në kompani të ndryshme.

Tatimi mbi pagën synon të ulë barrën tatimore për rreth 15.400 punëmarrës, kjo do të ndodhë përmes rritjes së fashës së të ardhurave, nga 130.000 lekë/muaj në 150.000 lekë/muaj, që tatohen me normën 13 %.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë