Politike

Zyrtari amerikan ngre alarmin për paketën anti-shpifje, Bushati: Kundër edhe BE!

Në një diskutim në Komisionin e Helsinkit për sfidat dhe përballjen me sfidat e sigurisë dhe të demokracisë, anëtarë të delegacionit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së me në krye Ditmir Bushatin, folën edhe për përparësitë që do të ndjekë Tirana zyrtare gjatë vitit 2020 kur edhe do të ketë kryesinë e OSBE-së.

Këshilltari politik amerikan i Komisionit të Helsinkit, Bob Hand, theksoi se në debatin e fundit në Shqipëri për paketën anti-shpifje, OSBE-ja ka sugjeruar të rishikohet ligji por sipas tij deri më tani qeveria shqiptare duket se nuk ka synim ta bëjë.

Hand tha gjatë diskutimit se kjo çështje luhat edhe autoritetin moral të Shqipërisë kur trajton çështje të lirisë së medias në vende të tjera.

‘Shqetësimi im kryesor është se është problematike për Shqipërinë. Shqipëria le t’i ketë këto ligje, por do të jetë e vështirë që Shqipëria të ngrejë zërin për lirinë e shprehjes në ato vende të OSBE-së që kanë më shumë kufizime se Shqipëria në këtë drejtim. Shqipëria duhet të përparojë në këto fusha, nëse do që si kryetare e OSBE-së, t’u bëjë thirrje vendeve të tjera të marrin hapa në një drejtim pozitiv’, ka thënë këshilltari politik i Komitetit të Helsinkit, Bob Hand.

Nga ana tjetër kryetari i delegacionit të Shqipërisë në Asamblenë e OSBE-së, Ditmir Bushati parashtroi përparësitë e Shqipërisë si kryetare e radhës së OSBE-së, përfshirë edhe mbështetjen e misionit të OSBE-së në Ukrainë, operacionet në terren me personel të plotë dhe aktual, promovimin e lirive themelore përfshirë edhe atyre të mediave, si dhe misionet e ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe nxitjen e diplomacisë parlamentare në shërbim të dialogut.

Sipas Bushatit liria e medias është një prioritet për çdo shoqëri dhe theksoi se paketa anti-shpifje  qeverisë është në fazë diskutimi në parlament edhe pse është kritikuar nga OSBE dhe BE. Bushati ndër të tjera tha se hapin final do ta hedhin vetëm me rekomandimin e OSBE-së në lidhje me këtë ligj.

Po ashtu, edhe programi televiziv në "Fuori Tg", i cili transmetohet në “Rai3” i ka kushtuar një dokumentar lirisë së shtypit në vendin tonë,me titull "Shqipërisë i qepet goja”.

Gazetarët italianë ndalen tek paketa e re e Antishpifjes të hartuar nga qeveria, liria e shtypit është në vendi tonë është në rrezik.

“Në një klime mediatike të kushtëzuar nga marrëdhëniet gjithnjë e më të ngushta midis pronarëvë dhe pushtetit politik, masat e fundit të qeverisë rrezikojnë dhe të komplikojnë punën e reporterëve dhe mund të kenë një efekt domino në të gjitha demokracitë e brishta të Ballkanit”, thanë ekspertët e ftuar në studio, të cilët përfshnin Giuseppe Giulietti, presidentin e Federatës Kombëtare të Shtypit Italian dhe Koloreto Cukali anëtar i Këshillit të Mediave Shqiptare.

Si Cukali ashtu edhe Giulietti u ndalën tek episodet e arrestimeve gjatë emergjencës së tërmetit. “Nga një vajzë 25-vjeçare u arrestua sespe kishte shkruar se në portin e Durrësit ekzistonte rreziku që të shpërthente një depo gazi, anëtarë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit janë kërcënuar me arrest nëse nuk tërheqin një video ku shihet se ndihmat për viktimat e tërmetit futen në Ministrinë e Brendshme dhe portali “Dosja.Al” është e bllokuar sepse në një shkrim kishte publikuar një numër viktimash më të lartë se ai zyrtar.

"Kryeministri tashmë kontrollon gjitha mediet tradicionale. Megjithatë, ai ende nuk ka mediat online në kontrollin e tij. Kjo është arsyeja pse ai po e zbaton këtë ligj, të kontrollojë edhe mediat online. Gjëja e parë që duhet të kemi frikë është se nuk do të të jetë një efekt domino në të gjithë Ballkanin. "- deklaron Cukali në studio.

“Reporteri që bën një pyetje të rëndësishme cilësohet si një kërcënim për sigurinë kombëtare , që është një terrorist. Dhënia e zërave për ata që rrezikojnë të humbasin lirinë e tyre na shqetëson sepse ligjet e gogës do të donin të bënin edhe dikush në Itali. Të luftosh për Shqipërinë do të thotë të luftosh për nenin 21 të Kushtetutës në Itali. Ato nuk janë tema të ndara. "- deklaron Giulietti.

Raporti i fundit i reporterëve pa kufij mbi lirinë e shtypit e thotë me qartësi të madhe se rruga për në Bashkimin Europian është ende e gjatë për Shqipërinë, për shkak të një problemeve me demokracinë dhe lirinë e shtypit.

Në vitin 2018 sulmet ndaj gazetarëve shqiptarë arritën nivele që nuk ishin parë asnjëherë, të ndodhur nën presion si nga qeveria ashtu edhe krimi i organizuar. Për shkak të fyerjeve, kërcënimeve me vdekje, padi për të ndaluar investigimet ndaj korrupsioni, Shqipëria u rendit në vendin e 82-të.

"Gazetarët nuk kanë asnjë shans për të marrë informacione nga qeveria. Ne jemi ndoshta një rast unik në botë, me siguri në Europë, ku Kryeministri dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës japin të gjitha kronikat e përgatitura nga vetë ata." , i thotë gazetari Armand Shkullaku gazetarit të RAI, Valerio Cataldi.

Cataldi ndërhyn me pas edhe në studion e "Fuori Tg", nëpërmjet një lidhjeje të drejtpërdrejtë, ku ngre shqetësimin për shkeljen e lirisë së shtypit në Shqipëri. Valerio Cataldi, tha se kryeministri Rama ka shkruar gjëra të tmerrshme në “Facebook” kundër tij dhe televizionit italian, që kishte publikuar një dokumentar për çështjen “Habilaj”.

"Ne kemi bërë një speciale për trafikun e drogës në Shqipëri, i cili tregonte se si mafia shqiptare është fuqizuar dhe gjithashtu tregoi sesi politika u përfshi disi në hetime dhe hetimet e trafikut të drogës”, tha gazetari në lidhjen e drejtëpërdrejtë.

Madje, ai tregoi se pas këtyre deklaratave të Ramës kishte marrë kërcënime me vdekje. “Kur emisioni u transmetua pati një reagim të ashpër nga ana e qeverisë shqiptare. Kryeministri shkroi në Facebook gjëra të tmerrshme kundër transmetimit tonë. Na quajti gënjeshtarë, tha që ishin të gjitha gjëra të shpikura dhe që asgjë nuk ishte e vështirë. Pati një sërë reagimesh zinxhirë si kundër meje ashtu dhe ndaj TG3…A kam marrë kërcënime? Po kam marrë kërcënime. Kërcënimet erdhën pas deklaratave të Kryeministrit (Edi Rama). Na kanë ardhur kërcënime edhe me vdekje madje në adresën time. Kanë ardhur fyerje të vazhdueshme në adresë të programit tonë.”, tha gazetari në “Rai 3”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë