Lajme

Zyrtarët e Trump në Shkup, mbështetje Referendumit

Sekretari amerikan i Mbrojtjes James Mattis do të vizitojë të dielën Shkupin për të konfirmuar mbështetjen e SHBA ndaj Maqedonisë për integrimin e saj në NATO dhe zotimin e vazhdueshëm amerikan për paqe dhe siguri në rajon. Sipas një njoftimi të lëshuar nga Pentagoni, Sekretari Mattis do të ketë takim me Kryeministrin Zoran Zaev, ndërsa vendi është në kulmin e fushatës për referendumin e 30 shtatorit.

Mattis tha për Reuters se ishte i shqetësuar për shkak të përfshirjes së mundshme ruse në çështjen e referendumit të pritshëm në Maqedoni. “Do të shkoj t’i vizitoj miqtë tanë në Maqedoni dhe në mënyrë të qartë do të bëj me dije se SHBA-ja e përkrah popullin e Maqedonisë”, tha ai. Sekretari amerikan I mbrojtjes ka shtuar më tej se Rusia edhe më parë është përfshirë në raste të tilla, që nga Estonia e deri tek Shtetet e Bashkuara, nga Ukraina e deri në Maqedoni.

Por sot Shkupin e viziton një tjetër zyrtar i lartë amerikan. Wess Mitchel Ndihmës-Sekretar i Shtetit, do të shprehë mbështetjen amerikane për referendumin e 30 shtatorit, ku duhet të vendoset për emrin e ri të Maqedonisë.

Referendumi shikohet si historik. Një rezultat pozitiv do t’ia hapte rrugën vendit ballkanik për t’u bërë anëtari i tridhjetë i Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe do ta përshpejtonte procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Javën e shkuar Shkupin e vizitoi Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel, Kancelari austriak Sebastian Kurz si edhe Sekretari I Përgjithshëm I NATO-s, Jens Stoltenberg.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë