Trupat ndërkombëtare planifikojnë të qëndrojnë në Afganistan përtej afatit të majit të parashikuar nga marrëveshja e talebanëve me Shtetet e Bashkuara, thanë katër zyrtarë të lartë të NATO-s, një veprim që mund të përshkallëzojë tensionet me talibanët që kërkojnë tërheqjen e plotë.
"Nuk do të ketë tërheqje të plotë nga aleatët deri në fund të prillit," i tha një nga zyrtarët agjencisë së lajmeve Reuters.
"Kushtet nuk janë përmbushur," tha ai duke folur pa u identifikuar me emër për shkak të ndjeshmërisë së çështjes. "Me administratën e re në Shetetet e Bashkuara do të ketë ndryshime në politikë, do të diskutohet ideja e përhapur për një tërheqje të nxituar dhe mund të shohim një strategji shumë më të peshuar tërheqjeje."
Administrata e ish-presidentit Donald Trump nënshkroi një marrëveshje me talebanët në fillim të vitit të kaluar që parashikonte tërheqjen e të gjitha trupave të huaja deri në maj, në këmbim të disa garancive për sigurinë nga kryengritësit.
Zoti Trump e paraqiti marrëveshjen - e cila nuk përfshinte qeverinë afgane - si fundin e dy dekadave luftë. Ai e reduktoi numrin e trupave amerikane në 2,500 deri në janar, më i ulëti që nga viti 2001.
Planet mbi hapat që do të merren pas prillit po shqyrtohen tani dhe ka të ngjarë të jenë një çështje kryesore në një takim të rëndësishëm të NATO-s në shkurt, thanë burimet e aleancës./VOA
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.