Politike

Zyrtarët e LDK-së që i dolën sot në krah Albin Kurtit!

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni dhe deputeti Haxhi Avdyli janë disa figurat e Lidhjes Demokratike të Kosovës që i dolën sot në krah kryeministrit Albin Kurti duke kundërshtuar rrëzimin e qeverisë.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani konfirmoi sot se do të votonte kundër mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë “Kurti”, duke u kërkuar edhe deputetëve të tjerë të vepronin po njësoj.

Nënkryetarja e LDK-së deklaroi se ky është momenti më i papërshtatshëm për rrëzimin e qeverisë. Osmani theksoi se në rast se rrëzohet Qeveria, ajo duhet të mbetet në detyrë deri në zgjedhjet e reja. Ajo doli kundër çfarëdo qeverie teknike, duke thënë se do të ishte qeveri pa legjitimitet.

Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, Gazeta Si

Ajo kritikoi edhe presidentin Hashim Thaçi për mosrespektim të vendimit të qeverisë për kufizim të lëvizjes he thirrjen për të mos dalë nga shtëpitë, duke e cilësuar si të paprecedentë dhe të rrezikshme.

Në krah të Kurtit doli edhe Ministri i Mbrojtjes Anton Quni, e cili i kërkoi kryeministrit që të ndryshojë qëndrimin lidhur me shkarkimin e Agim Veliut brenda një ore pauzë në mënyrë që të mos rrëzohet qeveria.

Në fjalën e tij në seancën e mocionit të mosbesimit, Quni ka thënë se nëse Kryeministri Kurti e rivlerëson edhe njëherë kërkesën e kryetarit Mustafa për rikthimin e Veliut në detyrë atëherë ai do të bisedojë me deputetët dhe kryetarin e LDK-së, për tërheqjen e mocionit.

Anton Quni, Gazeta Si, 2020

 “Shkarkimi i Veliut na kanë lidhur duart dhe unë nuk di çfarë t’u kërkoj deputetëve të rrëzojnë apo jo qeverisë, por unë ende e kam një shpresë. Kërkojini falje LDK-së. Albin kjo ofertë është një mundësi shumë e mirë. Unë mund të shkoj të takoj Kryetarin Isa Mustafa dhe do të bisedoj më deputetët nëse ju e ktheni Agim Veliun në detyrën e tij dhe nëse ju reflektoni lidhur me taksën e cila është kusht nga komuniteti ndërkombëtar”, ka thënë Quni.

Pas tij, Haxhi Avdyli ka dalë kundër mocionit të mosbesimit, duke thënë Kosova po futet në një paqartësi institucionale.

“Unë nuk e shoh se si do të formohet një qeveri e ri pasi që ne si LDK kemi edhe disa vija të kuqe. Nuk do formojmë një qeveri me PDK-në. Nëse ne dëshirojmë të rrezikojmë këtë qeveri, duhet të vendosim për fatin e qytetarëve të Kosovës. Unë mendoj se nuk duhet të rrëzohet kjo qeveri. Mocioni duhet të shtyhet derisa të krijohen kushtet demokratike. Unë votoj kundër mocionit dhe marr përgjegjësi personale dhe politike”, tha Avdyli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë