Motosport

Zyrtare/ Sebastian Fetel do garojë me Aston Martin në 2021-shin

Katër herë kampioni i botës në Formula 1, Sebastian Fetel, do të lërë Ferrarin në fund të sezonit 2020 dhe do të marrë vendin e Perez në skuadrën e Lorenc Stroll. Tashmë është zyrtare dhe nuk ka asnjë dyshim: Fetel do të jetë piloti i ri i Aston Martin, që në 2021-shin do të kthehet në Formula 1 me një skuadër të vetën dhe jo si partnere e Red Bull-it.

“Martesa” Fetel-Aston Martin (që do të zërë vendin e Racing Point) ishte paralajmëruar prej kohësh, pavarësisht tentativave për përgënjeshtrim nga ana e pilotit gjerman. Fetel do të largohet nga Ferrari në fund të këtij kampionati, pas 6 sezonesh dhe 14 fitoresh me skuderinë italiane. Për të, Aston Martin do të jetë skuderia e 5-të në Formula 1, pas Bmw-Sauber (2007), Toro Rosso (2007-2008), Red Bull (2009-2014) dhe Ferrari (2015-2020).

Sebastian Fetel me uniformën e Ferrarit. Gazeta Si, 10 shtator 2020

Deri tani gjermani ka zhvilluar 249 gara dhe ka fituar në 53 prej tyre. Ai është shpallur kampion bote në 4 Botërorë radhazi (2010-2013). Fetel ishte në dyshim për të vazhduar apo jo të garonte në Formula 1 pas “divorcit” me Ferrarin. Largimi i Perez të mërkurën nga Racing Point ka liruar një vend në skuderinë që menjëherë zyrtarizoi Fetelin si pilotin e saj të ri.

Skuderia britanike ishte në kërkim të një piloti me emër që në momentin që bëri të ditur rikthimin në F.1 pas 60 vitesh mungesë. Janarin e kaluar, Lorenc Stroll, manjati kanadez që ka në pronësi Racing Point, u bë aksioneri kryesor i Aston Martin dhe synimi i tij ishte ta transformonte këtë skuadër. Për shumë kohë Fetel ka qenë në balotazh me Fernando Alonso, por në fund Stroll zgjodhi gjermanin. Piloti i dytë i Aston Martin do të jetë Lens Stroll, djali i pronarit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë