Motosport

Zyrtare/ Rinovon Ljuis Hemilton, edhe dy vjet me Mercedesin

Edhe 2 vite të tjera me Mercedesin për 7 herë kampionin e botës në Formula 1. Për skuderinë nga Shtutgarti, piloti 36-vjeçar nga Stevenejxh garon që prej vitit 2013.

Në prag të garës së 9-të të Botërorit, Mercedesi ka bërë publik lajmin e rinovimit të kontratës me Ljuis Hemiltonin edhe për dy vitet e ardhshme. Binomi i suksesit më të madh të Formulës 1 do të vazhdojë kështu për sezonin e 10-të dhe të 11-të, duke u bërë një nga më solidët e gjithë historisë së F1. Një tregues besimi reciprok që vjen në një moment delikat, atë të sfidës për titull me Vershtapen dhe Red Bull.

Ljuis Hemilton. Gazeta Si, 3 korrik 2021

"Eshtë e vështirë të besosh se punojmë bashkë prej 9 vitesh dhe jam entuziast për zgjatjen e kontratës edhe për 2 vjet. Kemi pasur suksese të mëdha bashkë, por kemi ende për të fituar në pistë dhe jashtë saj. Jam krenar dhe mirënjohës për mbështetjen e Mercedesit për impenjimin tim për më shumë integritet dhe barazi në sportin tonë.

Janë marrë përgjegjësi për të krijuar një skuadër dhe një ambient më gjithëpërfshirës, duke bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim. Falënderoj të gjithë personat që me talent dhe dedikim kanë punuar për të bërë të mundur gjithë këtë që kemi arritur, falënderoj edhe drejtuesit e Mercedesit që më kanë mbështetur pa kushte. Po hyjmë në një erë të re të Formulës 1 dhe mezi pres të arrijmë të tjera suksese së bashku”, - ka thënë pas rinovimit Ljuis Hemilton, 7 herë kampion bote në F1.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë