Motosport

Zyrtare/ Ljuis Hemilton te Mercedesi deri në 2025-ën, rinovon edhe Rasëll

Gazeta Si – Skuadra anglo-gjermane e Formula 1 ka konfirmuar dyshen Hemilton-Rasëll edhe për dy sezonet e ardhshme. Shtatë herë kampioni i botës do të garojë deri në moshën 40-vjeçare.

Tani ka marrë formë zyrtare. Ljuis Hemilton dhe Xhorxh Rasëll do të mbeten pilotë të Mercedesit edhe në Botërorët 2024 dhe 2025. Lajmi është konfirmuar nga skuadra nga Braklei me një njoftim në kanalet e saj në rrjetet sociale. Shuhen kështu përfundimisht dyshimet e rinovimit të pilotit 7 herë kampion bote.

Pilotet e Mercedesit, Hemilton dhe Rasell. Gazeta Si, 31 gusht 2023

"Skuadra Mercedes-AMG PETRONAS F1 është e lumtur të njoftojë se Ljuis Hemilton dhe Xhorxh Rasëll do të jenë pilotët titullarë edhe për dy sezonet e ardhshme. Ata janë dyshja jonë që në fillim të sezonit 2022 dhe të dy kanë raporte shumë të mira me skuadrën.

Ljuis do të pilotojë në sezonet 2024 dhe 2025, duke çuar përpara një raport historik, që ka sjellë 6 tituj botërorë për pilotët dhe 8 tituj botërorë për konstruktorët. Që kur ka hyrë zyrtarisht te Mercedesi, ai regjistron 82 fitore dhe 78 ‘pole position’, duke qenë piloti me më shumë suksese në historinë e këtij sporti. Xhorxh ka zgjatur deri në fund të 2025-ës një lidhje që ka filluar në 2017-ën”, - shkruhet në komunikatën zyrtare të Mercedesit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë