Motosport

Zyrtare/ Hemilton rinovon me Mercedesin: Për të fituar akoma më shumë

Ljuis Hemilton ka rinovuar zyrtarisht kontratën me Mercedesin. Sezoni 2021 do të jetë i nënti për të me skuderinë nga Shtutgarti dhe i 15-ti në Formula 1. Lajmi i rinovimit është bërë i ditur nga vetë Mecedesi. “Jam shumë i lumtur, mezi pres të garoj me Mercedesin, - ka thënë kampioni i botës. – Kemi arritur bashkë rezultate të pabesueshme dhe duam të bëjmë akoma më mirë”.

Mbyllet kështu telenovela e rinovimit të Hemiltonit me Mercedesin. Kohët e fundit palët kishin thënë se kishin mbetur vetëm disa detaje të vogla dhe tashmë gjithçka ka marrë formë zyrtare. Rinovimi është bërë vetëm për sezonin 2021. Akordi parashikon një impenjim të ri të Mercedesit për diversitetin, siç ndodhi vitin e kaluar me përfshirjen e kampionit të botës në fushata sociale, si “Black Lives Matter”. Piloti anglez ka këmbëngulur te kjo pikë.

Në njoftim gjithashtu bëhet e ditur se është krijuar një fondacion bamirësie, që do të ketë misionin të mbështesë diversitetinm dhe gjithëpërfshirjen në të gjitha format e motosportit.

“Duam të vazhdojmë me këto rezultate të jashtëzakonshme, - ka theksuar Hamilton, - në pistë dhe jashtë saj. Jam i përqendruar për ta vazhduar këtë rrugëtim që kemi nisur për ta bërë motorportin ndryshe për gjeneratat e ardhshme. Falënderoj Mercedesin që ishte shumë bashëkpunues dhe mbështetës për realizimin e këtij objektivi. Kam nderin të njoftoj krijimin e një fondacioni të ri dhe jam i frymëzuar nga gjithçka që mund të ndërtojmë bashkë. Mezi pres të zbres në pistë në mars”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë