Motosport

Zyrtare/ Formula 1 rinovon kontratën me cirkuitin e Spielberg deri në 2027-n

Gazeta Si – ‘Red Bull Ring’ në Spielberg ka rinovuar zyrtarisht kontratën me Formula 1 për të pritur deri në 2027-ën Çmimin e Madh të Austrisë. Një zgjatje kontrate prej 4 vitesh për cirkuitin historik mes alpeve austriake, që këtë vit feston 10-vjetorin e akordit aktual.

Në këtë pistë ka fituar 5 herë Mercedesi (nga 2014-a në 2017-ën dhe pastaj në 2020-ën), 3 herë Red Bull-i në atë që është gara e dytë e shtëpisë, dhe 1 herë Ferrari verën e kaluar me Leklerk. Në Spielberg gara e këtij Botërori është programuar në fillim të verës, është gara e 10-të nga 24 që ka ky sezon.

Nga një garë në cirkuitin 'Red Bull Ring'. Gazeta Si, 16 mars 2023

Ndoshta zgjatja e kontratës me këtë cirkuit, që ndodhet në një lokalitet jo edhe aq komod, është një lloj "çmimi besnikërie", pasi në kohët më të vështira të emergjencës sanitare (2020 dhe 2021) ka pritur 2 gara në sezon, si për Formula 1, ashtu edhe për MotoGP.

Në 2020-ën, gara e dyfishtë austriake shënoi edhe startin e Botërorit "pandemik". Dy garat që hynë në historinë e F.1, u fituan nga Ljuis Hemilton dhe Maks Vershtapen. Në Spielberg holandezi ka fituar 4 herë, ndërsa anglezi 2 herë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë