Bota

Zyrtare, BE nis bisedimet për blerjen e vaksinës ruse

Komisioni Europain ka nisur zyrtarisht negociatat me Moskën për blerjen dhe prodhimin e vaksinës Sputnik V në Europë. Burime diplomatike dhe zyrtare të BE-së për Reuters se edhe pse publikisht, Bashkimi Europian ka hedhur poshtë fushatën globale të Rusisë për furnizimin me vaksina të një sërë vendesh europiane si një marifet propagandistik, Brukseli ka kthyer sytë nga Moska për të shtyrë përpara fushatën e vaksinimit.

Një zyrtar i BE i cili negocion me kompanitë farmaceutike në emër të bllokut i tha “Reuters” se qeveritë europiane kanë dhënë dritën jeshile për fillimin e bisedimeve me prodhuesit e vaksinës ruse Sputnik V. Hungaria dhe Sllovakia kanë blerë tashmë vaksinën ruse, Republika Çeke është e interesuar dhe zyrtari i BE tha se Italia po konsideronte të përdorte bioreaktorin më të madh të vendit, ReiThera, për prodhimin e vaksinave në një fabrikë pranë Romës.

Fondi Rus i Investimeve Direkte (RDIF) njoftoi nga ana tjetër se ka arritur marrëveshje për të prodhuar vaksinën Covid-19  Sputnik V" me kompani nga Italia, Spanja, Franca dhe Gjermania" , në pritje të miratimit nga Bashkimi Eiropian.

"Aktualisht ka diskutime të tjera në proces për të rritur prodhimin brenda BE. Kjo do të na lejojë të fillojmë furnizimin e tregut të brendshëm europian me Sputnik-V pasi të jetë miratuar nga Agjencia Evropiane e Barnave, " tha kreu i Fondit Kirill Dmitriev.

Negociatat vijnë ndërkohë që Italia po intensifikon bllokimet, spitalet në rajonin e Parisit janë afër kolaspit dhe Gjermania ka paralajmëruar se ndodhet në një valë të tretë.

Brukseli është kritikuar për shpërndarjen e ngadaltë të vaksinave në një kohë kur Britania po lehtëson kufizimet ndërsa programi i saj i vaksinimit është një ndër më të suksesshmit në botë. BE ka nënshkruar marrëveshje me gjashtë prodhues të vaksinave perëndimore dhe ka filluar bisedime me dy kompani farmaceutike të tjera. Ajo ka miratuar katër vaksina deri më tani por problemet e prodhimit kanë ngadalësuar fushatën e saj të vaksinimit dhe disa shtete anëtare po kërkojnë opsione të tjera.

Problemet më të mëdha janë hasur me AstraZeneca, ndërsa Irlanda dhe Holanda u bënë të fundit që ndaluan vaksinimin me dozat e kësaj kompanie, për shkak të dyshimev se shkakton mpiksje gjaku tek disa qytetarë. Sikur të mos mjaftontë kjo, Astrazeneca ka ulur ndjeshëm numrin e vaksinave që do të dërgonte në vendet anëtare nga 400 milion në vetëm 100 milion, duke lënë kështu unionin të papërgatitur përballë pandemisë.

Nëse Sputnik V do të bashkohej me arsenalin e vaksinave të BE-së, do të shënonte triumfin më të madh diplomatik për Rusinë, pasi tregtia me unionin europian është kufizuar prej vitesh nga sanksionet mbi aneksimin e Krimesë dhe ndërhyrjen e saj në Ukrainën lindore.

Një zyrtar i dytë i BE tha se uzina “ReiThera” në Romë po cilësohet si një vend i mundshëm për prodhimin e vaksinës ruse kundër Covid-19. Një zëdhënëse e ministrisë së industrisë së Italisë nuk pranoi të komentonte, duke thënë thjesht se Italia do të prodhojmë të gjitha vaksinat e autorizuara kudo që të jetë e mundur."

Nuk ishte e qartë nëse shtetet që kanë porositur Sputnik V me marrëveshje të drejtëpërdrejta bilaterale do të ishin të interesuar në prokurimin e përbashkët nga BE. Negociatat me prodhuesit e vaksinave kanë zgjatur zakonisht muaj para se të nënshkruheshin marrëveshjet përfundimtare, por diskutimet midis qeverive të BE tregojnë ka një shtytje ta jashtëzakonshme për marrjen vaksinës ruse.

Për muaj me radhë, BE shprehu dyshime rreth Sputnik V duke cituar një mungesë të dhënash dhe duke e quajtur vaksinën një mjet propagandistik të politikës së jashtme të Kremlinit. Më 17 shkurt, kryetarja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen vuri në dyshim arsyet e Rusisë për eksportimin e miliona dozave, pavarësisht një shpërndarje të ngadaltë të vaksinës në shtëpi.

Edhe javën e kaluar, presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, përsëri hodhi dyshime mbi motivet e Rusisë për promovimin e Sputnik V. "Ne nuk duhet të lejojmë që të mashtrohemi nga Kina dhe Rusia, të dyja regjime me vlera më pak të dëshirueshme se tonat", tha ai. "Europa nuk do të përdorë vaksinat për qëllime propagandistike". Nuk kishte asnjë reagim zyrtar nga Moska dhe Pekini për komentet e Michel, megjithëse Rusia ka akuzuar BE për politizimin e çështjes së vaksinave.

Faktori Draghi

Sidoqoftë, perceptimi për Sputnik V brenda BE-së tashmë ka filluar të ndryshojë pasi të dhënat e provave klinike perëndimore treguan se ajo ishte 92% efektive, më shumë se Astrazeneza dhe e përafërt me vaksinën e Pfizer / BioNTech dhe Moderna. Por kthesa më e madhe erdhi më 25 shkurt, kur Mario Draghi bëri debutimin e tij në një samit të BE si kryeministri i ri i Italisë.

Ish shefi i Bankës Qendrore Evropiane, i cili vlerësohet shumë në Bruksel për shpëtimin Eurozonës nga kriza e saj më e rëndë vite më parë, mori një qëndrim pohues ndaj vaksinave për të shpejtuar ritmin e vaksinimit dhe prodhimit në Europë. Italia, e cila ka qënë tradicionalisht mbështetëse e një qëndrimi më të butë ndaj Moskës, tani po shtyn qeveritë e BE të marrin në konsideratë Sputnik V. Në një takim të diplomatëve të BE të mërkurën e kaluar, përfaqësuesi i Italisë i kërkoi BE të zgjerojë furnizimin e saj të vaksinave, duke përfshirë edhe atë ruse.

I pyetur për vaksinën Sputnik V, ministri i shëndetësisë i Italisë tha në fillim të marsit se nëse një vaksinë funksionon dhe rregullatorët thonë se është e sigurt, kombësia e saj është e parëndësishme. “Italia është e gatshme të bashkëpunojë me qeverinë ruse ”, theksoi ai.

Fondi i pasurisë sovrane të Rusisë javën e kaluar nënshkroi një marrëveshje me kompaninë farmaceutike me bazë në Zvicër Adienne për të prodhuar sasi të vogla të Sputnik V në Itali, megjithëse Roma nuk ishte e përfshirë drejtpërdrejte në këtë marrëveshje. Por nëse Roma bie dakord për një marrëveshje me ReiThera, vaksina Sputnik V do ta kishte rrugën e hapur për t’u përdorur kudo në Europë. Berlini gjithashtu ka shprehur interes për prodhimin e Sputnik V në Gjermani, ndërsa RDIF ka thënë se po diskutonte marrëveshje prodhimi me disa vende të BE.

Zyrtarët e BE kanë thënë se BE ka nevojë për doza të menjëhershme por nuk është e qartë sesa kapacitete prodhimi ka Rusia. Për më tepër, hezitimi i vendeve të BE-së për të filluar bisedimet me zhvilluesit e Sputnik V mund të shuhet nëse Agjencia Europiane e Barnave (EMA) miraton vaksinën dhe nëse vendet anëtare bien dakord të blejnë vaksinën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë