Futboll

Zyrtare/ Bajerni rinovon me Flik, s’ka trajner të ri për bavarezët

Edhe në kohë koronavirusi drejtuesit e Bajern Mynih mendojnë për të ardhmen. Me anë të një komunikate për shtyp, klubi bavarez ka bërë të ditur zgjatjen e kontratës me trajnerin Hansi Flik, i cili kishte marrë provizorisht drejtimin e skuadrës, duke zëvendësuar Niko Kovaç më 3 nëntor të vitit të kaluar.

Flik, 55 vjeç, zëvendës i Joakim Lëv në kombëtaren gjermane dhe kampion bote në vitin 2014-ën, ka firmosur deri më 30 qershor të 2023-shit me Bajernin. Gjatë periudhës 1985-1990 ai ka qenë lojtar i këtij ekipi dhe ka fituar 4 tituj kampionë në Bundesligë.

Hansi Flik, trajneri 55-vjeçar i Bajernit. Gazeta Si, 3 prill 2020

"Bajern Mynih është i kënaqur me punën e tij, jemi skuadra e vetme gjermane ende në garë në të tre kompeticionet”, - shkruan Karl-Hajnc Rumenige, një nga drejtuesit kryesorë të klubit të madh gjerman, edhe pse sezoni është ende i hapur dhe titulli nuk është i sigurt. Mjaft entuziast është shprehur edhe vetë trajneri Flik, pasi ka marrë besimin e klubit edhe për tre vitet e ardhshme: "Jam i kënaqur nga vendimi dhe jam i bindur se të gjithë bashkë mund të arrijmë diçka të rëndësishme", - thotë Flik në komunikatën zyrtare të Bajernit. Nën drejtimin e Flik, Bajerni ka marrë 18 fitore në 21 ndeshje.

Gjatë muajve të fundit janë përmendur shumë emra trajnerësh si kandidatë për të marrë drejtimin e Bajernit, madje është përmendur edhe rikthimi i Guardiolës, por tashmë gjithçka ka marrë drejtim në formë zyrtare. Nuk ka trajner të ri për Bajernin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë