Motosport

Zyrtare/ Anulohet gara e Vietnamit, ka paqartësi për Covid-19

Anulohet zyrtarisht “Çmimi i Madh” i Vietnamit. Gara në këtë cirkuit duhej të zhvillohej në muajin prill, sipas kalendarit të Formulës 1, por situata e pandemisë nga Covid-19 e shtyu për në nëntor. Megjithatë, edhe situata aktuale nuk i ka bindur organizatorët, të cilët vendosën për anulimin, duke e quajtur një vendim të dhimbshëm, por të nevojshëm.

Kriza shëndetësore e lidhur me pandeminë e Covid-19 që po kalon vendi aziatik ka bërë që drejtuesit ta anulojnë garën. Gara e Vietnamit ishte e treta në kalendar për sezonin aktual, por Koronavirusi e ka prishur rendin. Fillimisht, nga 22 gara zyrtare, Formula 1 kaloi në 13 dhe pastaj në 17 gara.

Organizatorët e garës së Vietnamit e kanë bërë të ditur vendimin e anulimit me një komunikatë zyrtare. “Duke parë paqartësitë e situatës së krijuar nga pandemia, kemi marrë vendimin e dhimbshëm, por të nevojshëm, të anulimit të garës së Vietnamit”, - shkruhet në komunikatë. Kalendari i 2020-ës mbetet kështu me 17 “Çmime të Mëdha”, 11 nga të cilët janë zhvilluar deri tani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë