Lajme

Zv/ministri i Jashtëm grek: Hetimet për minoritarin, test për negociatat

“Me të vërtetë është një test se si do të avancojë kjo çështje me drejtësinë shqiptare”, kështu është shprehur zëvendësministri i Jashtëm grek, Jorgos Katrougalos, në një prononcim për mediat në Athinë lidhur me vrasjen e minoritarit në Gjirokastër. Ndër të tjera, ai tha se është në kontakt me Tiranën zyrtare mbi ecurinë e hetimeve.

“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet diplomatike të vendit fqinj dhe prioritetet tona janë ato që thamë që në fillim: të hidhet dritë e plotë mbi çështjen. Të mbrohen të drejtat e vëllezërve tanë grekë që jetojnë atje. Për fat të keq, në vend që të na mbetet imazhi i gëzuar i dy vendeve që pajtohen dhe nderojnë të vdekurit, kishim këtë shije të hidhur nga vdekja e homogjenit tonë. Deri tani, kishim evoluar në progresin e negociatave diplomatike mes dy vendeve. Me të vërtetë është një test se si do të avancojë kjo çështje me drejtësinë shqiptare. Unë nuk dua të paragjykoj, dua të shpresoj që do të kemi zhvillimin që të gjithë presim dhe shpresojmë”, është shprehur zv.ministri i Jashtëm grek.

Ndërkohë që dy vendet janë në bisedime për çështjet e hapura që ende nuk kanë marrë një zgjidhje, nga kufiri detar, por edhe heqja e ligjit të luftës, vrasja e minoritarit grek të dielën e kaluar ka tensionuar marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë