Lajme

Zoti Macron, thuaju francezëve atë që paraardhësit e tu u thanë për Kadarenë e të tjerë

Për të justifikuar votën  kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë Presidenti francez, Emmanuel Macron u “fsheh” pas qytetarëve të tij kur tha se  “Si t’ua shpjegoj unë francezëve që gjithçka po shkon kaq mirë saqë do të hapim negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, kur qindra e qindra e qindra shqiptarë kërkojnë azil në Francë?!”.

Shqiptarët nuk e zbuluan sot Francën dhe as Franca nuk u prezantua sot me shqiptarët. Parisi është vendi që vulosi gjymtimin e trojeve shqiptare në Konferencën e Paqes në fund të Luftës së Parë Botërore, por edhe shtëpia e dytë e shumë shqiptarëve të famshëm, një pjesë e mirë e të cilëve pasi shkuan atje si azilantë  ia kthyen shumëfish borxhin e mikpritjes falë mundësive por dhe  potencialit vetjak.

Parisi dhe Franca është shtëpia e Ismail Kadaresë, Inva Mulës, Tedi Papavramit, e regjisores Liri Begeja, e Edvin Muratit, Rudi Vatës e Lorik Canës dhe e dhjetëra shqiptarëve të tjerë të njohur e të panjohur që me ambicien e përbashkët për një jetë më të mirë për veten dhe familjet e tyre punuan e punojnë fort e ndershmërisht.

Prandaj, zoti Macron, nëse nuk ke se çfarë t’u thuash qytetarëve të tu se përse i hape negociatat me Shqipërinë, folu atyre përmes veprave Kadaresë. Ata që nuk ja njohin veprën, emrin e tij mund ta gjejnë sa herë që ndahen çmimet Nobel për Letërsinë, një çmim që ndoshta s’e meriton më Kadarenë, kur fitoi Peter Handke idhëtari i kasapit të Ballkanit, Milosheviç .  Ai  është Komandat legjionar nderi për francezët,  ish presidenti Hollande  e mban mend kur ia dha Kadaresë këtë titull.

Kaq e largët duket 2015, apo se mban mend zoti Macron ditën kur terrori goditi e mori jetë njerëzore në redaksinë e revistës satirike “Charlie Hebdo”. Francezët përgjatë rrugës  , përshëndesnin me mirënjohje katër shqiptarët,  udhëheqës të besimeve fetare në  vendin tonë, që kishin ardhur për t’ju ndodhur pranë jush përmes mesazhit të fortë  të  harmonisë fetare që ne shqiptarët kemi të veçantë nga gjithë popujt e tjerë.

Në kurrë nuk e ndërrojmë flamurin por atë ditë në xhepin e kryeministrit tonë që sot juve i keni mbyllur derën ishin tri ngjyrat e flamurit të francezëve dhe ne ishim krenar për këtë simbolikë.

Klerikë të katër besimeve kryesore në Shqipëri gjatë parakalimit në nder të viktimave të sulmit terrorist ndaj revistës "Charlie Hebdo" në Paris. Gazeta Si, 17 tetor 2019

Po një vit më vonë kur Shqipëria hyri për herë të parë në Europian, a i mban se si francezët shkruanin në mediat e tyre : “Shqiptarë, hajdeni sa herë të doni”, ku në brendësi të artikujve vlerësohej tifozeria shqiptare që ditën e ndeshjes ecte përkrah tifozerisë vendase, e ku asnjë incident nuk u regjistrua?! Kjo sjellje merrej si kundërshembull i pamjeve të turpshme të përleshjeve të dhunshme mes tifozëve rusë e anglezë në Marsejë dhe qytetet e tjera të Francës.

Po në ndeshjen direkte, a i mban mend 90 minutat e takimit ku shqiptarët debutues luajtën si të barabartë përballë Francës, të zotëve të shtëpisë dhe pretendentëve kryesorë për ta fituar trofeun? Kur francezët shënuan gol shpërthyen në hov për të nxjerrë  jashtë dufin e sikletit të humbjes  që në një fare mënyre ishte shenjë respekti për aftësinë dhe qëndresën tonë.  Në fund ju e fituat atë takim dhe mbase zoti Macron mund të fitosh edhe me qëndrimin kundër pjesës dërrmuese të vendeve të BE-së për hapjen e negociatave, por fjala e fundit nuk është thënë ende. Ne do të luajmë sërish më 17 nëntor, për të matur sërish forcat në fushën e blertë sepse besojmë se e kemi shansin tonë.

Tifozë shqiptarë e francezë para ndeshjes Shqipëri-Francë gjatë europianit 2016. Gazeta Si, 17 tetor 2019

Shqetësimi për azilantët  që ngrihet nuk mbështetet as nga shifrat. Sipas Eurostat, shifrat thonë që janë rreth 10 mijë kërkesa azili nga shtetas shqiptarë në 2018 në Francë.  Sa peshë “problematike” mund të krijojë një numër i tillë për një komb me 70 milionë banorë të shtrirë në një hapësirë prej 640 mijë kilometrash/katrorë dhe me Prodhim të Brendshëm Bruto mbi 3 trilionë dollarë?

Është edhe më i papërfillshëm rezultati nëse   vëren se mesatarja e kërkesave të shqiptarëve për azil të pranuar, është sipas Eurostat rreth 2 për qind e totalit të kërkesave. Pra, zoti Macron, Ju po refuzoni 3 mln shqiptarë për 100 shqiptarë të tjerë që fitojnë azilin në Francë.

Ndaj, më shumë se një shqetësim real në Francë, ne këtu me të drejtë mund të mendojmë se azilantët po përdoren nga në lojën e madhe me Gjermaninë se kush do të mbaj fronin e mbretit në Union, ku ne shqiptarët luftëtarë të aspiratave europiane si gjithmonë në këto raste, na vendosët si sanduiç në mes për të na "kafshuar".


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë