Politike

Negociatat, Macron e pranon se u trembet azilkërkuesve

Presidenti francez, Emmanuel Macron konfirmoi tërthorazi se qëndrimi francez për të mos hapur negociatat as me Shqipërinë dhe as me Maqedoninë e Veriut lidhet me kërkesat e larta të azilkërkuesve shqiptarë në Francë.

Në konferencën për shtyp pas takimit me Angela Merkel në Tulusë, Macron e cilësoi absurd faktin që vendet që dëshirojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian, para se të nisin negociatat marrin lëvizjen e lirë në vendet e Unionit.

“Kemi gjëra të tjera për të përfunduar më pas të hapim negociatat. Mendoj që duhet të reformojmë edhe procedurën e anëtarësimit dhe të hapjes së negociatave, sepse ka shumë gjëra absurde, si shembull kemi lëvizjen e lirë përpara se të hapen negociatat. Kemi lëvizjen e lirë me Shqipërinë pa hapur negociatat dhe kjo është njëlloj marrëdhënie e çuditshme. Në mirëbesim kemi dhënë lëvizjen e lirë dhe kemi mijëra e mijëra persona që kërkojnë azil këtëj”, deklaroi ai.

Ashtu siç edhe pritej, takimi ndërqeveritar frank-gjerman në Tulusë nuk ka patur në qendër të diskutimeve çështjen e zgjerimit dhe hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Tema kryesore që ka dominuar këtë tryezë të përbashkët mes Kancelares gjermane, Angela Merkel dhe Presidentit francez, Emmanuel Macron ka qenë Brexit dhe situata në Siri pas ndërhyrjes së Turqisë në veri-lindje të këtij vendi.

Në konferencën për shtyp që pasoi takimin, Presidenti francez u përqëndrua tek Brexit. Ai tha se shpreson që një marrëveshje finale të jetë gati që Këshilli Europian ta mbështesë gjatë takimit të ditës së enjte, kur do të diskutohet kjo çështje.

Sa i takon zgjerimit, Gjermania dhe vendet e tjera të BE-së ndajnë një tjetër mendim. Berlini propozon hapjen e menjëhershme të negociatave për Shkupin dhe hapjen e tyre për Shqipërinë pas plotësimit të dy kushteve, që lidhen me ngritjen e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese dhe me reformën zgjedhore.

Nga ana e saj, Italia ka përsëritur qëndrimin e përforcuar tashmë se negociatat si për Shqipërinë, ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut duhet të hapen. Kryeministri Guiseppe Conte e quajti dritëshkurtësi çdo vendim tjetër.

"Do të ishte dritëshkurtër nga Europa që të vendosim për një shtyrje të mëtejshme të hapjes së negociatave. Hapja e negociatave nuk i zvogëlon detyrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të vendosura nga Bashkimi Europian”, deklaroi Conte para Senatit italian.

Për Kryeministrin italian është thelbësore që të kuptohet që një refuzim pa dhënë mundësi as për të kryer detyrat e shtëpisë do t'i largonte dy vendet nga horizonti Evropian.

"Nuk është për tu shpresuar, veçanërisht duke marrë parasysh që zgjerimi është një proces që lejon Shtetet Anëtare të bëjnë kontrolle shumë më të efektshme pasi të kenë filluar negociatat e pranimit sesa një përjashtim që do të ftohte Tiranën dhe Shkupin në dinamikën e paqëndrueshmërisë politike , me pasoja edhe në nivelin rajonal ” ka përfunduar Conte.

Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama është takuar në Bruksel me Presidentin e Këshillit Europian, Donald Tuskt. Kreu i Qeverisë ka shpërndarë në rrjetet sociale një foto nga takimi me presidentin në largim të KE-së, që e vlerëson për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë për hapjen e negociatave.

“Me Presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk, një nga zërat më të fortë në frontin e gjerë të PO-së për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, shkruan Rama.

Nga ana tjetër, Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev ka kërkuar që vendit të tij t’i njihet merita dhe sakrifica që bëri duke ndryshuar emrin sipas marrëveshjes së Prespës të nënshkruar me Greqinë për hir të integrimit në Bashkimin Europian.

“Nëse BE nuk na hap negociatat, atëherë kjo do të thotë se BE nuk e vlerëson Marrëveshjen e Prespës, pavarësisht se të gjithë thonë që kjo marrëveshje është një prej marrëveshjeve më të mira të nënshkruara në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi ai pas një takimi me Komisionerin e Zgjerimit Johannes Hahn në Bruksel, ku ndodhet së bashku me Kryeministrin Edi Rama për të lobuar për hapjen e negociatave të anëtarësimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë