Mjedis

Zonat e mbrojtura, aktivistët: Qeveria po i redukton dhe u hap rrugë ndërtimeve në to

Gazeta Si - Në mbledhjen e 26 janarit, Qeveria tha se ka shtuar sipërfaqen e zonave të mbrojtura përmes dy vendimeve. Por, aktivistët e mbrojtjes së mjedisit pretendojnë të kundërtën duke deklaruar se vendimet në vetvete i reduktojnë këto zona.

“Vendimet reduktojnë me 11 për qind sipërfaqen e Zonave të Mbrojtura Ligatinore, heqin prej tyre habitate të vyera, i hapin rrugë zhvillimeve të paqëndrueshme në brendësi, apo në afërsi të tyre, rrisin ndikimet negative mbi zonat qendrore të Zonave të Mbrojtura, varfërojnë habitatet dhe speciet, godasin larminë biologjike të këtyre zonave dhe të gjithë Shqipërisë”, thuhet në një deklaratë të organizatave të shoqërisë civile.

Reduktimi i këtyre zonave nuk është problemi i vetëm, sipas aktivistëve. Në deklaratën e PPNEA thuhet se ato i hapin rrugë edhe ndërtimeve në këto zona. Vendimet, sipas deklaratës së aktivistëve synojnë të ligjërojnë shkatërrimin e zonave të mbrojtura bregdetare dhe ligatinore të Shqipërisë duke prekur Liqenin e Shkodrës, ekosistemin Bunë-Velipojë, ligatinat Kune-Vain-Tale dhe Patok, Parqet Kombëtare të Divjakë-Karavastasë dhe të Butrintit, si dhe zonat Vjosë-Nartë e Pishë-Poro.

“Pas tyre fshihen zhvillime të paqëndrueshme, si urbanizim, aeroporte, bujqësi intensive, sipërfaqe habitatesh të mbuluara nga parqe industriale me panele fotovoltaike dhe turbina ere etj. Këto investime bien në kundërshtim me funksionet ekologjike të Zonave të Mbrojtura bregdetare. Për pasojë vendimet janë fillimi i fundit të Zonave të Mbrojtura ligatinore të Shqipërisë dhe njëkohësisht përbëjnë dëmtim të gjithë larmisë biologjike të vendit”, thuhet në deklaratë.

Në miratimin e këtyre vendimeve, PPNEA akuzon se ka pasur shkelje të mëdha ligjore dhe paralajmëron ankimimin e tyre në konventat ndërkombëtare të mbrojtjes së natyrës.

“Procesi i ndjekur për të miratuar këto vendime është i mbushur me shkelje ligjore të njëpasnjëshme. Përmbajtja e vendimeve mbart paligjshmëri. Për pasojë vetë vendimet janë të paligjshme dhe do të kundërshtohen në gjykatë. Veҫ kësaj përmbajtja e vendimeve do të ankimohet dhe në konventat për mbrojtjen e natyrës ku Shqipëria është palë”, mbyllet deklarata.

Kur njoftoi vendimet e Qeverisë pas përfundimit të mbledhjes, ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro tha se zonat e mbrojtura janë rritur duke shkuar në rreth 21 për qind të të gjithë territorit të vendit.

Ajo tha se vendimet krijojnë Parkun Natyror të Lumit të Vjosës, Parkut Natyror të Luginës së Shalës, Parkut Natyror të Munellës dhe krijimin e Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” duke bashkuar Thethin, Valbonën dhe lumin e Gashit.

“Me këtë proces rishikimi kemi jo vetëm përditësim të atyre çfarë kishim, por kemi shpallje të reja, siç është lumi i Vjosës, si kontribut i përbashkët i shumë aktorëve, apo siç është lugina e Shalës. Kështu shkojmë me dy zona të reja të mbrojtura në nivelin Park Natyror, çfarë na jep mundësinë të bëjmë një planifikim më të mirë dhe një organizim më të mirë të aktiviteteve turistike dhe ekonomike që mund të zhvillohen”, tha Kumbaro.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë