Zllatan Ibrahimoviç është zyrtarisht lojtar i Milanit. Kontrata e tij me klubin kuqezi është për gjashtë muajt e ardhshëm, por me shumë mundësi ajo do të zgjatet edhe edhe për një sezon tjetër, nëse sulmuesi veteran do të jetë në nivelin e kërkuar. Paga e tij do të jetë 3.5 milionë euro, plus bonuset. Suedezi 38-vjeçar është goditja e madhe e Milanit, ai vjen si shpëtimtar i kuqezinjve në këtë periudhë krize.
Ibrahimoviç pritet të jetë gati për trajnerin Pioli brenda 15 ditësh. Futbollisti është duke u stërvitur sdhe drejtuesit e Milanit e dinë shumë mirë se çfarë forme sportive ka ai. Sipas të gjitha gjasave, Ibra do të grumbullohet dhe prezantohet në “San Siro” më 6 janar, kundër Sampdorias, por ai do të jetë plotësisht gati në gjysmën e dytë të muajit janar. Më 15 janar Milani pret Spalin për fazën e 1/8-ve të Kupës së Italisë dhe ky duket rasti më i mirë që Ibrahimoviç të zbresë titullar në fushën e “San Siros”.
Bisedimet për rikthimin e gjigantit suedez kanë qenë të gjata. Për një moment ai mendoi edhe tërheqjen nga futbolli, por drejtuesit e klubit kuqezi këmbëgulën, duke qenë të bindur se Ibrahimoviç është njeriu i duhur për ta nxjerrë Milanin nga kriza. Ai e njeh mjaft mirë ambientin. Përveç Milanit, sulmuesi ka luajtur në Itali edhe për Juventusin dhe Interin. Sezonet e fundit ka luajtur në Amerikë, me Los Anxheles Galaksi. Një rikthim i bujshëm në Itali.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.