Drejtoria e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, duke iu referuar aktit të ekspertizës, deklaron se zjarri në çerdhen nr. 14 ka qenë i qëllimshëm.
Shkaku i rënies së zjarrit ka ardhur si pasojë e shkëputjes së rregullatorit nga bombola e gazit. Zjarri ka rënë midis bombolës së gazit dhe kutive të kartonit. Gjithashtu, akt-ekspertiza përfundon se zjarri është shkaktuar nga faktorë të jashtëm. Akt-ekspertiza është vendosur në dispozicion të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për vijimin e hetimeve dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.
Çerdhja nr. 14 në zonën e “Ali Demit”, u përfshi nga flakët më 16 gusht dhe ka pasur vetëm dëme të vogla materiale.
Njoftimi i plotë:
Në përfundim të akt-ekspertizës lidhur me zjarrin e rënë në datën 16 Gusht 2018, në orën 04:57, në çerdhen nr.14, në Lagjen “Ali Demi”, Tiranë, Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dëshiron të informojë si më poshtë:
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, shkaku i rënies së zjarrit ka ardhur si pasojë e shkëputjes së rregullatorit nga bombola e gazit dhe si pasojë e rrjedhjes së gazit nga bombola, ka ngopur ambientin e brendshëm me gaz, i cili në kontakt me pjesën e djegur të kutive të kartonit ka shkaktuar shpërthimin e ambientit.
Ekspertët e Drejtorisë së Mbrojtjes nga Zjarri vërejnë se zjarri ka rënë midis bombolës së gazit dhe kutive të kartonit. Gjithashtu, akt-ekspertiza përfundon se zjarri është shkaktuar nga faktorë të jashtëm.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, ekspertët e MZSH-së kanë konstatuar se, në ambientin ku ishin vendosur bombolat e gazit, në anën verilindore të çerdhes nr.14 dhe me mur ndarës me kuzhinën e gatimit, xhami i krahut të djathtë të dritares ishte thyer. Poshtë dritares ishte vendosur një shkallë prej druri, e përbërë nga dy paleta, e cila në fushën e ndërtimit përdoret si skelë.
Në brendësi të ambientit, poshtë dritares dhe mbi banakun prej betoni ekspertët kanë gjetur disa kuti kartoni pjesërisht të djegura. Gjithashtu, akt-ekspertiza konstaton se është gjetur edhe një bombol gazi e dëmtuar në pjesën e sipërme nga zjarri, kurse rregullatori i gazit ishte i shkëputur bashkë me tubin e gazit nga bombola.
Provat dhe faktet e mbledhura nga ekspertët e Drejtorisë së MZSH-së çojnë në përfundimin se zjarri në çerdhen nr.14 ka qenë i qëllimshëm dhe i shkaktuar nga faktorë të jashtëm.
Akt-ekspertimi i është vendosur në dispozicion organit të Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor, Tiranë, për vijimin e hetimeve dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.