Ngjarje

Zjarri në qendra tregtare, eksperti: Mungon verifikimi i standardeve të sigurisë, në disa raste ka dhe devijim të lejes së ndërtimit

Nga Gazeta Si - Rastet e zjarrit në ndërtesa gjithnjë na ngrenë pikëpyetje mbi sigurinë në ambjentet publike, sidomos gjatë ditëve të trilla festive, kur edhe dyndjet e njerëzve janë më të mëdha.

Pas zjarrit që ra ditën e Krishtlindjes, 25 dhjetor, në qendrën tregtare “Metropol” në qendër Lushnjes, ekspertët e sigurisë thonë për Gazetasi.al, se ngjarje të tilla na tregojnë qartë se në vendin tonë mungon infrastruktura e nevojshme që parashikon garantimin e sigurisë së qytetarit në raste fatkeqësish si tërmeti apo dhe zjarret.

Eksperti Fation Softa i pyetur nga Gazetasi.al theksoi se, në lejen e ndërtimit parashikohet ndërtimi i të gjithë infrastrukturës siç janë: shkallët e emergjencës, rezervuaret e ujit, pikat hidrante brenda dhe jashtë strukturës, portat e emergjencës dhe daljet, rrugë- kalimet dhe veshjet e ndërtesës me material jo të djegshëm.

Eksperti i sigurisë Fation Softa. Gazeta Si, dhjetor, 2023.

“Pas përfundimit të objektit, bëhet verifikimi që të jepet leja e shfrytëzimit të strukturës. Para fillimit të funksionimit të një objekti, jepet leja për aktivitet ku verifikohen standardet e sigurisë, pikat hidrante në çdo kate me tuba, sistemet e mbrojtjes nga zjarri me bombula portative, sistemet e alarmit të mbrojtjes nga zjarri ku përfshihen: çentrali, butonat e alarmit, kutia e pajisjeve ndihmëse, sirenat, sinjalistika fosforeshente dhe me ndriçim”, thotë eksperti Softa.

Sipas tij, ai që jep certifikatën për standardet e sigurisë janë shërbimi zjarrfikës. Eksperti Softa thekson se shërbimet e zjarrfikëseve para dhënies së certifikatës së sigurisë së godinës, duhet të kontrollojnë planet dhe skemat e evakuimit në raste të rënies së zjarrit, ndriçimin e emergjencës. Gjithashtu kontrollohen bombolat e shuarjes së zjarrit të cilat vendosen mbi bazën e normës së lejuar dhe që bazohet mbi sipërfaqen që mbulon dhe vendndodhjen e tyre në magazinat që janë me lëndë të djegshme.

“Vendosen sensorë termikë dhe sprucatorë që në rastet që arrin një temperaturë të caktuar sprucojnë për shuarjen automatike të zjarrit. Këto certifikata jepen çdo 4 vjet, por nga ana e zjarrfikëseve duhet të bëhen kontrolle periodike”, thotë Softa.

Qendrat tregtare dhe kontrollet për sigurinë

Eksperti Softa thekson se materialet që përdoren në qendrat tregtare duhet të plotësojnë normalet e standardit të sigurisë si në pajisjet elektrike, panelet dhe impiantet të cilat duhe të jenë të certifikuara nga persona me licencë. Gjithashtu, ndër kushtet e sigurisë janë dhe distancat në zonat e banuara.

Eksperti Softa thotë se ky është kriter thelbësor pasi në qendrat tregtare është mjaft i vështirë menaxhimi i zjarreve.

“Qendrat tregtare duhet të kenë një plan masash për mbrojtjen nga zjarri të godinës dhe qytetarëve dhe një person që udhëheq operacionin për përdorimin e mjeteve portative për mbrojtjen nga zjarri. Sipas ligjit, grupi që menaxhon situatat e tilla si tërmetet apo zjarri, duhet të bëjnë stërvitje çdo 6 muaj për evakuimin e personave në raste të tilla. Duhet theksuar se grupe të tilla menaxhojnë situata jo vetëm në raste të zjarrit por dhe aktet terroriste”, thotë Softa.

Eksperti thekson se në planin e  evakuimit, portat e emergjencës duhet të pajisen me doreza antipanik, sinjalistika, vertikale dhe horizontale dhe megafonet që orientojnë turmat.

Eksperti Fation Softa thotë se rol në menaxhimin e situatave të tilla apo respektimin e standardeve të sigurisë në qendrat tregtare dhe apartamentet kanë administratorët. Gjithashtu rol kanë kompanitë e sigurimit për parandalimin dhe ndërhyrjen në menaxhimin e situatave apo dhe prefekti i qarkut.

“Pra janë një zinxhir hallkash përgjegjës për parandalimin dhe menaxhimin e situatave të zjarrit që mund të ndodhë në qendrat tregtare. Po ashtu dhe Inspektoriati i Punës që ka dhe detyra kontrolluese edhe për sigurinë. Duhet theksuar se në zonat e banuara mund të ketë supermarket por jo qendra tregtare pasi mundësia e ndërhyrjes në raste emergjente është shumë e vështirë”, thotë eksperti Softa.

Sipas tij, është e papranueshme që qendrat tregtare kanë vënë në punë kate nën tokë që janë parashikuar për parkime, duke devijuar lejen e ndërtimit dhe përshtatur atë në kundërshtim me kriteret e ndërtimeve në zonat e banuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë