Zjarret që përpinë periferinë e Athinës mund të konsiderohen si katastrofat më të mëdha të viteve të fundit. Ndërsa, grekët po mundohen të mbledhin forcat për përballimin e kësaj tragjedie, shumë njerëz pyesin se si kanë shpërthyer njëkohësisht kaq shumë zjarre.
Por, akoma më të shqetësuar për shkaqet e zjarreve janë qeveritarët grekë.
Në një intervistë për mediat, zëdhënësi i qeverisë greke, Dhimitris Tzanakopoulos, ka deklaruar se kryeministri Alexis Tsipras ka urdhëruar që të hetohen plotësisht shkaqet e zjarreve që shkaktuan vdekjen e dhjetëra njerëzve në periferinë e Athinës.
“Kryeministri urdhëroi që dosja e çështjes t’u dërgohet autoriteteve gjyqësore, si dhe të mbanim këtë konferencë shtypi në mënyrë që t’i paraqesim popullit grek të gjitha dëshmitë që ka qeveria në dispozicion”, u shpreh Dhimitris Tzanakopoulos, zëdhënësi i qeverisë.
Edhe ministri i Mbrojtjes së Qytetarit, Nikos Toskas, duke shpjeguar video dhe të dhëna nga disa shërbime satelitore të vendit dhe amerikane, ka theksuar se ekzistojnë prova serioze për zjarrvënie të qëllimshme.
“Sa u përket hetimeve që po bëhen nga grupi hetimor i Departamentit të Zjarrfikësve në bashkëpunim me Policinë Greke, do doja të tregoja me anën e disa imazheve të paraqitura se kemi të dhëna serioze dhe gjurmë të rëndësishme për veprimtari kriminale që kanë të bëjnë me zjarrvënie”, u shpreh Nikos Toskas, ministër i Mbrojtjes së Qytetarit.
Pra, në këtë intervistë del qartë se zjarrvënia ishte e qëllimshme dhe e planifikuar, por sigurisht kanë ndikuar edhe kushtet klimaterike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.