Bota

Zjarret në Kili dalin jashtë kontrollit, të paktën 112 viktima dhe qindra të zhdukur

Gazeta Si- Të paktën 112 persona kanë humbur jetën si pasojë e zjarreve pyjore në rajonin Valparaiso të Kilit.

Zjarret më të shumta raportohen në periferi të qytetit bregdetar Vina del Mar, që ndodhet 122 km në perëndim të kryeqytetit Santiago e ku banojnë plot 300 mijë njerëz. Disa zona të Vina del Mar janë shkatërruar plotësisht, ndërsa 200 persona rezultojnë të zhdukur.

Presidenti Gabriel Boriç shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe tha se do të vinte në dispozicion “të gjitha burimet e nevojshme” për të trajtuar situatën.

Besohet se është zjarri më vdekjeprurës i regjistruar në Kili.  Shumë prej të prekurve po vizitonin rajonin bregdetar gjatë pushimeve verore.

Një alarm shëndetësor u vendos në Valparaiso nga ministria e shëndetësisë, e cila bëri thirrje për ngritjen e spitaleve të përkohshme në terren.

Studentët e mjekësisë që janë afër përfundimit të studimeve të tyre do të punësohen për të ndihmuar në bluzat e bardha, njoftoi ministria.

Flakët kanë asgjësuar edhe një nga kopshtet më të famshme botanike në Kili, i cili ekzistonte që prej vitit 1931.

Përpos zonave pyjore, flakët janë shpërndarë edhe në qytet pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve kiliane.

Aktualisht temperaturat janë në vlerën 30 gradë Celsius, shoqëruar me erëra të forta, gjë që e bën akoma më të vështirë neutralizimin e situatës.

Kjo situatë vjen si pasojë e fenomenit “El Nino”, i cili ka shkaktuar thatësira dhe temperatura tejet të larta në Amerikën Jugore.

Ekipet e shpërtimit kanë luftuar për të arritur në zonat më të prekura dhe Ministrja e Brendshme Carolina Tohá tha se numri i të vdekurve do të “arrinte shifra shumë më të larta” në orët e ardhshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë