Lajme

Zjarre nga veriu në jug, Meta kërkon që të merren masa pa humbur kohë

Zjarret vazhdojnë që të pushtojnë sipërfaqe të tëra.

Në zonën malore të fshatit Zhulat në Bashkinë e Gjirokastrës janë katër vatra aktive zjarri. Pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikësve, për shkak të terrenit të vështirë është bërë e vështirë shuarja e flakëve.

Me dhjetëra hektarë janë shkrumbuar, ndërsa mësohet se zjarrvënia ka qenë e qëllimshme. Për këtë arsye, policia e Gjirokastrës ka shoqëruar në Komisariat disa persona.

Prej ditës së djeshme ka marrë flakë edhe një sipërfaqe pylli me pisha në fshatin Siman të malit të Koshnicës në Gramsh.

Zona është e vështirë e malore ka penguar ndërhyrjen e automjeteve të zjarrfikëses dhe e vetmja zgjidhje është ajo e ndërhyrjes në terren me mjete rrethanore. Në ndihmë të zjarrfikëses së Gramshit ka ardhur edhe zjarrfikësja e Cërrikut.

Asnjë masë nuk është marrë për shuarjen e flakëve në fshatin Molung mbi Katund të Vjetër në Rubik. Zjarri vijon me intensitet dhe pse kanë kaluar mbi 2 ditë, asnjë nga strukturat e shtetit nuk ka shkuar për të shuar ose lokalizuar flakët.

Zjarri vijon të përparojë duke djegur hektarë me gështenja, lis etj.

Ndërkohë vijon zjarri në pyllin e Semanit, i cili ka rënë që prej ditës së djeshme duke djegur pishat dhe shkurret e zonës.

Gjatë gjithë natës zjarrfikësit janë përpjekur që të shuajnë vatrat e zjarrit, por për shkak të terrenit të vështirë vënia nën kontroll e flakëve ka qenë shumë e vështirë.

Flakët janë favorizuar nga shkurret dhe era, duke bërë që të digjen edhe pjesë të kurorës së pishave në Pyllin e Semanit.

Meta: Të merren masa të menjëhershme

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas situatës së krijuar në vend nga zjarret. Në një njoftim të Presidencës thuhet se Presidenti Ilir Meta është duke ndjekur me shumë shqetësim situatën aktuale të përhapjes së vatrave të zjarreve në disa qarqe të vendit.

Presidenti Meta nxit autoritetet qendrore dhe vendore për koordinimin në kohë dhe marrjen e masave të menjëhershme dhe efektive të emergjencës, për të neutralizuar çdo vatër zjarri që do të dëmtonte rëndë pasurinë publike, kombëtare dhe atë private.

Duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së mjedisit dhe të natyrës, Presidenti Meta tërheq veçanërisht vëmendjen për eliminimin e rrezikut për jetët e qytetarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë