Futboll

Zidan tregon pse refuzoi Francën: Më mungon adrenalina, do të kthehem shpejt

Gazeta Si – Legjenda franceze e futbollit, Zinedin Zidan, mezi pret të kthehet në stolin e një skuadre, por ai gjithmonë dëshiron që të zgjedhë me kujdes. E ka pohuar vetë ish-trajneri i Realit, i cili ka treguar edhe pse refuzoi Francën.

Për Telefoot, Zidan foli për të ardhmen, duke theksuar: "Më mungon adrenalina, më mungon futbolli. Mezi po pres të kthehem në fushë dhe të stërvis, është diçka për të cilën kam nevojë. Kanë kaluar dy vjet tashmë dhe shumë shpejt do të kthehem”.

Zinedin Zidan. Gazeta Si, 27 qershor 2023

Pas largimit nga Real Madrid, Zidan ka qëndruar pushim për dy sezone, pasi asnjë projekt nuk e ka bindur për t’u rifutur në lojë. As projekti i PSG-së, që e kishte kontaktuar verën e kaluar, para se të zgjidhte Kristof Galtier. Po ashtu, ai nuk është bindur as nga një klub saudit, që ishte gati ta mbulonte me ar.

As kombëtarja e Francës, që e shihte Zidan si profilin perfekt për të pasuar Deshamp. Pas Botërorit të Katarit diçka nuk shkoi si duhet. “Të drejtoja Francën? Unë mendoj se, nëse do që të bësh diçka, duhet ta ndjesh vërtet. Kam bërë këtë pauzë dyvjeçare, sepse më duhej".

Së fundi emri i Zidan është përfolur edhe për stolin e Juventusit dhe Real Madridit, dy hipoteza jo të lehta. Juventusi në fakt ka probleme të mëdha ekonomike, kurse Reali ka vënë në shënjestër Ksabi Alonson si pasues të Ançelotit. Mund të ketë ndonjë surprizë në të ardhmen e Zidan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë