Futboll

Asambleja/ Zgjedhjet për kreun e FSHF-së shtyhen më 15 mars. Duka: Bashkim, jo gjyqe!

Gazeta Si - Dy ditë më parë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, bëri të ditur se do të kërkonte në Asamblenë e sotme që zgjedhjet e organeve drejtuese të FSHF-së, presidenti dhe Komiteti Ekzekutiv, të bëhen në një datë tjetër.

Dhe kështu ka ndodhur. Gjatë Asamblesë, që zgjati më pak se dy orë, u vendos që zgjedhjet të zhvillohen më 15 mars. Propozimi u bë nga zv.presidenti i FSHF-së, Edvin Libohova, dhe u miratua nga të pranishmit në sallë. Ka munguar në Asamble kandidati për president Dritan Shakohoxha, pasi e konsideron atë të paligjshme.

Presidenti aktual i FSHF-së, Armand Duka, mes të tjerash në fjalën e tij theksoi se futbolli ka nevojë për bashkim: “Të lëmë mënjanë sulmet, mllefin dhe inatin e mbartur. Jam i qartë në atë që them, ne duhet të shohim para pa u ndikuar nga tensionet artificiale të situatës së krijuar. Kaluam monopate, kreshta dhe kodrina, por ato na kanë kalitur. Duhet të mbyllim të kaluarën, siç i takon shtëpisë tone, ku gjithçka zgjidhet me dashuri e vëmendje, jo me gjyqe dhe penalitete, që i përkasin të kaluarës.

Në këtë situatë ju kërkoj vetëm një gjë: bashkim, kontribut dhe dashuri për lojën përbashkët. Futbolli ka nevojë për të gjithë ne. Nuk do të reshtim së bashkëpunuari me shtetin për ta bindur, që investimi nuk është thjesht një dëshirë, por një detyrë e të gjithë neve për të ardhmen e fëmijëve tanë”.

Gjatë Asamblesë kanë folur edhe presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gravina, i cili merr pjesë si i dëguar i UEFA-s, dhe presidenti i Federatës Kosovare të futbollit, Agim Ademi.

U prezantua dhe miratua gjatë punimeve të Asamblesë buxheti i vitit 2022, si dhe u miratua audituesi i pavarur për buxhetet financiare të FSHF-së. Asambleja do t'i vazhdojë punimet më 15 mars.



Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë