Futboll

Gjykata lë në fuqi pezullimin nga detyra për kreun e FSHF-së, Armand Duka dhe drejtuesit e tjerë

Gazeta Si - Gjykata e Tiranës vendosi këtë të premte zgjatjen e masës së sigurimit “pezullim nga detyra” për presidentin e Federatës së Futbollit, Armand Duka, sekretarin e përgjithshëm, Ilir Shulku dhe sekretarin e Shoqatës Rajonale Tiranë, Ardian Haçi.

Asnjëri prej tyre nuk u paraqit në seancë, duke zgjedhur të përfaqësohen nga avokati i tyre. Prokuroria kërkoi vazhdimin e masës së pezullimit, ndërsa avokati e ka cilësuar në kundërshtim me ligjin.

Nga ana tjetër, prokurori u shpreh se janë kryer veprime dhe me marrjen e informacioneve ka kërkuar masë ndaluese.

Sipas Prokurorisë, pas hetimeve del se në disa nga dosjet e ekipeve, ka një numër më të vogël lojtarësh të federuar krahasuar me atë të deklaruar në sistemin “Comet”, që është sistemi që merret për bazë në lidhje me gjenerimin e të dhënave zyrtare për numrin aktiv të lojtarëve të federuar.

Heqja e masës së pezullimit, do të thoshte vazhdim i garës për zgjedhjet në shtëpinë e futbollit, drejt një date të pacaktuar.

Më herët, Gjykata pezulloi zgjedhjet e 2 marsit deri në shqyrtimin e padive të Shoqatave Rajonale për manipulim të procesit dhe zgjedhjet e mbajtura në Shoqatën e Tiranës, duke njohur si kryetar të Shoqatës, Eduard Prodanin.

Shpallja e vendimit nga Prokuroria u pa si një mesazh për Armando Dukën, i cili garon për të marrë sërish drejtimin e qeverisë së futbollit, edhe pse verdikti u shpall pak orë përpara votimeve.

Por votimet u anuluan me dakordësi menjëherë pasi gjyqësori shpalli pezullimin e Dukës nga detyra, i cili është kryetar i Federatës Shqiptare të Futbollit prej vitit 2002.

Nga ana e saj, prokuroria u përfshi te hetimet e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve pas një denoncimi të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, që pretendoi se të dyshuarit kishin ndërmarrë veprime të kundraligjshme në procedurën e përzgjedhjes së kreut të Shoqatës Rajonale të Futbollit të Tiranës.

Në dosje, akuza përmend kallëzimin: “Pretendohet se, në datë 24.01.2022, rreth orës 15:00, ka qenë planifikuar të zhvillohej mbledhja e delegatëve për zgjedhjen e Kreut të Shoqatës Rajonale të Futbollit të Tiranës, ku në garë kanë qenë dy kandidatë, konkretisht shtetasi Krenar Alimehmeti si dhe Eduard Prodani, por ky i fundit është tërhequr pak pas nisjes së mbledhjes, pasi sipas tij, janë konstatuar një sërë shkeljesh ligjore dhe mungesë transparence për shkak se nuk janë vënë në dispozicion paraprakisht lista e delegatëve me të drejtë vote”.

Bashkia Tiranë është aksionere e Klubit të Futbollit Tirana dhe pjesë e Shoqatës Rajonale e Futbollit të Tiranës, e cila përbëhet nga 41 persona juridikë, ku secili prej anëtarëve përzgjedh delegatët përfaqësues me të drejtë vote, në zgjedhjen e kreut të ri të shoqatës. Në ambientin ku ishte planifikuar të zhvillohej mbledhja, kanë qenë prezent 67 anëtarë nga 41 që duhet të jenë, ku 24 anëtarë kanë qenë persona anonim (delegatë jo-legjitim) të përzgjedhur në mënyrë të kundraligjshme nga përfaqësues të FSHF-së, me qëllim ndikimin në procesin e zgjedhjes së Kreut të Shoqatës Rajonale të Futbollit të Tiranës, duke paracaktuar rezultatin.

Thënë më thjesht pretendimet radhiten si vijon

“1. Në listën jo të plotë dhe të manipuluar, të vënë në dispozicion para pak kohësh, anëtarëve të shoqatës (personave juridik), me justifikimin për thirrjen e mbledhjes së delegatëve;

2. Ka informacione që në mbledhjen e datës 24.01.2022 të orës 15.00 të Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, me telefon nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku, është kërkuar e kanë marrë pjesë në këtë mbledhje persona që nuk kanë asnjë lloj lidhje me shoqatën në kundërshtim të plotë me statutin e federatës që përcakon se delegatët duhet të jenë punonnjës të anëtarëve të Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë. Personat për të cilët ka një informacion të tillë janë: Altin Kello; Ajson Lala; Ervin Bukaçi; Aldi Masha;

3. Në moszbatimin e procedurës administrative për zhvillimin e mbledhjes së delegatëve, ku në rastin konkret nuk është zbatuar procedura standarte nga Komisioni i Verifikimit, në lidhje me identifikimin e plotë të delegatëve me të drejtë vote, si dhe lista përkatëse e delegatëve legjitim, nuk i është vënë në dispozicion kandidatëve paraprakisht.

4. Zhvillimi i mbledhjes mbi kuorumin e nevojshëm, me pjesëmarrjen e 67 anëtarëve, nga 41 që duhet të jenë, ku 24 anëtarët prezent, kanë qenë persona anonim (delegatë jo-legjitim). Në këto kushte, çmojmë së janë përdorur lista fiktive votuesish, duke falsifikuar nënshkrimet e delegatëve legjitim me të drejtë vote, të cilët kanë kërkuar thirrjen e mbledhjes.

5. Njoftimet e anëtarëve te Shoqatës Rajonale te Futbollit Tirana, janë njoftuar nëpërmjet një emaili, i cili nuk administrohet nga anëtarët e Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, por sipas informacioneve, këto emaile janë hapur nga punonjës të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe administrohen po nga ata. Duke futur në këtë mënyrë apo hequr të dhëna në mënyrë të paautorizuar nga sistemi elektronik nen administrimin e Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, me pasojë pavlefshmerinë e njoftimeve dhe vendimeve te kësaj shoqate.

Prokuroria këmbëngul se gjeti në disa nga dosjet e ekipeve një numër të vogël lojtarësh të federuar krahasuar me atë të deklaruar në sistemin “Comet”, i cili është sistemi që merret për bazë në lidhje me gjenerimin e të dhënave zyrtare për numrin aktiv të lojtarëve të federuar.

Numri i lojtarëve të federuar është përcaktues sipas satutit të FSHF-së dhe SHRFT për përfaqësimin në asamblenë e përgjithshme nga delegatët e çdo shoqate apo klubi pjesëtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë