Politike

Zguri: Reforma të merret me fondet shtetërore në zgjedhje

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri shprehet se kuadri ligjor dhe administrativ për zgjedhjet ende nuk është në lartësinë e nevojave, ndaj keqpërdorimi i burimeve shtetërore duhet të jetë në fokusin e amendimeve të reformës zgjedhore që po diskutohen. Deklaratat Zguri i bëri gjatë konferencës “Për zgjedhje të ndershme: Të ndalojmë shpërdorimin e burimeve shtetërore”, i organizuar nga Instituti i Studimeve Politike me mbështetjen e Programit të USAID-it në Shqipëri. Konferenca përmbyllëse kishte për qëllim prezantimin e gjetjeve kryesore të monitorimit të vendimmarrjeve dhe aktiviteteve të institucioneve për mos përdorimin e burimeve shtetërore e publike në fushatën zgjedhore të 30 qershorit 2019.

Tryeza për reformën zgjedhore. Gazeta “Si” 19 dhjetor 2019


“Transparenca e financimit i jep përgjigje në një masë të madhe edhe keqpërdorimit të burimeve administrative. Çështja ka lidhje në një masë të madhe me vullnetin e konkurruesve në zgjedhje, me vullnetin e partive politike “për t’u sjellë mirë”. Sa më shumë partitë do të pranojnë transparencën dhe llogaridhënien publike si standarde të domosdoshme zgjedhore, aq më i madh do jetë kontrolli i shoqërisë mbi ligjshmërinë e fushatave, aq më i vogël do jetë abuzimi dhe manipulimi i vullnetit të zgjedhësve, aq më e pastër do jetë konkurrenca politike, aq më të mira do jenë zgjedhjet, aq më shpejt do rrënjoset kultura e re politike, perëndimore dhe demokratike”, tha kryekomisioneri në fjalën e tij.
Sipas tij, me rëndësi jetike për suksesin është vullneti i autoriteteve më të larta shtetërore për të siguruar zgjedhje të lira, të ndershme dhe të balancuara dhe kjo mbetet faktori kryesor.
“Nuk është vetëm çështje e aftësisë së shtetit për të kompletuar kuadrin ligjor, apo e administratës për organizim adekuat. Mbi të gjitha është çështje e dëshirës, gatishmërisë dhe vendosmërisë për të luftuar fenomenin. Të gjitha këto janë të vështira për t’u kultivuar, mungesa e tyre mbase është e vështirë edhe për t’u zbuluar, por ama, kur dëshira, gatishmëria dhe vullneti për të luftuar fenomenin janë aty, nuk ka njeri që nuk i vë dot re. Ato vihen re në çdo qëndrim, prononcim, akt apo urdhërim, në çdo hetim, monitorim, auditim apo ndëshkim. Vullneti për të luftuar fenomenin ka forcën ta çrrënjosë atë”, theksoi Zguri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë